Ministrja Manastirliu: Shkolla “Benardina Qerraxhia” në Durrës model kombëtar për shkollat sportive
Shkolla “Benardina Qerraxhia”, në Durrës është kthyer tashmë në një kompleks edukativ falë një investimi madhor të Qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Europian, në kuadër të programit EU4Schools, të zbatuar nga UNDP dhe Bashkia Durrës.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu vizitoi sot shkollën së bashku me kryetaren e Bashkisë Durrës. Ajo tha se ky institucion me traditë 55-vjeçare në përgatitjen e sportistëve elitarë, sot ofron kushte dhe standarde bashkëkohore, duke u kthyer në një model për zhvillimin e shkollave me orientim sportiv në të gjithë vendin.
Kompleksi edukativ “Benardina Qerraxhia” është rikonstruktuar dhe zgjeruar me klasa mësimi, laboratorë, bibliotekë, dhomë shërbimi shëndetësor dhe terrene sportive tërësisht të reja, përfshirë 4 palestra moderne për basketboll, volejboll, gjimnastikë dhe forcë, të konceptuara për aktivitete kombëtare e rajonale. Në proces është edhe ndërtimi i fushës stërvitore të futbollit, pistës atletike, këndit të hedhjes dhe gropës së kërcimit. Pjesë e projektit është dhe konvikti me kapacitet 150 nxënës.
“Ky është në fakt një kompleks i cili vjen me një infrastrukturë sportive të dedikuar jo vetëm me palestrat e brendshme, jo vetëm me sallat e përgatitjes fizike, por gjithashtu edhe me një tjetër investim i cili është duke u realizuar nga Bashkia e Durrësit, nga Federata Shqiptare e Futbollit, për fushën e futbollit brenda territorit të kësaj shkolle”, tha ministrja e Arsimit dhe Sportit.
Shkolla “Benardina Qerraxhia” është gjithashtu pjesë e projektit “Elite Youth Player Development Academy” të FSHF-së, që synon zhvillimin e talenteve të rinj përmes programeve stërvitore të standardeve ndërkombëtare. Risia është se hapet për herë të parë edhe cikli nga klasa VI-IX, krahas gjimnazit ekzistues.
Ministrja tha se po punohet që në të ardhmen të ketë shkolla me orientim shkencor dhe inovator, sikurse po punohet për Liceun Franko-Shqiptar për Shkencën dhe Inovacionin në Korçë. Në të gjithë vendin, janë hapur këtë vit 30 shkolla të reja ose të rehabilituara, ndërsa 40 të tjera janë aktualisht në proces ndërtimi apo rikonstruksioni.
KOHA JONË SONDAZH

