Pakti i Ilir Metës
Mbas kaq kohësh u ktheva për një raund debati dhe analizë politike tek emisioni i kolegut Sokol Balla. Emision luksoz, televizion luksoz, studio luksoze, fotografi luksoze, profesionalizëm. U munduam bashkë me Nanon, Minxhozin dhe Vasjarin të bënim një analizë të vitit politik 2014, i cili po mbyllet, ashtu si po mbyllet. Me majat dhe me gropat e veta. Mbasi u morëm disi gjatë me Opozitën dhe Bashën, u ulëm këmbëkryq te Rama dhe te dilemat e qeverisë që ai tashmë drejton prej pothuajse 16 muajsh. Më bëri përshtypje se si, gjatë atyre 90 minutave, “harruam” Ilir Metën dhe rolin e tij, aspak të padukshëm, paçka se të pazhurmshëm. Është ky faji i Ilirit? Një të premte më parë, në studion e virtuozit Çani, Meta ishte i ftuar dhe Çani enkas dhe me stilin dhe të drejtën e tij e kish titulluar intervistën me Kryetarin e Kuvendit: “Nga ke humbur?”. Ndonëse Meta la gjurmën e vet edhe në këtë intervistë. Ndonëse Çani është Çani dhe gërmon tunele. Dhe provokon në mënyrë kinse patologjike, duke krijuar realitete edhe ku nuk ka realitete, duke shkrehur kurthe edhe ku kurthe nuk duket se ka, ose nëse ka, janë krejt të padukshme, përsëri pra, ndjehet në eter diçka, me të cilën ia vlen të merresh. Roli që duket se ka vendosur të marrë Meta, në qëndrimin një hap larg vatrës së polemikës që ngre tonet. Me sa duket pra Meta, në këto 16 muaj pushtet të Koalicionit të Majtë, ka marrë një vendim. Një vendim që askush nuk e di dhe nuk mundet ta artikulojë me saktësi, por efektet ndjehen. Edhe përtej një perdeje qetësie dhe padepërtueshmërie. Ai, Meta pra, me sa duket ka vendosur që t’i japë Kryeministrit mbështetje, duke u kujdesur që ta lërë sa më të lirë dhe sa më të bujshëm partnerin e tij politik. Mbështetja e parë ka të bëjë me mbylljen e sindromës konspirative, “me qetësi” dhe duke mbyllur çdo shteg dyshimi për krisje, fërkime apo çarje. Nga ana tjetër, një mbyllje të butë dere, të atyre që, nga të përbrendshmet e Partisë Socialiste, kanë mbetur të pakënaqur nga shpërndarja e influencave dhe pushteteve nga ana e Ramës. Dhe këta të pakënaqur, me sa dihet nga burimet e gazetarëve, nuk janë as të paktë dhe as të çfarëdoshëm. Mirëpo duket se Meta ka nënshtruar çdo tundim për të krijuar me ta “diçka tjetër”, “diçka tjetër politike”, përpos të të dëgjuarit. Mbështetja e dytë ka të bëjë tolerimin e protagonizmit, duke i dhënë një favor të skajshëm Kryeministrit. Rama gjithmonë e më shumë, edhe për shkak të shumë “fronteve përplasjesh”, merr hapësira kolosale mediatike, duke artikuluar dhe duke bluar në mullirin e seancave të gjata televizive, jo gjithmonë të domosdoshme, arsyet, strategjinë, domosdoshmërinë, ligjshmërinë, vendosmërinë, dhe hera-herës edhe pagabueshmërinë e strategjisë kryeministrore. Sigurisht kjo lloj fryme reformatore, sa strategjike aq edhe retorike, ka padyshim nevojë specifike për një komunikim specifik me publikun. Por kjo nuk përligj për shembull, mbledhjen në një grusht të vetëm dhe në një dorë të vetme kryeministrore, pothuajse të gjithë volumin komunikativ të qeverisë dhe mazhorancës. Meta, nuk duket se ka pasion të konkurrojë apo të garojë në këtë fushë. Dhe, pavarësisht presioneve apo provokimeve që vijnë nga të gjitha anët, vijon në heshtje dhe pa bujë, të mbajë të shtrënguar rripat e koalicionit dhe numrat e domosdoshëm parlamentarë. Duke i dhënë kësisoj hov dhe siguri Kryeministrit. Mbështetja e tretë ka lidhje me përballimin që duket se Meta bën ndaj tendencave gërryese që vijnë nga segmente të caktuara politike dhe mediatike. Të cilat përpunojnë jo pa hile, tezën se LSI, përfaqësuesit e saj në qeveri dhe në drejtim, janë nën nivelin e atyre të PS, si në standarde ashtu si edhe në integritetin e tyre moral. Kjo ishte një metodë e sprovuar dhe më parë. Edhe në qeverinë ‘Berisha 2’. Për të shkarkuar mossukseset apo incidentet, dhe tensionet që burojnë si rrjedhojë, tek aleati më i vogël, që perceptohet edhe më i brishtë. Deri tani, si edhe u pa edhe te Çani në bashkëbisedimin e tij me Metën, që e “krruajti” këtë pikë me disa thika dhe turjela të mprehura si vetëm ai di t’i mprehë, Meta, duke mos dhënë as një shenjë lëkundjeje, dëshmoi se ka qëndrueshmëri në paktin e tij politik me Edi Ramën. Në këtë pikë, Meta është padyshim edhe nën presionin e të vetëve, të cilët duket se e vuajnë këtë hipotezë “persekutore”, ose në rastin më të mirë, që ndjehen të mbetur në hije nga “zulma e aksioneve të mëdha”. Presion të cilin, duket se ai ka vendosur ta përballojë në favor të qëndrueshmërisë së qeverisë. Duke dyshuar gjithmonë dhe në mënyrë legjitime tek aparencat, te të gjitha llojet e aparencave, përfshirë edhe te kjo e Metës, pyetja shtrohet: Çfarë fsheh Ilir Meta?
Ai lë të kuptohet se ka një Pakt, pra një marrëveshje, ndaj së cilës rrëfen vendosmëri të skajshme për ta respektuar. Dhe me sa duket nuk ka gjasa, nëse ka të fshehta të vërteta në këtë mes, që dikush të zhbirilojë se cilat janë ato. Por njëkohësisht është e ditur se, edhe marrëveshjet më të hekurta kanë pikën e tyre të dobët që i thyen ato si një gotë qelqi. Deri më tash të dy, Rama dhe Meta, nuk kanë thyer poçe e qelqe në publik, porse përtej “padepërtueshmërisë” e cila shfaqet kaq perfekte dhe pikërisht sepse është kaq perfekte në formë, lë pas një hije dyshimi. Sepse Meta, edhe prej betoni qoftë, nuk mundet ta tolerojë në paqe këtë disnivel protagonizmi, saqë analistët ta “harrojnë” dhe Çani të “bërtasë”: “Po ku humbe o Ilir?!”
Artur Zheji (Mapo)