Në Postribë shkoi dhe Luli

Nga Enkel Demi

Postriba erdhi si rrjedhojë e terrorit të ushtruar në Shkodër nga banditët e Mehmet Shehut, të cilët e konsideruan pushtim futjen në Shkodër. Kryengritësit sulmuan garnizonet e cubave të Mehmetit dhe burgun e qytetit, ku mbaheshin me qindra qytetarë të thjeshtë, nëpunës, klerikë, tregtarë. Shtypja e kryengritjes ka qenë një mizori e pashoqe, ku nuk u kursye askush. Forcat qeveritare u udhëhoqën nga parimi i tokës së djegur, e cila është tokë e vdekur. Duke mbjellë llahtarën në Postribë u dha një mësim për të gjithë shqiptarët që nuk i donin komunistët, si në Gegni, ashtu dhe në Toskëri.

Për këtë ngjarje ka nisur të flitet pas vitit 1990. Ka shkrime publicistike, studime historike, por logjikisht ka patur njerëz brenda së djathtës që kërkonin nektar ideologjik tek kjo ngjarje. Ka qenë e kuptueshme që edhe brenda së djathtës të mos kishte shumë entuziazëm për kujtesën historike të Postribës, pasi pas viteve ’90 rezistenca antikomuniste u kthye në një front ku me të drejtë nuk u përjashtuan as njerëz që e mëkuan desidencën e tyre brenda Partisë së Punës apo institucioneve të kohës. Ata që duan të bëjnë diversion me këtë fakt nuk më bindin shumë, sepse, tek e fundit, e djathta u detyrohet këtyre njerëzve që nuk e lanë të vdiste, pasi luftëtarët e parë, ata të vërtetët, të mirëformuarit, u vranë, u syrgjynosën, ndërsa pinjollët e tyre u rritën përgjithësisht nën torturë, në skamje të madhe, të pashkolluar, në kampet e internimit. Por Postriba është një ngjarje që nuk e ofron këtë lloj kompromisi, ndaj dhe nuk u preferua nga antikomunistët e rinj, të cilët u formuan mes ideologjisë marksiste dhe librave klandestinë.

Për Partinë Demokratike, Postriba u kthye në qendër frymëzimi me Jozefina Topallin, e cila shihte në këtë ngjarje mundësinë e rikthimit në pushtet, pasi përmbysja e marsit ’97 konsiderohej marrje e pushtetit me dhunë nga pinjollët e komunistëve. U bë zakon që sa herë zonja në fjalë dhe të tjerë kërkonin të jepnin mesazhe armiqësore ndaj së majtës ish-komuniste, organizoheshin tubime në Postribë, të ngjashme me takimet e Enver Hoxhës në veri pas shtypjes së vetë kryengritjes.

I fundit që u shfaq në këtë anë ishte Lulëzim Basha, ose Luli, siç e thërriste gjindja para dy ditësh në Postribë. Ai u përbetua që ditët e e qeverisë po i numëronte, ndaj bëri thirrje për përmbysje të saj dhe të pushtetit të komunistëve të rinj. Pastaj iku. Shkoi pa e besuar rrezik dhe vetë se e bëri efektin emocional që shkakton një frymë rezistence.

Nuk është keq të shkosh në Postribë, por është kot të nisesh nëse nuk ke dijeni për ngjarjen, nëse nuk njeh protagonistët, nëse nuk lexon të paktën “Rrno për me tregue”. Nuk ia vlen të shkosh sa për të treguar që tani Jozefina është histori e së shkuarës, kështu që kryengritja e Postribës ka ndërruar pronar, i cili, me thënë të drejtën, stonoi sërish edhe në livadhin e përmendores.

Tesheshi.com

SHKARKO APP