Një tabu e re?
Nga Gëzim Hoxha/Nëse do të duhet të bëjmë pak histori do të duhet të thoshim se Ilirët kanë qenë paganë dhe nuk kanë pasur asnjë fe. Ata besonin e nuk besonin dhe edhe pasardhësit e tyre arbërit e më vonë shqipëtarët, asnjëherë nuk e kanë marrë seriozisht punën e besimit. Këto gjëra dihen botërisht. Dihet gjithashtu që shqipëtarët janë populli më tolerant në botë për sa i përket bashkëjetesës fetare.
Ndoshta ajo që nuk dihet është diçka që nuk shkruhet në asnjë nga librat e historisë. Ata që merren me sekrete dhe me zbulimin e tyre thonë se fetë janë thjesht trille të një grushti njerëzish apo elitash. Nuk mund të hamendësohet se ç’i shtyu ata të krijonin fetë. Po historia tregon se kristianizmi u njoh si fe nga autoritetet shtetërore për herë të parë nga perandori romak Kostandini me prejardhje Ilire.
Shqipëtarët kanë qenë paganë dhe historikisht ata kanë besuar në gjëra të dukshme dhe të prekshme. Ilirët psh besonin tek dielli, tek toka, tek uji. Gojëdhënat tregojnë se tre nuset e vëllezërve iu bënin blata të ndryshme diellit, qiellit, tokës dhe shiut para ndërtimit të kalasë së Rozafës.
Edhe nën regjimin e kaluar shqiptarët nuk e patën problem ta mohonin zotin, ashtu si nuk e kanë patur asnjëherë problem edhe konvertimin nga katolik e ortodoks në mysliman nga turqit. Vetë Skënderbeu në varësi të interesave të momentit thuhet se e pat deklaruar veten edhe si ortodoks edhe si katolik po ashtu edhe si mysliman. Edhe pas viteve ’90 –të shqipëtarët u shfaqën si të etur për fe e besim por njëkohësisht ata konvertoheshin pa problem nga një fe në një fe tjetër.
Shqipëria ishte vendi ideal për zbarkimin e feve të reja dhe të vjetra. Fe të padëgjuara ndonjëherë u përqafuan pa asnjë problem prej nesh: kështu që me kalimin e kohës pamë të përqafoheshin disa sekte të reja si PROTESTANTIZMI, JUDAIZMI, BUDIZMI, DËSHMITARËT E JEHOVAIT, etj.
Asnjëherë nuk mund t’i imagjinoja shqipëtarët që të jenë fondamentalistë apo ekstremistë a ku ta di se çfarë. Po ja që e paskam pasur gabim. Ç’ka ndodhur me shqipëtarët vallë? Mos vallë tek ne po lind një tabu e re? Tabuja mbetet tabu e vjetër apo e re qoftë. Dëgjova që dëshmitarët e Jehovait nuk votonin kurrë. – Unë nuk kam votuar asnjëherë. – të thotë një grua e cila lëviz me ndihmën e një karrige elektrike me rrota. – Unë jam pjesë e dëshmitarëve të Jehovait dhe asnjëri prej nesh nuk voton. – e mbyll frazën ajo kur pyetet se a ka votuar dhe a ka hasur vështirësi gjatë procesit të votimit si person me aftësi të kufizuara që është. Tabu? Asnjë njeri nuk di ta thotë.
Mbase më shumë se një tabu mosvotimi ka të bëjë me zhgënjimin nga politika. Po le të kalojmë në një tjetër tabu të shfaqur pas pluralizmit politik dhe fetar njëherësh. A është tabu të shikosh një femër pa shami?, ose a duhet që një femër ta fshehë bukurinë e saj?. Kësaj pyetje nuk di se si t’i përgjigjesh. Nuk di si t’i përgjigjesh se si do që të jetë këtu mpleksen shumë gjëra morali, besimi, tradita, vendi apo krahina ku jeton.
