Një shkollë me program mësimor për ruajtjen e mjedisit

Një shkollë publike në Uruguai u mëson nxënësve si të prodhojnë ushqim organik. Shkolla ndodhet në periferi të kryeqytetit Montevideo. Nxënësve u mësohet si të jetojnë në harmoni me natyrën, përmes shfrytëzimit të objekteve të ricikluara dhe energjisë së pastër.

Në këtë shkollë publike në Amerikën Latine, e para e këtij lloji, u mësohet nxënësve të respektojnë mjedisin që i rrethon. Ata janë duke vaditur bimët që i mbollën vetë dhe më pas do të shijojnë produktet e tyre organike.

Kjo është pjesë e një projekti për bujqësinë. 43 nxënësit e shkollës kultivojnë domate, borzilok dhe luleshtrydhe, të cilat më pas do t’i hanë vetë.

Shkolla në distriktin Jaureguiberry, rreth 80 kilometra në lindje të kryeqytetit Montevideo të Uruguait, ofron mësime të veçanta; ajo sjell një revolucion të vogël në një vend që njihet si udhëheqës i objekteve të riciklueshme në mbarë Amerikën Latine.

Shkolla nxit vlerat e një zhvillimi të qëndrueshëm, përmes mbrojtjes së natyrës dhe jetesës në harmoni me mjedisin.

Mësuesit përfshijnë në programin e shkollës, mësime mbi rëndësinë e riciklimit dhe konservimit të ujit. Kjo formë e re e mësimdhënies pëlqehet nga shumë fëmijë.

“Në shkollën tjetër nuk ja kalonin mirë, atje ne nuk mbillnim bimë. Unë mërzitesha atje, shokët nuk më trajtonin mirë… Kurse këtu, shkoj mirë me shokët, mbjellim dhe bëjmë plot gjëra së bashku …”- thotë Felipe Sanchez.

Kjo shkollë e ndryshme nga të tjerat, u projektua nga arkitekti amerikan Michael Reynolds. Ai ka ndërtuar struktura të ngjashme në mbarë botën, që nga Shtetet e Bashkuara e deri në Sierra Leone dhe Argjentinë.

Kjo formë e arkitekturës së gjelbër synon të krijojë komunitete të pavarura, që përdorin energjinë natyrore dhe ushqehen me produkte organike.

Shkolla u hap në mars të vitit të kaluar dhe 500 banorët e Jaureguiberry-it janë shumë të lumtur për këtë.

Alejandro Sanchez, specialist për kompjuterë, thotë se djali i tij ndjehet i lumtur në shkollën e re.

Ai thotë se uruguaianëve, sikurse edhe popujve të tjerë në mbarë botën, u nevojitet një shkollim, që t’u mësojë nxënësve të jenë më të ndërgjegjshëm për mjedisin ku jetojnë dhe ta mbrojnë atë.

“Ky tip shkolle duhet përhapur në të gjithë Uruguain dhe në mbarë botën”- thotë Alejandro Sanchez , babai i Felipes.

Si pjesë e projektit, disa nga fëmijët ndihmuan në ndërtimin e shkollës.

Fqinjë me shkollën dhe vullnetarë grumbulluan 2 mijë goma të përdorura makinash, 5 mijë shishe prej xhami, 2 mijë metra karton dhe 8 mijë kanoçe alumini për ndërtimin e këtij projekti ekologjik. Rreth 60 për qind e shkollës është ndërtuar me materiale të ricikluara.

Shkolla me një sipërfaqe prej 270 metrash katrore nuk është e lidhur me linjën kombëtare të energjisë elektrike dhe as me rrjetin e ujësjellësit për ujin e pijshëm. Për furnizimin me ujë përdoret një sistem i filtrimit të ujit të shiut dhe fëmijët i pastrojnë filtrat vetë. Në këtë mënyrë, shkolla krijon një kod të gjelbër, që ndiqet nga të gjithë nxënësit.

Edhe në klasë, sistemi i të mësuarit synon të nxisë pjesëmarrjen e nxënësve në komunitet dhe autonominë e tyre, thotë mësuesja Rita Montans. Nxënësit nga klasa të ndryshme, mësojnë së bashku dhe ndihmojnë njëri tjetrin.

“Duke qenë se në qendër të programit mësimor janë parimet e një zhvillimi të qëndrueshëm dhe mbrojtja e mjedisit, kjo krijon një ambient, ku bëhen më e thjeshta marrëdhëniet mes nxënësve. Ekziston një integrim dhe bashkëveprim i natyrshëm mes nxënësve të moshave dhe niveleve të ndryshme, gjatë të cilit përfitojnë të gjithë,” – thotë mësuesja.

Shkolla ka vetëm tre mësues, ku përfshihet edhe drejtoresha Luisa Alvarez:

“Shpresoj që kur të mbarojnë shkollën, fëmijët të marrin me vete idetë që ne mbollëm këtu së bashku me bimët; idenë e rëndësishme të ruajtjes së mjedisit dhe jetesës në harmoni me të, shpresoj se ata do t’ia komunikojnë këto ide edhe familjeve të tyre.”

Shkolla u ngrit me ndihmën e organizatës së shoqërisë civile uruguaiane, Tagma. Me të bashkëpunuan edhe kompani private dhe ndërtimi i shkollës kushtoi 315 mijë dollarë.

Pak nga pak, nxënësit mësojnë në këtë shkollë si të ndryshojnë stilin e jetesës, për të realizuar një ndryshim pozitiv të planetit tonë. Udhëtimi për shpëtuar planetin, këtu fillon me ardhjen në shkollë me biçikletë…

/VOA

SHKARKO APP