Pëllumbi: Vlerësimi i ministrave, të bëhet publik nga Kryeministri!

 

Profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi, shprehet se ndryshimet në qeveri janë të mirëpritura nga publiku, ndërsa duhet bërë dhe një vlerësim i koalicionit qeverisës.

Në një intervistë për “Panorama” zoti Pëllumb mendon se koalicioni PS-LSI i ngjan më shumë një “marrëveshjeje xhentëlmenësh” sesa një koalicioni të ngritur mbi parime, ide, programe e përgjegjësish të përbashkëta.

Nga LSI-ja ditët e fundit u aludua për një bashkëpunim PS-PD, pas akuzave që opozita ngriti ndaj Ilir Metës, si të përfshirë në aferën e kompanisë DIA të Kastriot Ismailajt për favorizime në mbledhjen e borxhit të CEZ. Mendoni se zhvillimet politike mund të çojnë në një qeverisje mes PSsë dhe PD-së në perspektivë?

Mendoj se aludimi për të cilin pyesni është i pavend, apo një politizim i panevojshëm… Zhvillimet politike që lidhen me zhurmën rreth akuzave ndaj z. Meta, sot për sot, nuk e rrezikojnë koalicionin qeverisës të Rilindjes dhe aq më pak mund të çojnë ujë drejt një aleance qeverisëse PS-PD, apo një “koalicioni të madh”. Nuk do të ishte as i mundur dhe as në interes të PS-së dhe të ardhmes së vendit. Ndryshon puna nëse bëhet fjalë për bashkëpunim institucional PS-PD në Kuvend për hetimin e akuzave që ngrihen për deputetë a politikanë të nivelit të lartë. Një bashkëpunim i tillë është detyrim kushtetues.

 

Partia Socialiste refuzoi përfshirjen e një hetimi ndërkombëtar për ecurinë e kompanisë CEZ në Shqipëri që nga dita e ardhjes e deri në ikje të saj, propozim i bërë nga PD-ja, por i mbështetur dhe nga LSI-ja. Mund të ketë një hetim të besueshëm nga prokuroria shqiptare, aq shumë e sulmuar nga politika nga të gjithë krahët?

E quaj të motivuar refuzimin nga shumica të kërkesës për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të P/ligjit të propozuar nga PD “Për hetimin ndërkombëtar të çështjes CEZ” për arsyen e thjeshtë se Kushtetuta për P/ligjet që kërkojnë 3/5 e votave parashikon një procedurë tjetër. Prandaj, mbase, nuk duhej hedhur fare për votim në seancën e 1 tetorit. Por edhe për përmbajtjen e P/ligjit, pra, për hetimin ndërkombëtar, kam mendimin se ai më duket si alibi për të mos bërë fare hetim dhe për ta shndërruar “CEZ-politikën” në një telenovelë me shumë seri…! Prandaj, kujdes nga ata që bërtasin më fort për hetim ndërkombëtar! Ka ardhur koha që të përballemi vetë me problemet e mos t’i transferojmë jashtë. Nëse nuk kemi besim te drejtësia jonë, le të jetë ky rasti që të gjitha palët të bashkohen, të bëjnë reformën e kërkuar në drejtësi (me konsulencë solide ndërkombëtare) dhe të arrijmë që edhe shteti shqiptar të ketë një drejtësi të pavarur që e presin jo një, por dhjetëra procese, të cilat një pjesë e klasës politike po përpiqet t’i mbyllë përfundimisht, ose t’i çojë në “Kalendat greke” që të vazhdojnë të qetë në “pandëshkueshmërinë e instaluar”!

Si i shikoni marrëdhëniet brenda koalicionit PS-LSI, duket se ka një ftohje mes aleatëve vetëm në dy vjet qeverisje. Pas zgjedhjeve vendore ka një krisje mes dy aleatëve edhe për shkak të humbjes së disa bashkive. Mendoni se është funksional ky koalicion, apo ka nevojë për korrigjime?

