Nishani:Reforma në drejtësi, jo të gjithë në sulm ndaj sistemit
Kështu u shpreh Presidenti i Republikës, njëkohësisht Kryetari i Lartë i Drejtësisë, Bujar Nishani gjatë konferencës mbi projektin e EURALIUS me temë “Konsolidimi i sistemit të drejtësisë në Shqipëri”. Duke shtuar se me keqardhje po konstaton që procesi është ende në ngërç dhe se takimet që pasuan atë të 6 tetorit nuk po godasin në shenjë. Nuk avancohet reforma në drejtësi duke përsëritur të njëjtat teza e qëndrime të përgjithshme, sippas tij, të gjithë në sulm ndaj sistemit. Nuk avancohet reforma me debate të personalizuara dhe pa alternativë, dhe as duke pretenduar pronësinë ekskluzive shqiptare të procesit pa demonstruar meritë e profesionalizëm objektiv. Nuk avancohet reforma pa një axhendë pune e prioritizim të çështjeve. Prandaj u drejtoi një thirrje publike të gjithë aktorëve vendas të nisin sa më parë e seriozisht punën për përcaktimin e prioriteteve; zbërthimin e tyre në masa konkrete e ligjore; si edhe bashkëpunimin e institucioneve përgjegjëse për drejtësinë. “Institucionet e drejtësisë duhet të rrinë vendnumëro, dhe të vazhdojnë statuskuonë në pritje të shkopit magjik. Mbështetja ndaj parimeve dhe vetëm parimeve dhe dhënia e drejtësisë dhe vetëm drejtësisë janë aksioma të pandryshueshme. Përtej ndryshimeve sistemike, institucionet gjyqësore, ajo trupë e shëndoshë gjyqësore që ende ekziston duhet të vazhdojë të qëndrojë e angazhuar me bindjen se shembulli i tyre do të mbizotërojë”, deklaroi mes të tjerash ai. Për të vënë në dukje edhe faktin tjetër se vetëm me takime ngushtësisht tematike e gjerësisht përfshirëse mund të arrihet një produkt cilësor në këtë proces jetik të reformës në drejtësi. “Aty ku ka vullnet gjendet një rrugëdalje, dhe tashmë që vullnetet janë shprehur verbalisht e publikisht, është koha, gjithaq e vonuar, t’i përvishemi punës dhe jo konferencave”, përfundoi ai.
Ndihma e BE-së
“Bashkimi Evropian e ka nisur herët ndihmën për Shqipërinë në fushën e gjyqësorit, e cila deri më sot e kalon shifrën e 150 milion eurove, që prej taksapaguesve evropianë u janë alokuar reformave për ndërtimin dhe funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Vetëm nëpërmjet misionit pararendës, Euralius III, u dedikuan jo pak por 2.3 milion euro, të shpërndara në 3 vite; pa përmendur këtu numrin e shumtë të ekspertëve evropianë të cilët i kanë dedikuar ndërtimit nga e para të sistemit gjyqësor shqiptar orë të panumërta pune dhe devotshmërie”, tha kreu i shtetit.