Nikolla Sudar, një mik i mirë përmes shkrimeve
Nga Shpendi Topollaj/Kur e sheh për herë të parë Nikollën, këtë burrë 77 vjeçar, e ke të vështirë t`ia përcaktosh moshën, pasi pas asaj buzëqeshjes të sinqertë, gati – gati fëminore, dhe lëvizjeve energjike, të duket shumë më i ri. Ama, qoftë dhe në një fragment të vetëm kohe, nuk mund të gabosh aspak në mirësinë që fshihet pas asaj fytyrës miqësore, ku mu në mes të ballit sikur e ka të shkruar dashurinë dhe respektin për të tjerët. Se kot nuk thosh Ciceroni se “Fytyra është pasqyrë e shpirtit”. E ky respekt e kjo dashuri që ai ruan brenda shpirtit të tij, nuk i ndahet këtij studiuesi të spikatur edhe kur shkruan, sikurse e ndeshim në çdo faqe të librit të tij “Copëza jete”, kushtuar Shijakut dhe banorëve të tij ndër vite. Dhe ndofta sot, më shumë se kurrë kemi nevojë për njerëz të tillë, për intelektualë që po të parafrazojmë Gorkin, kënaqësinë më të madhe dhe gëzimin më të lartë të jetës e ndiejnë kur janë të nevojshëm dhe të afërt për njerëzit e tjerë. Ai vërtetë që nuk është ai peshkopi historik i shekullit të katërt nga Likia që u bë shenjt, por me gjithë mundësitë e tij përpiqet ta shlyej detyrimin që ka ndaj banorëve të mrekullueshëm të Shijakut, të cilin më mirë se kushdo, atdhetari i shquar, biri i Gjakovës dhe heroi i Dragobisë Bajram Curri e ka përcaktuar si “Malësia e Madhe e Shqypnisë së Mesme”. Prindërit e tij, familjarisht kishin e ardhur nga Mali i Zi dhe pasi të atit, fashistët italianë i dogjën dyqanin në Durrës, i internuan në Shijak. Ata asnjëherë nuk e harruan mikpritjen deri në sakrificë të banorëve të atij qyteti si Qazim e Sulë Domi, Abdulla Gashi, Sulë Zalla, Ibrahim Kërtalli etj. Ndaj edhe Nikolla nuk harron porosinë e prindërve që me gjithë zemrën e thyer për pamundësinë e shkuarjes në vendlindje, i kërkonin atij që “Nuk e di sesi do t`ia arrish, por edhe nga bota tjetër do të kërkojmë prej teje që Shijakut t`ia shpërblesh si askush, kur të vijë koha!” Ka një lidhje me bukurinë e misterit njeriu me atë vend ku është lindur e rritur. Janë kujtimet që të ndjekin pas e nuk të shqiten kurrë, për të mos thënë se me kalimin e viteve të bëhen akoma më të afërta e më të dashura. Ti zgjohesh në mëngjes, shkon para pasqyrës dhe të shfaqen ndër sy ngjarje të kohëve të shkuara. Ato mund të jenë fare të parëndësishme për të tjerët, por jo për ty. Të vërtiten ashtu kalimthi në mendje dhe ti ndihesh mirë, për të mos thënë se edhe gjallërohesh, pasi ato të gudulisin shpirtin. Një lojë me top lecke, një ikje pa leje nga shtëpia për t`u larë në lumë, për të “vjedhur” ndonjë kokërr kumbull të egër, ndonjë zënkë me ata të lagjes tjetër, ndonjë ngacmim vajzash, ndonjë letër dashurie dërguar me zemër të dridhur, ndonjë pëllëmbë syve nga mësuesi i fizikës, ndonjë mbrëmje vallëzimi, ndonjë ekskursion, ndonjë vizitë te gjyshërit në fshat, ndonjë hipje në kalë a rrëzimi prej samarit të tij – ja këto vogëlima tani të kënaqin e të përtërijnë. Dhe këto vogëlima kur bashkohen, formojnë diçka të madhe, solide, të