Partisë Demokratike i duhet analiza, bashkimi dhe reformimi më tepër se Kryetari
Nga Sokol Hysenaj/Partia Demokratike u krijuan në nxitim e sipër, në një kohë kur rrokullisja e Partisë së Punës ishte e paevitueshme dhe Ramiz Alia nuk kishte këllëqe ta ndalte, por mund të luante rolin si moderator për të amortizuar përplasjet ne ndërrimin e sistemit dhe pushtetit që po vinte me shpejtësi në Shqipëri. Ruajtja e ekuilibrave në ato momente dhe inkurajimi për lindjen e pluralizmit janë realitete, ku ai ndikoi me qëndrimet e veprimet e tij.
Më tepër sesa “heroizmat” e pardesyve të bardha ishte vetë koha, ishin ato momente të papërsëritshme, ku vendet ish-komuniste te Evropës po e braktisnin ose e kishin braktisur socializmin e komunizmin dhe po krijonin lidhje me vendet e demokracive perëndimore.Partia e Punës kishte dy mundësi; të vetëshpërbëhej ose të bënte reformimin e saj të plotë. Ndodhi kjo e dyta.
Që në formimin e saj Partia Demokratike nga ngutja, padija, mospasja e njohurive dhe ekperiencave të mjaftueshme u infektua dhe u sëmur që me krijimin e saj nga një frymë dhe ideologji që e pengoi në gjithë rrugën e saj dhe nuk i la frymëmarrje të brendshme demokratike dhe dalëngadalë ajo mori tiparet e një partie të fortish, pa demokraci të brendshme, ku të gjitha fuqitë e saj u përqëndruan tek njëshi që kishte në krye, ndërsa gjithë të tjerët duheshin t`i bindeshin me përultësi dhe servilizëm, ndryshe kushdo që ëndërronte të bënte një karrierë politike a shtetërore, por edhe që të pasurohej, nuk do të gjente shteg tjetër për të ecur në këtë rrugë.
Partia Demokratike nuk mori nga përvoja e simotrave të saj perëndimore, por duke patur edhe mbështetjen e faktorit të jashtëm, si një forcë politike që përmbysi komuniznin në Shqipëri, kur ai më tepër u vetëpërmbys nga kushtet politike dhe ekonomike të jashtme e të brendshme, që ishin krijuar në ato moment. Revanshi dhe megalomania nuk e lejuan të bëhej forcë politike me tipare të plota demokratike për të çuar në fund Frymën Dhjetoriste, por ishte dhe mbeti një krijesë me mëndësi të vjetra më tepër orientale feudaliste, anadollake me lëvizje të pamenduara, yxhymiste në dëm të ekonomisë së vënë me djersën e popullit, përçarse, haxhiqamiliste, duke vënë njërën krahinë kundër tjetrës, duke siell pasoja tepër të rënda në momente të caktuara me pasoja dhe jetë njerëzish. Këto qëndrime dhe veprime nuk kanë qënë dhe nuk ngjisnin me kohën, me traditat dhe me kulturën që kishte dhe ka populli ynë. Ky grupim politikë edhe sot vazhdon të eci i turbulltë pa vizion dhe koncept të qartë politikë, por vetëm me delirin e madhështisë, si forca “heroike” që mundi komunizmin. Me një përbërje tepër amorfe, por dhe me kokëfortësinë dhe fudullëkun për të mos u vetëkorrigjuar, duke mos njohur kurrë gabimet e saj, pa një analizë për punën, arritjet dhe dështimet, pa alternative dhe mendime të kundërta brenda saj.
Shumë figura të Partisë Demokratike u larguan vetë, ose u flakën nga më të mëdhenjtë sepse janë rebeluar, apo kanë patur mendime të ndryshme, duke mos u përshtatur dot mospërfilljes nga lartë. Kurse idealistët që panë se kishte humbur ideali dhe fryma dhjetoriste e studentëve, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa, u larguan të zhgënjyer. Pra mund të themi se deformimin kjo forcë politike e ka patur që në rrënjë, që në formimin e saj. Në këtë bashkësi nuk mund të bashkëjetonin gjatë intelektualët idealist, studentët me entuziazmin dhe sytë nga Evropa, me karrieristët, ish të dënuarët, ish –sigurimsa të cilët krijuan klane dhe rryma të ndryshme.
Asaj i janë dhënë disa mundësi e momente të volitshme për t`u reformuar si në vitet 96-97, 2013 , 2015, dhe tani në 2017, por nuk ka arritur dot për shkak të sundimit me dorë të hekurtë të ish-kryetarit të saj, ndikim që ende është i pranishëm nëpërmjet pasuesit të tij.
Është një traditë shumë negative që partitë politike shqipëtare, trajtohen nga kryetarët e tyre, si pronë familjare dhe shikohen si mburojë a mjet për t`u siguruar e garantuar përfitime e interesa pasurore për vete dhe klanin e afërtë të tyre, sesa për popullin dhe vendin. PD-ja jo vetëm nuk i ka shpëtuar kësaj sëmundje, por mund të themi se ka infektuar dhe të tjerat.
Partia Demokratike si parti e parë politike opozitare, në rrugën demokratike ku po futej vendi, në forma të sforcuara e me shkatërrime, mbartte mbi vete shpresat për një jetë më të mirë, për një Shqipëri si gjithë Evropa, mbarte shpresat e rinisë studentore për mirëqënie dhe standarte më të larta jetese, për të sotmen dhe për brezat që do të vinin. Këto ashtu si ishin mbetën, ëndrra dhe dëshira, një “mollë e ndalueme” për shqiptarët. Ata të varfër ishin dhe ashtu mbetën tërë këto vite shpresëvrarë dhe të munduar, të stërlodhur dhe të zhgënjyer me sytë nga Evropa, që ende i ka lënë në pritje 27 vjet, duke trokitur në derën e saj, që ende s`po hapet.
