Një mbledhje, dy qeveri

Një mbledhje, dy qeveri. Kjo formulë tashmë e aplikuar në fillim të këtij viti nga kabineti qeveritar i Shqipërisë me atë të Kosovës, pritet që shumë shpejt të vihet në zbatim edhe me palën maqedonase. Teksa mund të thuhet se ka mbetur ende në tentativë për t’u realizuar me palën turke, pas hedhjes së një ideje të ngjashme nga vetë kryediplomati turk, Ahmet Davutoglu një vit më parë gjatë një vizite të tij në Tiranë. Për t’u kthyer kësisoj, në një model praktik të ndërveprimit rajonal, gjithmonë në funksion të bashkëpunimit dhe përmirësimit të marrëdhënieve aspak të lehta që vendet e Ballkanit kanë patur mes tyre. Konkretisht, ideja e zhvillimit të një takimi të afërt të kabinetit qeveritar shqiptar me atë maqedonas, teksa  është lançuar publikisht nga vetë ministri maqedonas Mihail Cvetkov në Tiranë dy javë më parë, së fundmi është përmendur si një projekt edhe para eurodeputetëve në një seancë të posaçme të Parlamentit Evropian. Siç bëjnë me dije mediat fqinje, ka qenë pikërisht deputeti i BDI-së, Artan Grubi, i cili në kuadrin e një vizite pune në legjislativin evropian, i ka njohur anëtarët e tij me faktin se qeveria e Maqedonisë ka kërkuar zyrtarisht mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta qeveritare me Tiranën. Duke theksuar se në qendër të saj, do të jenë pikërisht marrëdhëniet mes dy vendeve tona, duke u fokusuar pikërisht në realizimin e projekteve të tilla si ndërtimi i Korridorit 8, lidhja hekurudhore e përbashkët, që sipas tij do të mundësonte edhe përdorimin më intensiv të portit të Durrësit, por në të njëjtën kohë edhe menaxhimin e integruar të kufirit apo bashkëpunimin ekonomik, energjetik, arsimor dhe kulturor. Ndërsa do të shtonte gjithashtu se Maqedonia mbetet e hapur edhe për mbledhje të përbashkët me Prishtinën zyrtare. Kujtojmë sakaq, se ministri i lartpërmendur maqdonas, Cvetkov, do të citonte pikërisht nga Tirana se teksa “qeveria e Maqedonisë praktikon mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta me vendet fqinje, e ka shumë gjasa që të mbahet edhe një e tillë me atë të Shqipërisë". Në fakt, Maqedonia rezulton ta ketë aplikuar formulën “Një mbledhje, dy qeveri” gjatë këtij viti edhe me dy vende të tjera të rëndësishme të rajonit tonë siç janë Serbia dhe Bullgaria. Duke referuar në këtë mënyrë një qasje të re të saj në marrëdhëniet rajonale, edhe pse këto takime kanë përçuar tek-tuk edhe trashëgiminë e konflikteve të vjetra që trashëgon rajoni ynë, të tilla si mospjesëmarrja e ministrave shqiptarë në takimin me qeverinë serbe. Por edhe vetë Bullgaria e Serbia kanë zhvilluar takime dypalëshe qeveritare mes tyre, duke treguar edhe ato mes tyre vazhdimësi në këtë qasje të re diplomatike, e cila është duke përfshirë së fundmi rajonin tonë. Me tendencën për të arritur edhe më larg tij, duke përfshirë vende si Turqia, siç ishte takimi ende i parealizuar mes kabinetit qeveritar shqiptar dhe atij turk. Takim ky i cili ishte projektuar që të mbahej pikërisht në pranverën e këtij viti, në kuadrin e një vizite të presidentit turk Erdogan, e cila u anulua dhe u shty për një afat ende të paditur në kohë. “Biseduam për hartimin e dokumentit të partneritetit strategjik dhe në të ardhmen do të hidhen hapa në këtë drejtim. Ky projekt është shumë i rëndësishëm për ne dhe parashikon dhe mbledhje të përbashkëta mes dy qeverive”, – do të deklaronte sakaq ministri i Jashtëm turk, Davutoglu vjeshtën e kaluar, pas takimeve me autoritetet e larta të qeverisë së re shqiptare, të sapokrijuar në atë kohë, Rama dhe Bushati. Turqia njihet gjithashtu si Maqedonia për aplikimin e formulës së lartpërmendur të mbledhjeve të përbashkëta qeveritare, teksa së fundmi ka programuar një të tillë edhe me Irakun. E mesa duket, edhe Shqipëria po ecën në këtë rrugë, për t’iu përafruar praktikave të tilla diplomatike në kuadrin e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal me vendet që e rrethojnë atë, apo me të cilat më shumë gjëra e bashkojnë, sesa e ndajnë, siç është rasti i Kosovës, me të cilën është në projektim e sipër një mbledhje e dytë me kabinetet qeveritare respektive. Njësoj si në 11 janar 2014, kur u zhvillua e para, ajo që u simbolizua edhe si “Lidhja e dytë e Prizrenit” …

