Perëndim kancelarësh
Tri javë pas hapjes së plotë të kufijve gjermanë për refugjatët, në bazë të sondazheve preferenca në opinionin publik gjerman për Angela Merkelin ka rënë ndjeshëm. Dhe kjo nuk do të mbetet kaq, mendon Felix Steiner.
A po përsëritet historia? Të paktën ka paralele midis Angela Merkelit dhe dy prej parardhësve të saj. Paralelja 1: gjunjëzimi i Willy Brandtit në Përmendoren e Ghetos së Varshavës në 7 dhjetor 1970. Ajo që sot konsiderohet si sinonim i politikës së shtensionimit të Willy Brandtit, nuk ishte fare e planifikuar, por ishte një ndjesi spontane e Brandtit: "Unë kisha ndjesinë se një ulje e kokës nuk mjafton".
Impuls spontan
Nga një impuls i tillë spontan vendosi Angela Merkel tri javë më parë që t'i linte të hynin në Gjermani refugjatët që ndodheshin në kushte katastrofale në Hungari. Dhe po ashtu si Brandt-i, ajo nuk u këshillua më parë me njeri për këtë. Ajo thjesht veproi, sepse ndjesia e saj – ndërgjegja e saj?- i tha: gjendja nuk mund të mbetet siç është!
Ajo që sot u kujtohet shumë pak vetëve: edhe Willy Brandtin bashkëkohësit jo vetëm e lëvdonin. "A i lejohej Brandtit të ulej në gjunjë?" pyeste Spiegel-i një javë më vonë dhe ofronte edhe rezultatin: 41 përqind e gjermanoperëndimorëve e quanin me vend gjestin e Brandtit, por 48 përqind të tjerëve ai iu duk i tepruar. Vlerësimi pozitiv, kategorizimi si "gjest historik", ndodhi pra me distancë kohore. Thuajse saktësisht një vit më vonë, Willy Brandtit iu dha çmimi Nobel i Paqes. Edhe këtë nuk e kuptuan atëherë shumë gjermanë në debatin jashtëzakonisht të nxehtë të atëhershëm për politikën ndaj Lindjes të qeverisë gjermane, jo më ta quanin me vend. A duhet të ketë edhe Angela Merkel shpresa për një telefonatë nga (komiteti i Nobelit) Oslo?
Paralelja 2. Politika e "agjendës 2010" e Gerhard Schröderit. Ai që shtron sot pyetjen se pse është Gjermania në gjendje më të mirë ekonomike se shumica e fqinjëve të saj evropianë, atij të gjithë ekspertët i tregojnë politikën reformuese të qeverisë Schröder midis 2003 dhe 2005. Miliona vende pune janë krijuar që atëherë, ekonomia është vitale, të ardhurat nga taksat shënojnë rekorde. SPD dhe të Gjelbrit e reformuan atëherë vendin që ishte "i sëmuri i Evropës" dhe e bënë lokomotivën ekonomike të kontinentit. Edhe vetë partitë unioniste dhe liberalët e FDP-së, që nuk e patën kurrë guximin për masa të tilla radikale, kur e hedhin vështrimin pas i shprehin Gerhard Schröderit respekt.
Duartrokitje nga pala e gabuar
Fati tragjik i Schröderit ishte vetëm: agjenda reformuese i kushtoi atij postin dhe Angela Merkel korr sot frytet e punës së tij. Sepse të gjithë ata që lëvdojnë të ashtuquajturën "Agjenda 2010", nuk kanë zgjedhur kurrë SPD dhe nuk do ta zgjedhin atë kurrë. Ishte kjo SPD në të njëjtën kohë që e copëtoi atëherë politikën e kryetarit të saj dhe deri sot nuk është shlodhur plotësisht nga kjo.
Kur para së gjithash dëgjon të shprehet kritikë dhe pakënaqësi tek partitë unioniste për kursin e Angela Merkelit në krizën e refugjatëve, kjo të kujton në mënyrë fatale situatën e SPD dhjetë vjet më parë: lëvdimi vjen nga pala e gabuar, po të shohësh drejtimin politik të partive. Zgjedhësit e përhershëm të partive unioniste gjithsesi nuk qenë ata që pritën në stacionet me duartrokitje refugjatët në stacionet kryesore të trenave!
Shenjat e krizës duken që tani
E përbashkët për të dyja paralelet është: si qeveria Brandt, dhe më shpejt qeveria Schröder kaluan në krizë. Kriza që ngurtësohen në fërkimet e brendshme, shprehje të ashpra dhe që tani dalin sërish në pah: Ftesa për kritikun e Merkelit Viktor Orban nga shefi i CSU-së, Horst Seehofer ishte një akt i ngjashëm jobesnikërie, siç qenë pohimet e Herbert Wehnerit në Moskë për Willy Brandtin ("Zotëria preferon të mbetet i paqartë"). Dhe "Basta kancelari" Schröder e gjen ekuivalentin në deklaratën e Merkelit në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë së saj të martën e kaluar: "Aq më bën, po ta kem unë fajin për vërshimin e refugjatëve, ja që tani ata janë këtu!" Mjaft e dukshme që sistemi i saj nervor është i acaruar.
Të gjitha këto janë sinjale. Por kur pak javë më parë SPD diskutonte se kush do t'i humbasë zgjedhjet kundër Angela Merkelit pas dy vjetësh, tani – në dritën e krizës së refugjatëve – papritur duket sikur ka filluar perëndimi kancelaror i gruas më të fuqishme në botë deri tani. I hapur është vetëm fundi: dorëheqje në periudhën legjislative aktuale (si Brandt-i) apo humbje e zgjedhjeve pas dy vjetësh (si Schröder-i)?
DWelle