Nderim për gjigantin e gjeologjisë, inxhinierin Arian Gjikondi
In Memoriam
Nga Kristo Goga
Nderim për inxhinierin e gjeologjisë shqiptare që studioi çdo pëllëmbë tokë me saktësinë më të madhe dhe udhëhoqi ekspeditat e suksesshme për ndërtimin e hidrocentraleve tona të mëdha, Arian Gjikondi.
Bëhet fjalë për një nga kuadrot më të talentuar në fushën e Gjeologjisë Inxhinierike që u nda nga jeta dy vjet më parë. Kjo ishte një humbje e madhe dhe e papritur për familjen, shoqërinë dhe familjen e madhe të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, si anëtar i Shoqatës së Gjeologëve të Shqipërisë. Z. Gjikondi ishte kreu i Ekspeditës Gjeodezike të Skavicës, ekspeditë që punoi me përkushtimin më të madh në një hark kohor prej pesë vjetësh. Kjo vepër madhështore shërben si rezervuar për tre hidrocentralet e tjerë me shumë rëndësi, Fierzës, Komanit dhe të Vau- Dejës.
Arian Gjikondi u lind në Tiranë, më 06.10.1948. Prejardhjen e të parëve e kishte nga zona e Vranishtit të Vlorës. Gjyshi i tij, Daut Sefer Gjikondi, një arsimtar i nderuar, i cili kreu studimet në gjimnazin e famshëm “Zosimea” në Janinë, ka qenë një veprimtar i shquar për çlirimin e vendit. Ndërsa i ati, Muharremi, i cili kreu Akademinë Ushtarake të Moskës, shërbeu me devotshmëri ndaj atdheut duke qenë edhe pjesëmarrës në Luftën Nacional Çlirimtare. Ariani mbaroi shkollën e mesme profesionale, Teknikumin Gjeologji Miniera në Përrenjas. Që nga këtu nis jeta e tij, e cila iu përkushtua profesionit sa fisnik edhe të vështirë të gjeologut. Më pas Ariani ndoqi shkollën e lartë në Fakultetin Gjeologji Miniera në Universitetin Shtetëror të Tiranës në vitet 1968-1973. Këtu fillon rrugëtimi i gjatë i punës dhe zhvillimit profesional në shumë vepra anembanë vendit. Fill pas mbarimit të universitetit, Ariani nisi punën në ekspeditën për studimin gjeologo-inxhinierike të hidrocentralit të Komanit. Gjatë viteve 1981-1983 punoi për studimin gjeologo-inxhinierik të hidrocentralit të Poçemit, mbi lumin Vjosa në zonën e Mallakastrës. Kualifikimi dhe aftësia e veçantë profesionale e vunë Arianin gjatë viteve 1983-1989 si kryetar ekspedite për studimin e kushteve gjeologo-inxhinierike të hidrocentralit të Skavicës mbi lumin e Drinit të Zi.
Kjo ishte një vepër e madhore, ku përkushtimi dhe profesionalizmi duhet të ishin maksimal, për vetë kohën për të cilën flasim. Nëpërmjet plotësimit të kaskadave mbi lumin Drin do të arrihej shfrytëzimi i rezervave energjetike në vend. Dhe vepra u realizua me sukses.
Gjatë viteve 1994–1995 dhe 1989–1999 Ariani ka qenë Kryegjeolog dhe Drejtor i ish-Ndërmarrjes Gjeologji Gjeodezi. Nga vitet 1999–2002 punoi si drejtues i projektit Studimet Gjeologo–Inxhinierike për Zhvillimin Urbanistik të Tiranës. Deri në vitin 2002 Ariani punoi me profesionalizëm në Ndërmarrjen Gjeologji – Gjeodezi në Tiranë. Nga viti 2002 deri në 2006-ën punoi në Institutin e Kërkimeve dhe Studimeve Gjeologjike dhe më pas deri në vitin 2008 në Departamentin e Gjeologjisë Civile të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar. Si njeri i punës dhe … ai e vazhdoi karrierën e tij edhe pse jo më në institucione shtetërore, të cilat nuk i dhanë vlerësimin që meritonte. Në fushën e hidrocentraleve e derivacion mund të përmendim Curraj i Epërm, gjashtë hidrocentralet në lumin e Salës, tre në pjesën e sipërme të lumit të Matit, i Zallit të Bulqizës, gjashtë hidrocentrale në lumin e Cemit, dy në lumin e Cajës, dy në lumin e Orgjostit, dy në lumin e Lumës, Egnatia, Zalli i Langës, Zalli i Lunikut, tre në Qarrisht, Luarzë, Slabinjë, Bushtricë, Sranik e Stravaj në zonën e Librazhdit, Tujaninë Tiranë. Është autori kryesor i hartimit dhe projektzbatimit të digës 50 m të lartë të hidrocentralit Lumzi. Në fushën e ujësjellësve kontributi studimor i Arianit është mjaft i gjerë. Përmendim këtu ujësjellësin e Syrit të Kaltër Sarandë, Karaburunit Vlorë, të Selitës Tiranë, Gurit të Bardhë Mat etj. Në fushën e ndërtimit të rrugëve mund të përmendim Lekbibaj-Bajram Curri, Leskovik-Tre Urat, Vlorë Selenicë gjithashtu dha kontributin e tij edhe në studimin e Gazsjellësit TAP. Këto që përmendëm ishin disa nga veprat, ku Ariani ka dhënë kontributin e tij. Ai punoi pa u lodhur në profesion deri ditën e fundit të jetës. Përveç vlerave të mëdha në fushën profesionale, Ariani zotëronte edhe vlera të mëdha të sjelljes, etikës dhe moralit njerëzor. Ishte një familjar i përkushtuar ndaj gruas Ermirës dhe tre vajzave që solli në jetë: Sonilës, Joridës dhe Albës. Shokët e profesionit do ta kujtojnë gjithmonë si një njeri modest, fjalëpak e punëshumë dhe të palodhur për të ndarë dijet me të tjerët. Shoqëria do ta kujtojë si një njeri plot mirësi e humor. Të afërmit dhe veçanërisht nipërit dhe mbesat nuk do t’i harrojnë kujtimet e bukura dhe plot dashuri të kaluara me të. Të gjithë ne që patëm fatin të ishim pjesë e jetës së tij duhet të ndjehemi krenarë që patëm mes nesh një njeri me vlera të mëdha, sa të thjeshtë aq edhe madhështor…
Kolosë të tillë si inxhinierë Arian Gjikondi do t’i mungojnë kombit tonë, për vlerat e panumërta intelektuale dhe njerëzore, për punën e pa lodhur në ndërtimin e kryeveprave të mëdha të vendit tonë.