ndritshme që duke marrë një formë gati mistike, kthehen në aureolë për qytetin tënd që sido të ketë qenë, ty të duket i magjishëm, për të mos thënë më i bukuri në botë. Kjo është dhe arsyeja pse Nikolla e gjen të udhës të evokojë konstatimin entuziazt të një miku gjerman që Shijakun piktoresk e quante Shijaksburg dhe lumin e tij, Erzenhauzen. Por qyteti ka dhe gjëra më të rëndësishme; ai sapo kishte dalë nga lufta, kur Nikolla kishte mbushur katër vjeç. Varfëria ishte ulur këmbëkryq. Ama solidariteti ishte i fortë. Kishin nisur reforma, por nuk mungonin edhe goditjet e “armiqve” që duke u rritur do i nguliteshin në kokë këtij djaloshi. Ura me dy harqe, krenaria e dikurshme e Shijakut, që për nevojat e luftës ishte hedhur në erë, u rindërtua. Por njëkohësisht digjej “Komedia Hyjnore” e Dante Aligerit. Mesa dukej, komunistët fanatikë të bindjeve të tyre sllavo – ortodokse, kishin vendosur që “Ferrin” e tij imagjinar, ta ndërtonin këtu në tokë, tani pas afro 700 vjetësh. Dhe mjerë ata që u dilnin kundra. Të zeztë ata që kishin disa krerë bagëti, ndonjë shtëpi a dyqan për të qënë, që nuk ishin rreshtuar krah tyre gjatë luftës apo që kishin bindje të tjera e sidomos perëndimore. Ja pse Nikolla në libër këtë kapitull e quan “Çlirim, apo… robërim i ri?” Nisi edhe në Shijak komedia e votimeve me gogla, dhe ndëshkimi i pamëshirshëm i deputetëve opozitarë si Shefqet Beja dhe përkrahësit e tij, patriotët e shquar Tofik Deliallisi e Ram Marku që kur iu dha vendimi me vdekje, burrërisht, deklaroi: “Pas meje e keni ju radhën këtu.” Dhe gjyqet “në emër të popullit” vazhdonin. Pas tyre vinin ekzekutimet prapa kinemasë, ku të dënuarit siç flitej në popull “griheshin nga plumbat”. Nikolla pa me sytë e tij sesi policët zemërgurë i zvarritën deri te gardhi i madh vëllezërit Shtraza, u lidhën sytë dhe skuadra e pushkatimit i kositi me plumba. Atij ende i tingëllon piskama e vajit të nënës së tyre që vajtonte rrugëve të Shijakut për humbjen e djemve të saj. Ja, këto ngjarje nuk kish sesi të mos linin gjurmë në sytë dhe mendjen e Nikollës fëmijë. Tani burrë, ai e di se këto nuk duhen harruar kurrë. Ai tani njihte F. Kafkën i cili paralajmëronte: “Ata që nuk e mbajnë mend të kaluarën, janë të dënuar ta përsërisin.” E megjithatë kishte plot njerëz që ndershmërisht shpresonin dhe punonin për ta ndryshuar gjendjen. Njerëzit idealistë e zemërmirë nuk kanë munguar asnjëherë. Të tillë Nikolla njeh shumë, ndaj dhe i përmend me radhë; mësues bashkënxënës e deri pastruesen e shkollës. Por ka disa që e përkrahën për t`u shkolluar, për t`u sistemuar në punë dhe për të mos ja kujtuar “cenin” në biografi, si djalë emigranti tek i cili duhet dyshuar, pasi dikush dhe e nxirrte nga zyra duke iu hakërryer. Këtyre u kushton kapitullin”Pak fjalë për tre shijakas të mirë” ku me shumë dashuri Nikolla na jep portretet e Sulë Gallait, Xhemal Krujës dhe Cen Gurabardhit. Ai shprehet se Shijaku ka pasur shumë njerëz të mirë, por këta do të përmenden gjithmonë. Njëkohësisht ai ndalet gjatë te figura e