Po, nuk duhen mbyllur sytë ndaj disa zhvillimeve të muajve të fundit brenda koalicionit PS-LSI. Kam mendimin se “krisjet” që përmendët ju në pyetjen tuaj janë thelluar pas zgjedhjeve vendore, e sidomos këto ditët e “kiametit” pas “çështjes politike-CEZ”. Për asnjërën prej këtyre dy momenteve LSI-së nuk i shkon as roli i viktimës në raport me aleatin më të madh, PS-në, as deklarimet e tipit “edhe të vetëm trim në lufte” dhe as ndarjet “në të malit dhe të moçaleve”! Është e papranueshme të thuhet se LSI-ja u sulmuaka nga më “të mëdhenjtë” se u verbuaka sytë rritja e saj! Ndërkaq ka vend për të dialoguar brenda koalicionit, për të mos lejuar thellimin e kundërshtive, për të parë edhe disa aspekte e parime mbi të cilat ngrihen dhe funksionojnë koalicionet elektorale dhe qeverisëse. Kam mendimin se koalicioni PS-LSI më tepër i përngjet një “marrëveshjeje xhentëlmenësh” sesa një koalicioni të ngritur mbi parime, ide, programe e përgjegjësish të përbashkëta. Aq më pak i përngjet ai një koalicioni vlerash, duke filluar nga baza e secilës prej tyre, për pasojë ndarjet “Ne” të mirë, “Ata” të këqij, veprojnë deri dhe brenda koalicioneve, sepse punohet pak ose aspak për kohezionin e tyre të brendshëm dhe ruajtjen e ekuilibrave politike që ekzistojnë në elektorat e në popull. Jo pak ndikim negativ mund të ketë sidomos mënyra piramidale e ndarjes së “copave të pushtetit” që trajtohen si “copa partie-biznesi” për të vendosur “njerëzit e vet”, duke filluar nga titullari kryesor i ministrisë, te drejtorët dhe deri te më i thjeshti, bie fjala, deri te polici i burgjeve në vartësi të Ministrisë së Drejtësisë, apo të kontraktorëve e nënkontraktorëve, kur është fjala për Ministrinë e Ekonomisë apo ministri të tjera… Kështu krijohet një pushtet i mbyllur piramidal, në të cilin të gjithë pa përjashtim duhet “të ndihmojnë” e të mbrojnë “copën e pushtetit Parti”! Ky realisht është një defekt i madh i sistemit politik shumë partiak që kemi sot, sidomos i qeverive të koalicioneve, që pjell klientelizëm dhe korrupsion të fshehur pas votës së elektoratit. Diskutimi i thelluar rreth çështjeve të tilla, mendoj se do të mund të parandalonte, të paktën, mosthellimin e “krisjeve”…!

Dy vjet pas qeverisjes së koalicionit PS-LSI, Kryeministri Rama ka vlerësuar punën e ministrave dhe është shprehur se nuk do të ketë ndryshime në qeveri. Do t’i bënte mirë qeverisjes së vendit një rikompozim i kabinetit qeveritar?

Gjithsesi, kemi të bëjmë me një çështje transparence. Nëse qenka bërë ndonjë vlerësim i detajuar i punës së ministrave nga Kryeministri Rama, ai duhet bërë publik, sepse ndryshimet qeveritare nuk janë qëllim në vetvete, por as nuk duhet mbyllur çdo mundësi e tillë, sidomos kur opinioni publik ende vazhdon të jetë i prirë për nga vlerësimi në sens pozitiv të ndryshimeve përmirësuese të qeverisjes dhe të koalicionit për Shqipërinë europiane.

Por Kryeministri Rama pranoi se ishte autor i një e-maili të ashpër ndaj ministrave të tij, të cilët i cilësonte arrogantë, ku brenda secilit jetonte “turku”. Madje, ai shprehej se nuk e honepste dot këtë sjellje që herët…

Edhe pse nuk e përjashtoj mundësinë, nuk kam informacion të mjaftueshëm rreth një e-maili me këtë përmbajtje. Mbase meritonte të trajtohej si një çështje e brendshme. Dhe të tilla ka e mund të ketë çdo qeverisje. Po ashtu dhe situata kur Kryeministri “i shan” ministrat dhe ata heshtin…

Partia Socialiste ka hyrë në fazën e zgjedhjeve të saj në të gjitha nivelet, që nga kryetari i Organizatës Socialiste, Asamblesë së bashkisë dhe kryetarit të saj, delegatëve të kongresit dhe forumeve qendrore drejtuese, ndërsa me rregullime statutore do të kemi, me sa duket, shmangie të zgjedhjes së kryetarit të PS-së, mandati i të cilit ka përfunduar 2 vjet më parë. Si e vlerësoni këtë problematikë?

Kemi një proces të brendshëm dhe të rëndësishëm organizativ të PS-së në zbatim të vendimeve të miratuara nga Asambleja e saj në mbledhjen e 18 korrikut 2015. Nuk kam informacion të mjaftueshëm për të bërë një vlerësim për ecurinë e deritanishme, por po shfrytëzoj rastin për të shprehur tre mendime, apo vërejtje, nëse doni. Së pari, mund të konceptohet më mirë përdorimi i kësaj fushate zgjedhore për ta shndërruar PS-në në një lëvizje rigjenerimi, me shtim të radhëve të veta me të rinj, siç ndodhi në Britaninë e Madhe me zgjedhjen e Kryetarit të ri të Partisë Laburiste, Jeremi Corby, më 12 shtator të këtij viti, që i parapriu futja në radhët e saj të disa qindramijëra anëtarëve të rinj. E them këtë sepse e di që lidershipi i PS-së, shpesh, frymëzimet më të shumta i ka marrë nga laburistët anglezë; Së dyti, nuk më duket dhe aq e goditur e demokratike që Kryetari ynë detyrën e ndjekjes së zgjedhjeve në parti (që zgjat disa muaj), ua ngarkon kryesisht ministrave të kabinetit të tij (ndër 6 “të plotfuqishmit” 4 janë ministra, madje ndër më të ngarkuarit e kabinetit të tij!); Së treti, nëse komisioni i ngarkuar me ndryshimet statutore, do të përpiqet të shmangë zgjedhjen e Kryetarit nga kongresi apo sipas parimit “një anëtar, një votë”, do të bënte një gabim të rëndë e përçarës. Nga asnjë lloj zgjedhjeje nuk duhet treguar frikë!

