
Dialogu i kërkuar prej javësh nga kryeministri Edi Rama me të rinjtë që protestojnë duket se ka marrë një drejtim konkret. Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka bërë të ditur se në mbledhjen e zgjeruar të Këshillit Kombëtar të Rinisë është zhvilluar një diskutim me disa prej përfaqësuesve që kanë ngritur zërin përmes protestave. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Gonxhja ka ndarë detaje nga takimi, duke theksuar rëndësinë e vijimit të komunikimit mes të rinjve dhe institucioneve. Sipas ministrit, diskutimi i cili zgjati rreth dy orë e gjysmë, u përqendrua te çështje që shqetësojnë të rinjtë, si protestat, meritokracia, punësimi dhe mundësitë për përfshirjen e tyre në vendimmarrje.
Postimi i plotë
Dy orë e gjysmë dialog i hapur, i sinqertë dhe pa dorashka me të rinjtë!
Një takim shumë i shëndetshëm, me pyetje të vështira, qëndrime kritike, por mbi të gjitha me të rinj të mirëartikuluar, të informuar dhe me mendim të pavarur, që shprehën hapur shqetësimet, pakënaqësitë dhe problematikat që, sipas tyre, ushqejnë mosbesimin ndaj institucioneve. Folëm për protestat, meritokracinë, punësimin, mundësitë për të rinjtë dhe përgjegjësitë tona për t’u dhënë përgjigje këtyre shqetësimeve.
Të dëgjosh nuk do të thotë të heqësh dorë nga bindjet, ashtu si të kundërshtosh nuk do të thotë të jesh kundërshtar. Dialogu kërkon përulësi për të dëgjuar, dinjitet për t’u përgjigjur dhe pjekuri për të reflektuar.
Takimi, në mbledhjen e zgjeruar të Këshillit Kombëtar të Rinisë, së bashku me Agjencinë Kombëtare të Rinisë, Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, me zërat konstruktivë të protestës, ishte një nisje e vyer e një dialogu që duhet të vijojë, me respekt të ndërsjellë, reflektim dhe përgjegjësi konkrete.
