Ministrja Spiropali: Shtyhet Samiti i 6-të i Gruas në Diasporë në nderim të Elisabeta Katijajt
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka shprehur dhimbjen për ndarjen e parakohshme nga jeta të Elisabeta Katijajt dhe Eorda Sinollarit, duke i cilësuar ato si dy gra plot dritë dhe energji, që i kushtuan kohën dhe talentin e tyre Shqipërisë dhe diasporës shqiptare.
Spiropali thekson se Elisabeta Katijaj ishte një forcë e vërtetë e komunitetit të biznesit shqiptar në diasporë, ndërsa Eorda Sinollari një profesioniste e re, e cila kontribuonte me dije dhe frymë të re përmes Programit “Brain Gain” të GIZ-it.
Ministrja bën të ditur se në shenjë nderimi dhe respekti për figurën dhe kontributin e Elisabeta Katijajt, Samiti i 6-të i Gruas në Diasporë, që pritej të mbahej në Parma, do të shtyhet për një kohë tjetër.
Postimi i plotë
Thellësisht e prekur nga lajmi i rëndë për ndarjen e parakohshme nga jeta të Elisabeta Katijajt dhe Eorda Sinollarit.
Dy gra plot dritë dhe energji, që ia kushtuan kohën dhe talentin e tyre Shqipërisë dhe diasporës shqiptare. Elisabeta, një forcë e vërtetë e komunitetit të biznesit, dhe Eorda, një profesioniste e re, e cila sillte dije dhe frymë të re përmes Programit Brain Gain të GIZ-it.
Me Elisabetën, pas pak ditësh, do të ishim së bashku në Parma, në Samitin e 6-të të Gruas në Diasporë, por fatkeqësisht largimi i saj i beftë dhe i parakohshëm nuk na e la këtë mundësi. Në shenjë nderimi dhe respekti për figurën dhe kontributin e Elisabetës, Samiti i 6-të i Gruas në Diasporë do të shtyhet për një kohë tjetër.
Në këtë moment të thellë dhimbjeje, shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera dhe jam pranë fëmijëve në moshë të njomë, familjarëve, miqve dhe të gjithë atyre që i njohën dhe i çmuan.I lehtë dheu!
KOHA JONË SONDAZH