Ju përmendët zgjedhjen e Kryetarit të laburistëve britanikë, dhe të majtët europianë i kanë laburistët si pikë orientimi. Kemi dalë nga “epoka Bler”?

Jeremi Corby , 66 vjeç, drejtues i hershëm në Partinë Laburiste, pas humbjes së zgjedhjeve të 7 majit 2015 nga laburistët, u përfshi në fushatën e zgjedhjeve për kryetarin e ri. Nuk nguroi të bënte kritika dhe të dilte me parullën për “një parti me parime të majta”. Ai foli hapur për nevojën e një kthese të fortë drejt “socializmit demokratik” dhe “demokracisë sociale”, dikur koncepte bazë të socialdemokracisë europiane, dhe më konkretisht për t’i dhënë fund kursit të “epokës Bler” të quajtur “New Labour”, me të cilin praktikisht e shndërroi Partinë Laburiste në një nga tri partitë me platformë neoliberale. Kjo, me sa duket, është arsyeja pse vetë Bleri u përfshi aktivisht në fushatën kundër zgjedhjes së “marksistit J.Corby” në rolin e liderit të Partisë Laburiste. Veçse, siç vë në dukje jo vetëm media me prirje majtas, kjo shërbeu si propaganda më e mirë në favor të J.Corby.

 

Me interes është të theksohet se s’ishte vetëm “vota masive” në favor të fenomenit Corby dhe programit të tij të majtë socialreformist, por dhe mbështetja nga ana e intelektualëve të spikatur, brenda dhe jashtë Britanisë së Madhe, sociologu me famë botërore, Antoni Giddens, që dikur i pat këshilluar T.Blerit “Rrugën e tretë” dhe tezën “Përtej të majtës e të djathtës”, që në vitin 2002, pati deklaruar në formë autokritike se “një trend i tillë e dëmtoi rëndë imazhin” e Partisë Laburiste Britanike. Por zëri i tij nuk u dëgjua më. Ndërkaq, shkencëtarë seriozë, ndër të cilët dhe laureati i çmimit “Nobel” për ekonominë, Paul Krugman, të zhgënjyer e të lodhur nga konceptet dhe praktikat e neoliberalizmit, botuan një letër kolektive plot optimizëm për t’u solidarizuar e mbështetur programin e ri të laburistëve britanikë të përfaqë- suar nga Jeremi Corby. Madje nuk ngurohet që të supozohet se “fenomeni Corby” përbën një shans, mbase dhe shansin e fundit, për të majtën dhe demokracinë pluraliste europiane, apo dhe për ripërtëritjen si të Internacionales Socialiste (IS), ashtu dhe të Partisë Socialiste Europiane (PSE). Nuk e kuptoj pse të majtët tanë nuk japin asnjë informacion, pale që të bëjnë edhe ndonjë urim!

Ndoshta e majta jonë po përpunon tezat e Corbyt… Të rikthehemi në realitetin tonë edhe për një pyetje të fundit. Dy deputetë nga qarku i Lezhës janë larguar nga Kuvendi, njëri për shkak të flagrancës në një episod të armatosur dhe tjetri si ish-i dënuar nga drejtë- sia italiane, në përpjekje për të marrë pafajësinë nga një dënim i padrejtë. Nisur nga ky precedent, sa përgjegjësi kanë forumet drejtuese në PS, kryesia dhe Asambleja kombëtare në propozimin dhe më pas në miratimin e listës së kandidatëve për deputetë?

Pyetja juaj pohon një realitet në krizë politike, sepse roli i partive si ndërmjetëse midis pushtetit dhe popullit ka dështuar, kurse përfaqësimi i elektoratit përmes zgjedhjeve “të lira” është shndërruar në diçka fiktive. Populli realisht voton, ka plot që ende besojnë se kjo është demokracia, por, në të vërtetë, votohet për klane, për “lista të mbyllura”, për ata që paguajnë apo që u konvenojnë kryetarëve. Qofshin dhe të inkriminuar! Kandidatët e përzgjedhur me këtë rrugë as ballafaqohen me zgjedhësit, as konsultohen dhe as që japin llogari “para zgjedhësve”. Forumet për të cilat pyesni që duhet të përgjigjen nuk ekzistojnë më, pra, as mblidhen dhe as pyeten. Në partitë politike shqiptare kanë ndodhur kështu “zhvendosje tektonike”. Kjo e ka bërë krejt pa vlerë si demokracinë hibride shqiptare, ashtu dhe sistemin politik pluralist që u vendos 25 vjet më parë. Duan s’duan liderët e partive të sotme, vendi realisht gjendet para nevojës së një kompleksi reformash politike. Apo, më shkurt e më saktë, para një “pluralizmi të dytë”!

SHKARKO APP