Unë e kam fjalën vetëm për Shqipërinë se në ndonjë vend tjetër është praktikisht e paimagjinueshme të shikosh një femër pa shami. Në Iran psh disa modele që pozuan pa vel para një viti, u dënuan me disa vite burg vetëm për këtë fakt. Ndoshta atyre ia deshi edhe puna që të pozonin pa vel a pa shami. Po le të mbetemi në Shqipëri. A ka kuptim që të shikosh një grua të mbuluar kokë e këmbë me të zeza?, ose a është tabu tek ne që një grua e besimit islam ta shikosh pa shami, të paktën pa shami? Dhe më tej a është tabu që një grua të mos vishet kokë e këmbë me të zeza? Kjo gjë është zgjedhje personale dhe duhet respektuar se lidhet me besimin fetar. Kemi parë murgesha që mbajnë shami ashtu si edhe femra të besimit islam që mbulojnë flokët me shami.
Mbase deri këtu nuk ka asgjë për tu shqetësuar, ç’të thuash?, çështje besimi!. Ndoshta ato vishen në këtë mënyrë për të manifestuar përkatësinë e tyre fetare. Ku ta dish! Po gjërat siç e thamë edhe më lart kanë evoluar. Dikush (duhet të jetë femër) kishte postuar një foto që më la pa fjalë. Ca femra që nxinin kokë e këmbë dhe që nuk u dukej asgjë e jo më floku. Madje edhe emrat i kishin shkruar në copa letrash sikur të ishin shurdhmemce. Dhe më shumë se tabu, shikimi i tipareve të një femre të mbuluar apo edhe një shtrëngim duarsh me to është sakrilegj. Deri këtu të ketë shkuar puna?
Dhe vërtetë a është tabu bukuria e një femre. Që në zanafillën e tyre njerëzit nuk fshihnin asgjë prej lakuriqësisë së tyre, më pas Eva dhe Adami të vetmen veshje që njohën qe thjesht një gjethe fiku. Kush i veshi njerëzit?, Kush e mbuloi lakuriqësinë e tyre?. Nëse do të vazhdonim me pyetje do thoshim: Kush i veshi disa njerëz më mirë e disa më keq?, Kush e shpiku modën?, Kush i veshi ca gjysëm të veshur dhe ca gjysëm të zhveshur?, e deri tek pyetja që lidhet me këtë tabu të ri: Kush e shpiku ferexhenë dhe perçen?. Kush e solli dhe kush e risolli atë tek ne në Shqipëri? Kush e mbuloi gruan dhe kush e zbuloi burrin?
Autorja e këtij postimi (me emër profili në face book Teuta ilire) shfryn me nëma të ndryshme për ata që na i sollën, njëherësh edhe për ata që i promovojnë të tilla veshje. Ajo shkruan: “Mallkuar, kush e solli këtë kulturë të dreqit beduine në trojet tona, mallkuar kush e promovon dhe mallkuar kush e bart..Jemi Shqiptarë për vullnet të zotit dhe as ai nuk mund të na dojë, kur ne përbuzim veten tonë!”.
Dhe nuk ka faj, kjo gjë është e huaj për ne. Një foto po kaq të çuditshme kam parë edhe disa vite më pare, ku disa femra të mbuluara kokë e këmbë hynin në det për tu larë. Në fund të fundit askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për tu larë në det i veshur apo i zhveshur qoftë, i mbuluar apo i zbuluar qoftë. Atherë qesha, sot më vjen për të qarë për to dhe jo vetëm për to por ndoshta edhe për veten.
A i ka hije një shqipëtareje të mbulohet në këtë farë feje? Ç’do të mendonte për to psh, Shote Galica që dha jetën për liri dhe shqiptari? Po Tefta Tashko Koço që la skenat botërore dhe u kthye në Shqipëri për t’iu dhënë më shumë kulturë shqipëtarëve? Ҫ’do të thoshte mbreti Zog dhe diktatori Enver Hoxha që e ndaluan me ligj jo vetëm perçen dhe ferexhenë por edhe besimin në përgjithësi?