Parku “Dua të luaj” drejt përfundimit, kryebashkikau Llatja: Hapësirë e re për qytetarët
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me zëvendëskryeministren Albana Koçiu, inspektuan punimet në parkun e ri multifunksional “ Dua të luaj” që po ndërtohet në zonën e ish-repartit ushtarak në lagjen “Çlirimi”, një projekt i financuar nga Qeveria Shqiptare dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që po transformon një hapësirë të degraduar në një park modern sportiv dhe rekreativ për qytetin.
Parku ka një sipërfaqe totale prej 22,300 m², nga të cilat 4,165 m² janë gjelbërim, dhe përfaqëson një nga investimet më të mëdha publike në infrastrukturën rekreative të Elbasanit, me vlerë rreth 200 milionë lekë.
Gjatë vizitës në terren, Llatja u shpreh se “kjo është një hapësirë që po i kthehet qytetarëve pas shumë vitesh mungesë të një parku të madh për fëmijët dhe familjet në Elbasan. Projekti përfshin kënde lojërash për fëmijë, hapësira rekreative për të moshuarit, fusha sportive, pistë vrapimi dhe biçikletash, si dhe zona të gjelbra që e kthejnë këtë kompleks në një park multifunksional”.
“Kemi qendra për të moshuarit ku ata mund të kalojnë kohën e lirë dhe të merren me aktivitete fizike e sociale, duke krijuar kushte dinjitoze për këtë kategori të rëndësishme të komunitetit. Janë parashikuar edhe kënde force për moshat e treta, këndi i ping-pongut, zona e lojërave për fëmijë, si dhe hapësira për rekreacion pasiv pranë hyrjes së kompleksit, të gjitha të menduara për të gjitha grupmoshat.
Zona sportive përfshin fusha futbolli, basketbolli, tenisi, volejbolli, padeli, pistë vrapi dhe biçikletash, duke e kthyer këtë investim në një nga hapësirat më të rëndësishme publike të qytetit”, shtoi Llatja.
Nga ana e saj, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu u shpreh se “ky projekt përfaqëson një transformim të rëndësishëm të një zone të degraduar prej vitesh, duke e kthyer atë në një hapësirë sociale dhe komunitare për të gjitha moshat”.
KOHA JONË SONDAZH

