Opozita, kundër shifrave pozitive për punësimin
Partia Demokratike hodhi dje poshtë pretendimet e qeverisë për rritjen e numrit të të punësuarve në Shqipëri, pasi sipas saj, shifrat tregojnë të kundërtën. Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi konkretisht se “dhjetëra mijë qytetarë humbasin vendet e punës dhe përzihen nga policia prej zyrave të punës”. Dhe se mbi 300 mijë familje janë sipas tij të pashpresa në kërkim të një të punësuari; më pak se 1 në çdo 3 të rinj të moshës 15-29 vjeç aktivë në tregun e punës është i punësuar; vetëm 1 në çdo dy femra kanë mundur të gjejnë një punë qoftë dhe të përkohshme”. “Ditë më parë Kryeministri Rama tha një gënjeshtër të madhe, të cilën edhe oborri qeveritar e përqeshi, se, në tremujorin e tretë të këtij viti, ishin punësuar 81 mijë të papunë. Dje nxori tellallin e vet, INSTAT, për ta përgenjështruar kryeministrin, me një gënjeshtër të re: në tremujorin e tretë nuk janë punësuar 81 mijë, por 36 mijë vetë. Kurse sot në Parlament, bëri avokatinë e kësaj gënjeshtre të re të INSTAT. Realiteti, të cilit qeveria i largohet çdo ditë e më shumë, flet për të kundërtën. Dhjetëra mijëra qytetarë që humbasin çdo ditë vendet e punës për shkak të ndrydhjes së ekonomisë, shkojnë në zyrat e punësimit dhe përzihen prej andej me policë. Papunësia dhe mjerimi kanë arritur në nivelet më të larta të 20 viteve të fundit dhe qytetarët e demonstrojnë këtë çdo ditë publikisht”, – deklaroi Bode. Duke shtuar se “absurditeti i deklarimeve për rritje punësimi nga ana e qeverisë dhe INSTAT qëndron në faktin se ky punësim shtesë paska ndodhur kryesisht në degët e industrisë me një rritje prej 7.8% dhe në ndërtim me 6.2%, pikërisht degët që një muaj më parë u raportuan me rënien më të thellë ekonomike respektivisht me 8 dhe 22%, dhe për më tepër kur ndërtimi mbetet tërësisht i bllokuar sipas akteve të nxjerra nga qeveria”. Teksa hapja e vendeve të reja të punës sipas Bodes ka nevojë për investime shtesë, ka nevojë për fonde e reforma të thella në ekonomi.
300
Mijë familje janë sipas PD-së të pashpresa në kërkim të një të punësuari dhe më pak se 1 në çdo 3 të rinj të moshës 15-29 vjeç aktivë në tregun e punës është i punësuar