Një libër i hapur
Nga Fran Gjoka/Një kolonë e vogël nxënësish dhe në mes tyre mësuesi Vlash Prendi, që herë del në krye të kolonës, herë duke i mbajtur prej duarve të tyre të vogla rrugëtojnë, nga Skuraj drejt shkollës në fshatin Gallatë të rrethit të Kurbinit. Rruga është e gjatë dhe të jep dorë për biseda dhe afri mes tyre deri në intimitete të botës së adoleshencës, duke u shndërruar herë në mësuesin dhe herë në babanë e tyre. Ai ka 36 vite që “udhëton”, për edukimin e brezave nëpër shkollat e kësaj treve të mbushur më histori dhe ngjarje të mëdha gjatë shekujve. Ndoshta kjo është dhe një nga arsyet e përqafimit të këtij drejtim-studimi, prej Vlashit, që në rininë e tij të hershme. Ai është protagonist në fushën e studimeve shqiptare me një numër të konsiderueshëm veprash studimore në fusha të tilla; si atë të historisë, së folklorit dhe monografisë. Tund kokën kur ia përmend këtë fakt; -“Shpesh kam mësuar edhe nga kolegu e mikun tim, studiuesin Zef Pjetri”. Duket se kanë dhënë e marrë shumë nga njëri-tjetri, si mësues dhe studiues. Nuk është se janë të paktë studiuesit e kësaj treve, me kontribute studimore me vlera mbi të kaluarën, mbi rrugën e formimit të etnokulturës etj. Si një normalist i thukët, me skurpulozitetin e përdorimit të gjuhës shqipe, më pas dhe me plotësimin e dijeve në Universitetin e Shkodrës, prezantohet në vitet 1980 me artikuj të shumtë letrarë në shtypin e përditshëm. Baza e suksesit të studiuesit të apasionuar Vlash Prendi, duket se është njohja e thellë e historisë dhe jetës shqiptare, vlerat e veçanta etnokulturore të qytetërimit të rajonit, si dhe gjuha e pasur e përdorur në veprat e tij.
Si djalë i devotshëm , nga fshati Skuraj, ai do t’iu kushtohej studimeve në Normalen e Elbasanit në vitin e largët 1973. i frymëzuar nga gjuhëtarët dhe patriotët e mëdhenj elbasanas, do kridhej me dëshirë në krahët e historisë. i donte me zemër Kristoforidhin dhe mësuesit e hershëm të Normales, Gurakuqin, Pecin, Daklin, të ekspozuar në korridoret e Normales, por ku e ku Skënderbeu i tij, që do ishte kryezoti. Ndaj në revistën e atëhershme “Pionieri”, do shkruante rreth një legjende për Skënderbeun në trevën e Kurbinit. Ai shkrim për Kryezotin, do ishte fillimi i pandalshëm në fushën e studim-shkrimeve për Vlash Prendin.
Shpërngulja nga qyteti i kërthizës së Shqipërisë, Elbasani, drejt kryeqendrës së veriut kulturor, të hershme, do t’i sillnin mjaft “përfitime” në pozicionimin e një studiuesi tashmë të përkushtuar. Mbledh dhe arkivon mijëra skeda të fushave të ndryshme të studimit, si në atë të folklorit, të antropologjisë, onomastikës, të arsimit dhe të gjuhës. I pranishëm emri i tij në shtyp deri në ditët tonë që nga gazeta “Drita”, deri tek ”Shqiptarja.com”, “Telegram”, “55”, “Telegraf”, “Ballkan”, “Ora e Shqipërisë”, “Bulevard”, “Sot”, “Flaka e vllaznimit”,”Koha Jonë”, si dhe në revistat “Spekter”, “Kuvendi”, “Kuq e Zi”, “Miqësia” etj. Nxjerr librin e tij të parë, “Kurbini – tradita kulturore” cili u prit mjaft mirë nga lexuesit në viti 1997, përmes të cilit shpalos historinë dhe kulturën e një treve,bajraku i së cilës ka qenë shumë i njohur në malësinë e veriut.
Prof. Mark Tirta për këtë libër do të shkruante: “…Deri vonë kanë shkruar vetëm të tjerët për këtë oreolë kulturore. Tani po shkruajnë vetë kurbinasit për krahinën e tyre. Sot kurbinasit i gjen specialistë të zotë në fusha të ndryshme të dijes dhe të kulturës si arsimtarë, profesorë universiteti, inxhinierë, ekonomistë dhe studiues të zellshëm. Një ndër ta është edhe autori i këtij libri Vlash Prendi, i cili prej vitesh ka gërmuar në thesaret e kulturës popullore e në të sotmen e këtij vendi, i ka studiuar e përmbledhur në këtë botim. Ai ka shkruar me shumë pasion dhe dashuri për këta vlera të traditës, për t’ia dhënë atë lexuesit të qarta e të pastra,pa shtesa e zbukurime…”.
Në 2002 boton volumin e dytë të librit “Kurbini – tradita, kultura”, me lëndë autentike, shumica prej të cilave, dalin në dritë për herë të parë nga dora e tij.
