
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo thotë se e drejta për të protestuar është një e drejtë kushtetuese që duhet të respektohet dhe garantohet, por theksoi se ajo nuk mund të përdoret për të justifikuar dhunën, sulmet ndaj punonjësve të Policisë apo dëmtimin e pronës publike dhe private.
I pranishëm në San Patrignano të Italisë, Demo bëri të ditur se gjatë takimeve me homologë nga vende të ndryshme evropiane janë diskutuar sfidat që lidhen me sigurinë publike, parandalimin e dhunës dhe masat konkrete për përballimin e tyre.
Sipas ministrit, Italia dhe vende të tjera evropiane po zhvillojnë instrumente të reja për forcimin e sigurisë publike, ndërsa edhe Shqipëria po shqyrton këto përvoja me synimin për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe për të rritur kapacitetet e institucioneve përgjegjëse.
Postimi i plotë
E drejta për të protestuar është një e drejtë kushtetuese që do ta respektojmë dhe garantojmë gjithmonë. Por kjo e drejtë nuk mund të përdoret për të justifikuar dhunën, sulmet ndaj punonjësve të Policisë apo shkatërrimin e pronës publike dhe private.
Në takimet me homologë nga vende të ndryshme evropiane, diskutuam mbi sfidat e sigurisë publike, parandalimin e dhunës dhe masat konkrete që po ndërmerren në këtë drejtim.
Italia dhe vende të tjera evropiane po zhvillojnë instrumente të reja për forcimin e sigurisë publike. Edhe ne po shqyrtojmë këto përvoja për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe për të forcuar kapacitetet e institucioneve tona.
Liria për të protestuar dhe e drejta e çdo qytetari për të jetuar i sigurt nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Detyra jonë është t’i garantojmë të dyja, me vendosmëri, proporcionalitet dhe respekt të plotë për ligjin.