papërsëritshme e Shijakut, piktori dhe intelektuali i shquar Agim Faja i cili sa me penel e sa me penë, nuk rrinte pa punuar asnjëherë, sikur të donte të zbatonte rigorizisht thënien e B. Franklinit se “Duhet të shfrytëzohet mirë koha, sepse jeta përbëhet nga koha.” Edhe tani që ky simboli i këtij qyteti u largua nga jeta, miku i tij Nikolla Sudar këmbëngul që atij t`i kushtohet një dhomë muze dhe vepra e tij voluminoze e mbajtur me skrupulozitet shkencëtari për historinë dhe përfaqësuesit e Shijakut, të botohen pa ngurrim me përkrahjen e pushtetit vendor. Vetë ai shpreh keqardhje të madhe për prishjen e muzeut të qytetit, kur njerëzve u kish ikur gjykimi, dhe që këta dy kolegë, me aq sakrifica e kishin ngritur. Libri përshkruan mbështetjen që populli i Shijakut dhe fshatrave rrotull tij dha për ardhjen e demokracisë. Ky popull i zgjuar e shihte varfërinë deri në mjerim, ashtu sikurse shihte edhe gënjeshtrat e propagandas komuniste dhe reagoi me vendosmëri. Se fundja, ishte ashtu sikurse vërente Didëroi se “Të vërtetën njeriu e do më fort atëherë kur çdo gjë është e rreme.” Dhe atë sistem padrejtësie dhe mashtrimesh, populli e shihte veç të tjerash edhe te fatet e atyre grave të huaja që lanë vendet e tyre dhe në emër të dashurisë së pastër, e ngritën jetën e tyre në Shqipëri, ku mund të ballafaqoheshin me njëmijëenjë mungesa, por që nuk e hapën gojën kurrë. E megjithatë familjet e tyre u shkatërruan, shumë syresh u burgosën me akuza krejt të paqena dhe fëmijët e tyre i ndoqi stigmata. Shkrimet rreth fatit të tyre tragjik, në penën e Nikollës, janë tregime të vërteta, me cilësi të lartë artistike. Ja se si i shkruan vajza tani e martuar dhe me fëmijë të atit: “I dashur dhe i paharruar baba! …Unë e kam të qartë se ç`dhimbje ke provuar dekada me radhë, por të jesh i bindur se asnjëherë nuk të ka harruar Zinoçka jote, të cilën e deshe aq shumë, por që fati e dënoi të rritej jetime me babanë gjallë. Pranë meje në këto çaste ndodhet mamaja ime, gruaja jote e shtrenjtë, lotët e së cilës për 30 vjet nuk reshtën së rrjedhuri, duke puthur fotografinë tënde.” Më tej në libër gjejmë reportazhe interesante apo dhe skicime njerëzish të njohur si arkeologu punëmadh Vangjel Toçi apo deputeti demokrat e trim nga Shijaku Petrit Llaftiu.Edhe shkrime kritike ka në faqet e këtij libri, si ai kushtuar F. Dostojevskit të pavdekshëm, kinemasë, përkthimeve. Dhe mbi të gjitha shkëlqen apologjia që ai i bën Nderit të Kombit, shkrimtarit gjenial Ismail Kadare për të cilin shrehet se “…askush deri më sot nuk ka arritur ta ngrejë aq lart lavdinë dhe dinjitetin e Shqipërisë në botë, siç ka bërë Ismail Kadare.” Si e lexova librin e Nikollë Sudarit “Copëza jete” vura re se fund e krye na përputheshin opinionet, simpatitë, qëndrimi kritik ndaj sistemit që lamë pas dhe besimi te demokracia. Dhe m`u kujtua Demokriti, filozofi grek dhe themeluesi i atomizmit që thosh se “Përputhja e mendimeve krijon miqësi.” Edhe pse me vonesë, isha i nderuar që kisha gjetur një mik të mirë si Nikolla Sudar.