Vlashi, tashmë autor i dhjete librave me studime dhe monografive, ka dhe një bibliotekë personale tejet të pasur. Mbi sa e sa fletë, libra e dokumente ka qëndruar me orë të tëra për të “vjelë” prej tyre të vërteta historike, karaktere njerëzore, data dhe ngjarje, histori të dhimbshme dhe njëkohësisht të praruar për subjektet që do të shkruante në të ardhmen. Dom Shtjefën Kurti është një nga të cekurit e penës së Vlashit. Këtë punë plotë pasion do të finalizonte në 2003-shin me monografinë “Kronikë e një jete në amshim – Don Shtjefën Kurti”. Don Kurti është një figurë tejet e rëndësishme e martirizuar nga sistemi komunist, por që dha një ndihmesë të madhe për përhapjen e krishterimit në trojet shqiptare. Ai është quajtur edhe heroi pa varr, sepse eshtrat e tij nuk janë zbuluar ende. Sipas dokumenteve trupi i tij është përdorur si kadevër për mësimet praktike të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë në vitet 1970. Përmes këtij materiali voluminoz, në dy vëllime autori Vlash Prendi paraqet me dokumente origjinale jetën dhe veprimtarinë atdhetare dhe kulturore të Don Kurtit, në fillim në Kosovë e më pas në trojet shqiptare. Është e rëndësishme të theksojmë se Don Shtjfën Kurti, është një nga hartuesit e Promemarrjes së 5 majit 1930 dërguar Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve të Kosovës nga genocidi i rëndë serb. Dokumenti është baza e vlerësimit të figurës së këtij mështari, si atdhetar, si luftëtar, i paepur kundër vendosjes së diktaturë komuniste në Shqipëri,si një moderator i aftë për organizimin e veprimtarive kulturore dhe artistike në shërbim të komunitetit fetar,si mbrojtës i të drejtave të njeriut,sidomos të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Të udhëtosh nëpër faqet e librave të Vlashit është njësoj si të kesh hapur një dritare të madhe të asaj bote të shkuar plor mund e sakrifica. Herë- herë të del para syve fshatari i varfër, por njerëzor, kleriku i anatemuar nga regjimi, që pasi i vunë drynin qelës dhe e kthyen në depo kooperative, punon arave të Gurrëzit malor për të nxjerrë bukën e gojës, por pa u ndarë asnjë çast nga besimtarët dhe fryma e Zotit. Frymë që njëkohësisht do t’ia lartësonin shpirtin e tij të papërkulur, por që do t’ia dërmonin fizikun përmes persekutimeve, arrestimeve, vuajtjeve të poashoq, deri sat ë vinte 30 korriku i vitit 1917 kur do të pushkatohej, me një grup të paepurish klerikë. Por duket se mësuesi Vlash Prendi, nuk ka se si të mos ndiqte edhe rrugëtimin drejt një vlere, sa të dukshme aq edhe të dobishme për t’u zbuluar, këngën e folklorit të trevës. Botën shpirtërore të paraardhësve. A nuk është këngë e simfoni e jetës, puna që ai bën në të përditshmen e tij si mësues!? A nuk janë nxënësit e tij një frymëzim dhe nxitje për të “lexuar” tek sytë e tyre, tek bota e tyre, të shkuarën e gjyshërve që vjen deri në ditë e sotme të librave të Vlash Prendit si këngë e simfoni burimore, prej së lashtës kohë? Në këtë lemë ai ka publikuar librin e tij të shtatë me titull “Gjurmëve të melosit popullor”. Libri është ndarë në pesë kapituj, ku janë dhënë me kompetencë të plotë studimore mendime e gjykime, janë bërë analiza tematike të këngëve të mbledhura ndër vite nga materialet e botuara, por edhe nga goja e popullit. Libri është konceptuar si manual në fushën e folklorit, i pajisur me shpjegime dhe shënime për secilin zë, përbën një material me vlera për dokumentimin e këtyre perlave të krijimtarisë popullore. Por vetëm pak kohë më vonë, ky krijues i palodhur nxjerr nga shtypi librin e tij të dymbëdhjetë “Shtegtime folklorike”, një manual i vërtetë me perla të trashëgimisë sonë kulturore, këngë dhe legjenda. Autor edhe i disa veprave të tjera studimore si:“Kullat e bardha”–monografi 2009,“Vjeshta e hidhur”– monografi 2010,“Vendlindja ime – Kurbini”– tekst për shkollat 9-vjeçare dhe ka në dorëshkrim edhe vepra të tjera të fushes se studimit dhe të krijimtarisë artistike. Mbetesh për pak kohë më këtë informacion të madh të librave të tij dhe si vetiu i rikthehesh sërish zanatit të tij të dashur mësuesit dhe rrugëtimit. A nuk është tërë jeta e këtij njeriu, mësuesit Vlash Prendi fjalëpakë, i dashur me fëmijët dhe tejet i palodhur, një libër i madh. Një libër vlerash të papërsëritshme. Një trashëgimi e vyer për kurbinasit dhe jo vetë, për sot dhe për të ardhmen.