 

 

RETROSPEKTIVË

 

11 janar 2014

 

Shqipëri-Kosovë, dy qeveritë

mblidhen bashkë në Prizren

 

Kryeministrat Edi Rama dhe Hashim Thaçi kanë zgjedhur pikërisht Prizrenin për të krijuar lidhjen e re mes dy qeverive të tyre, duke zhvilluar mbledhjen e parë qeveritare të përbashkët mes dy vendeve. “Ky takim shënon një kapitull të ri për Kosovën, Shqipërinë dhe rajonin. Është momenti që marrëdhëniet tona të avancohen, afirmohen dhe kultivohen. Duhet të ecim në një të ardhme të përbashkët”, – u shpreh atëherë Thaçi. Kurse Rama nga ana e tij, u kujdes të theksonte se kjo që po bënin ata të dy nuk synonte aspak heqjen e kufirit mes dy vendeve.

 

14 maj 2014

 

Anulohet mbledhja me Turqinë

 

Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ishte parashikuar të mbërrinte në këtë datë për vizitë një-ditore në vendin tonë, ku do të edhe mbahej mbledhja e parë e përbashkët e dy kabineteve qeveritare, pikërisht me qëllim intensifikimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Turqisë, me një fokus të veçantë ekonomik. Por mosmbërritja e tij e la pa kryer këtë projekt, i cili ende sot e kësaj dite nuk dihet se a do të realizohet dhe kur tamam në kohë.

 

5 janar 2014

 

Qeveria e Maqedonisë: Bisedime

me palën shqiptare për mbledhje

 

Zëdhënësi i qeverisë së Maqedonisë, Muhamet Hoxha ka pohuar se ka bisedime mes qeverive të dy vendeve për mbledhje të përbashkëta dhe se ato janë në kontakt pikërisht për të caktuar datën dhe temat e diskutimit të cilat do të kenë karakter rajonal dhe do të jenë në shërbim të qytetarëve. Mbledhjet e përbashkëta sipas tij, do të jenë në kuadrin e bashkëpunimit rajonal si parakusht për proceset e integrimit.

6 tetor 2013

 

Davutoglu konfirmon nga Tirana:

Mbledhje me qeverinë shqiptare

 

Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, gjatë një vizite dyditore në Shqipëri theksoi rëndësinë që Turqia i kushton bashkëpunimit me Shqipërinë, duke shtuar se në kuadër të këtij partneriteti do zhvillohen edhe mbledhje të përbashkëta mes qeverive të dy vendeve, të kryesuara nga dy kryeministrat, Rama dhe Erdogan. “Biseduam për hartimin e dokumentit të partneritetit strategjik dhe në të ardhmen do të hidhen hapa në këtë drejtim. Ky projekt është shumë i rëndësishëm për ne dhe parashikon dhe mbledhje të përbashkëta mes dy qeverive. Kjo tregon rëndësinë që i kushtojmë”, – deklaroi ministri diplomatik turk.

 

28 korrik 2013

 

Realizohet mbledhje e përbashkët

qeveritare Maqedoni-Bullgari

 

Në Qystendil të Bullgarisë u mbajt mbledhja e përbashkët e qeverisë së Maqedonisë dhe asaj bullgare. Kjo mbledhje me Bullgarinë vjen pas asaj të mbajtur disa muaj me parë në Beograd me qeverinë Serbe. Në këtë takim të përbashkët ministror, u diskutua për përparimin e bashkëpunimit dypalësh, çështjet me interes të përbashkët për të dyja vendet, proceset evrointegruese, si dhe çështje të tjera të interesit të ndërsjellë.

 

Qershor 2013

Realizohet mbledhje e përbashkët

qeveritare Serbi-Maqedoni

 

Mbahet në Beograd seanca e përbashkët e kabineteve qeveritare të Serbisë dhe Maqedonisë. Seanca kjo si pjesë e bashkëpunimit dhe nivelit të lartë të marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve. Por ministratshqiptarë të qeverisë së Maqedonisë nuk morën pjesë në këtë seancë. Ndërsa, kjo është konfirmuar edhe nga zëvendëskryeministri për evrointegrime i Maqedonisë, Fatmir Besimi, i cili theksoise nuk do të jetë pjesë e kësaj seance

 

 

 

SHKARKO APP