
Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste, ku ky i fundit hodhi poshtë pretendimet për kërcënime ndaj kryebashkiakut të Tiranës lidhur me dorëheqjen e tij nga detyra.
Në një prononcim për mediat, pas paraqitjes në GJKKO për procesin gjyqësor ndaj Veliajt, Ndreca deklaroi se nuk ka pasur ende mundësi të takohet me klientin e tij për të diskutuar zhvillimet e fundit politike. “Nuk kam arritur ta takoj që nga e premtja. Nuk kemi diskutuar për këtë çështje. Janë 10 versione që dalin nga Asambleja”, u shpreh avokati.
Ndreca sqaroi gjithashtu se nuk ka pretenduar asnjëherë të ketë qenë i pranishëm në momentin kur, sipas Veliajt, ministri Toni Gogu i ka përcjellë një mesazh kërcënues në emër të kryeministrit. “Unë s’kam thënë në asnjë moment se kam qenë prezent. Unë kam transmetuar çfarë klienti ka thënë”, theksoi ai.
Duke iu përgjigjur drejtpërdrejt Ramës, avokati kërkoi që pretendimet e ngritura të verifikohen nga institucionet kompetente, në vend që përgjegjësia të zhvendoset te mbrojtja ligjore e Veliajt. “Nëse kryeministri është i shqetësuar, duhet të kishte nisur hetimet për ministrin e tij. Fakti që heshtet dhe nuk hetohet, përgjegjësia nuk bie mbi Veliajn. Provat i kanë institucionet, të bëjnë verifikimet, të hetojnë, të nxjerrin të vërtetën. Por jo duke goditur avokatin e Veliajt”, deklaroi Ndreca.
Reagimi vjen pas qëndrimit të Ramës në Asamblenë e PS-së, ku ai kundërshtoi publikisht pretendimet e Veliajt dhe mbrojtjes së tij për presione të ushtruara me qëllim largimin e kryebashkiakut nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës.
