Pas C20 dhe G20 në Gjermani
REPORTAZH
Nga Mimoza Dajçi Boletini
Pas përfundimit të Samitit C20 dhe G20 në Gjermani, ku rastësisht u takova aty me studenten shqiptare e cila ndiqte studimet për shkenca politike në Berlin Ornela Mulla, ftuar edhe ajo në Samitin e G20 në Hamburg, patëm mundësi të vizitonim qytetin përreth Hamburgut, muzeumet, institucione të rëndësishme kulturore e historike, si dhe “Beatles Plaza”, ku bën emër për herë të parë dhe u njohën si të famshëm këngëtarët e grupit “Beatles” dhe banda e tyre muzikore, Muzeun e Çokollatave, Portin më të madh Detar në botë që lidh Gjermaninë me të gjitha vendet e botës, ndërtesën e Elbphilharmonie, Simbolin e Der Koenig Der Loewen (The Lion King) ku shfaqen spektakle të rrymave të ndryshme muzikore dhe xhirohen jo vetëm filmat e njohur gjerman por edhe ato Hollivudian.
Pas Hamburgut udhëtuam drejt Berlinit. Atje vizituam Murin e Berlinit dhe Muzeun e Murit të Berlinit. Muri i Berlinit u ndërtua me 13 gusht 1961 dhe u shkatërrua më 9 nëntor 1989, por sot e kësaj dite shikoje të mbijetuara disa segmente të tij. Ishte një barrierë prej betoni gati 3 metra e lartë dhe përshkonte gjithë kryeqytetin gjerman duke e ndarë në lindje dhe perëndim. Mur që ndau më dysh Gjermaninë duke parandaluar kalimin e emigrantëve nga blloku lindor në perëndim.
Në të bënin pjesë dhjetra kulla vëzhgimi dhe dyer kalimi, përfshi edhe “Pikëkalimin Çarli”, që konsiderohej si linja e hekurt midis dy botëve të kundërta përgjatë gjithë kohës së luftës së ftohtë. Qëndroi nën kontroll të rreptë për 28 vjet duke ndarë Berlinin lindor me Berlinin perëndimor, post-blloku lindor rrethohej me tela me gjemba dhe mitrolozë, ndërsa post-blloku perëndimor që ishte nën kujdesin e forcave paqeruajtëse vrojtohej vetëm me flamujt e lirisë që valëviteshin paqësisht. Shkatërrimi i tij shënoi edhe fillimin e krisjes së komunizmit në Evropë.
Gjithashtu në Berlin vizituam Topografinë e Terroreve, Muzeun Historik të Berlinit, Muzeun “Anne Frank”, Parlamentin Gjerman, ose Deutscher Bundestag siç e quajnë gjermanët, Muzeun e makinave super të shtrenjta dhe të shpejta “Trabi” që përdoreshin nga sigurimi shtetit ndërtuar me aparatuara spiunazhi. Memorialin e Holokaustit, muzeumet e krimeve të stasit dhe spiunëve. Muzeu i stasit dhe Muzeu i spiunëve, ishin ndërtesa me disa kate, ngritur në qendër të Berlinit dhe mund të vizitoheshin nga çdo qytetar apo vizitor i rastit.
Duke lidhur ngjarjet atje, me vendin tonë Shqipërinë është për të ardhur keq që akoma nuk ka përfunduar proçesi i hapjes së dosjeve për spiunët e sigurimit, e jo më të ndërtohet një muze me kate për spiunët, specifikisht për ata kriminelë që vranë e masakruan, burgosën e internuan mijëra e mijëra shqiptarë, burra, gra përfshirë edhe fëmijë.
Në qytetin Lüneburg dhe qytezën Deutsch Evern vizituam Fabrikën Gurore të famshme të Kripës, që historikisht i kishte sjellë shumë fitime vendit, sot kthyer në Muze, Shkollën e Muzikës, Gjykatën e Lüneburg-ut, ku kishte filluar pune si juriste edhe një vajzë e re shqiptare, quajtur Donika Mehmeti. Në Lüneburg na priti dhe shoqëroi familja e juristëve shqiptarë Ajnishahe dhe Hisni Mehmeti nga Kosova, të cilët kishin vite që kishin emigruar në Gjermani. Na ftuan dhe na mirëpritën edhe në banesën e tyre, si dhe na shëtitën përreth qytetit Lüneberg dhe qytezës Deutsch Evern, ose siç quhet në gjuhën shqipe Qyteza e Dojçit. Kishin katër fëmijë, Donikën, Arbërin, Korabin dhe Atdheun, të cilët edhe pse kishin lindur në Gjermani e flisnin gjuhën shqipe me gramatikë të rregullt e shumë pastër, çfarë tregonte kujdesin që kishin treguar prindërit e tyre për mos asimilimin e gjuhës amtare tek fëmijët e tyre. Ata të katërt studiojnë nëpër universitetet shtetërore me rezultate të larta në mësime. Donika, vajza e parë e familjes, sapo kishte përfunduar studimet për juriste me rezultate të shkëlqyera, të njëjtin specialitet që edhe prindërit e saj kishin kryer në Prishtinë, ku dhe ishin njohur së bashku. Për rezultatet e saj të larta akademike, Donika renditej tek studentët më të mirë në të gjithë shtetin Gjerman ku ajo jeton, dhe e 16-ta në të gjithë Gjermaninë.
Po ashtu në Hamburg u takuam dhe shëtitëm së bashku përgjatë Portit më të madh Detar në botë dhe Filharmonisë së Gjermanisë, me familjen Osmani, bashkëshortët Drita dhe Irfan Osmani nga Prishtina. Ata kishin tre djem, Naimin, Afrimin dhe Florinin, rritur e shkolluar në Gjermani me rezultate të shkëlqyera nëpër universitete dhe ishin punësuar nëpër Institucione të rëndësishme të vendit. Shqipen sigurisht e flisnin rrjedhshëm e pastër, si dhe përcillnin festat dhe traditat e bukura shqiptare. Edhe Drita me Irfanin na ftuan dhe gostisën në banesën e tyre. Takimi me këto dy familje atdhetarësh e patriotësh dhe mikëpritja e tyre, na lanë mbresa të mrekullueshme, të cilat do të mbeten të paharruara në kujtesën tonë.