Partia Demokratike ka përgjegjësi për vrasjen e kësaj shprese, në shkatërrimin e gjithçkaje që ishte ndërtuar me djersën e një populli të vuojtur, në mos ndërtimin e një shteti demokratikë dhe të qëndrueshëm. Ka përgjegjësi për varfërinë dhe largimin e shqiptarëve, por edhe për jetë njerëzish, por për fat të keq, ajo në tërë këto vite s`ka bërë dhe s`ka në mend të bëjë një analizë të thellë, të tërë punës së saj dhe të mbajë qëndrimet e duhura, të përcaktojë përgjegjësitë për të gjitha humbjet dhe gabimet, t`i kërkojë falje popullit të saj dhe njëkohësisht të përcaktojë qartazi rrugët dhe programet e saj ku duhet të eci. Me euforizëm dhe mendjemadhësi pa demokraci të brendshme, me servizma e yxhymllëk nuk mund të ecet më asnjë hap, hapi i mëtejshëm është veçse gremina.
Shkaku kryesor i humbjes elektorale për herë të tretë i Partisë Demokratike ka ardhur nga humbja e besimit të shqiptarëve, duke mos arritur të bënte realitet asnjë premtim për ta gjatë tërë këtyre viteve. E tërë hierarkia e kësaj partie, në pushtet apo në opozitë, nuk është vënë kurrë në shërbim të popullit, por në shërbim të nepotizmit, familjaritetit, militetantizmit dhe korrupsionit, duke injoruar dhe poshtëruar njerëzit e thjeshtë, të cilët një ditë kanë forcën e madhe të votës.
Pas përfundimit të zgjedhjeve të 25 qershorit, ku Partia Demokratike u ndëshkua më rëndë se dy hetët e mëparshme, vëmendja me të drejtë është përqëndruar tek zhvillimet e brendshme të saj dhe tek përpjekjet e gjithë drejtuesve të saj të përçarë për të zhvlerësuar proçesin zgjedhor dhe rezultatet e tij, gjoja u “vodhën votat” nga fituesit e zgjedhjeve. Këto pretendime të dëshpëruarish, me moral të kalbur e të papërgjegjshëm janë në kundështim me të vërtetën, me opinionin e përgjithshëm të brendshëm dhe me atë të faktorit ndërkombëtar, që monitoroi dhe çertifikoi këtë proces zgjedhor.
Opozitës iu dha mundësia që të drejtonte institucionet kryesore qeveritare që kishin lidhje me zgjedhjet duke përfshirë edhe KQZ-në. E të thuash mu vodhën votat nga paratë e drogës e broçkullitje të tjera si këto as i beson dhe as ia ndjen njeriu, veç kësaj kjo tregon se nuk kanë respekt as për veten dhe as për të vërtetën. Asnjë drejtues apo individ politikë i kësaj partie nuk ka patur deri më sot guximin, moralin dhe lartësinë intelektuale të analizojë me objektivitet dhe të pohojë realisht shkaqet e humbjeve të një pas njëshme të PD-së.
Populli nuk ndëshkoi thjeshtë Partinë Demokratike për plogështi, mangësi apo gabime, por ndëshkoi një moral sjelljeje politike e shoqërore dhe një frymë ideologjike të mbrapshtë, jashtë kohe, të pa pranueshëm për shqiptarët. Kjo ideologji sunduese në PD e frymëzuar nga ish-drejtuesi i saj, apo vazhdimi i mëtejshëm nga pasuesi i sotëm, ndoshta dhe i nesërmën, ka humbur dhe do të humbasi gjithmonë, sepse nuk është në moralin dhe frymën demokratike që kërkon koha e sotme, dhe së dyti i mungon forca dhe aftësia e brendshme për t`u vetëkorrigjuar e për të nxjerrë mësime nga dështimet.
Nëse vazhdohet me frymën ekzistuese, se Partia Demokratike është parti heroike ka sjellë lirinë e Shqipërisë dhe përvojat e arritjet e saj na qënkan madhështore, dhe nëse nuk analizon thellë tërë rrugën që ka përshkuar, nuk shtron shina të sigurta për të ecur e bashkuar, nëse vazhdon me megallomanira, me mos dëshira, me mungesë guximi për të analizuar dhe pranur gabimet e fajet në tërë këto vite, kjo do ta çojë në humbje të tjera, ndoshta edhe më të rënda.
Nëse një apo disa figura politike, qoftë dhe vetë kryetari i saj, janë provuar dhe s`kanë ç`të japin më që janë konsumuar nga dështimet, që nuk arrijnë të fitojnë besueshmërinë e shqiptarëve, atëherë më e pakta është të ndërgjegjsohen, të qetësohen e të mos mbajnë pengë forcen e tyre politike që drejtojnë, thjeshtë për interesa dhe sigurira të vetes, por t`u hapin rrugën të tjerëve që mund të kenë të tjera vizione e aftësi më të larta.
Partisë Demokratike i duhet urgjentisht analiza, reformimi dhe bashkimi, jo lojrat “bëjmë sikur bëjmë ca zgjedhjeve”, apo ngriva shkriva. Ka nevojë për frymë të re demokratike vizionare, që ta çojnë në fitore e jo për zhurma e luftë bërrylash, për mullinj kashte, apo republika hyjnore. Shqiptaët nuk i hanë më këto,as nuk duan të thonë nesër “na ishte njëherë një PD”, por duan të kenë një Parti Demokratike të mençur e vërtet demokratike për vete, popullin dhe vendin tonë.