Perëndimi duhet t’ia sekuestrojë makinën e propagandës Putinit
Nga David J. Kramer, The Washington Post
Që më përpara se presidenti rus, Vladimir Putin të përdorte forcën në Siri, zyrtarët ushtarakë amerikanë e përshkruanin regjimin e tij si një “kërcënim ekzistencial” në kuadër të pushtimit të Ukrainës nga ana e tij. Putin, i cili udhëheq një prej regjimeve më të korruptuara dhe kleptokratike në botë, ka diktuar axhendën ndërkombëtare të kohëve të fundit – nga Ukraina në Siri – ndërkohë që liderët perëndimorë, përfshi presidentin Obama, kanë qenë reagues dhe në pozita mbrojtjeje. A nuk do të ishte e këndshme që të kalonim në ofensivë, në një mënyrë joushtarake, për ta gjunjëzuar Putinin dhe duke ndalur makinën e tij të urryer propagandistike? Ja se si mund të bëhet kjo:
Të konfiskohen asetet e rrjetit kabllor RT të financuar nga shteti i Putinit, jo për gjërat e pështira që pështyn, por në respekt të vendimeve të dy gjykatave kundër qeverisë ruse, që kanë të bëjnë me kompaninë shumëmiliardëshe të naftës “Yukos”. Këto vendime janë marrë vitin e kaluar nga Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit në Hagë dhe nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (ECHR), të cilat përcaktuan se qeveria ruse u detyrohet 52 miliardë dollarë dëmshpërblim aksionerëve të kompanisë tashmë të falimentuar “Yukos”.
Sipas gjykatave, qeveria ruse shkaktoi dëme të qëllimshme ndaj aksionerëve përmes taksave ndëshkuese dhe sekuestrimit të aseteve pas arrestimit në vitin 2003 të themeluesit të “Yukos”, Mikhail Khodorkovsky, i cili ishte asokohe njeriu më i pasur në Rusi. Asetet e “Yukos” iu shpërndanë kompanive më të vogla dhe më pas u blenë nga “Rosneft”, e cila u bë kompania më e madhe e naftës në Rusi dhe kompanive të tjera shtetërore apo subjekteve miqësore me regjimin si ‘Gazprom’. Ata përvetësuan asetet e aksionerëve të “Yukos”, gjë për të cilën këta të fundit i paditën. Pas vitesh të tëra dëgjesash dhe kundërshtimesh, aksionerët fituan si në Hagë ashtu edhe në ECHR. Në rastin që u çua në Hagë, të dyja palët – aksionerët dhe qeveria ruse – dhanë pëlqimin për arbitrin dhe ranë dakord se do ta zbatonin vendimin e gjykatës. Edhe pse Rusia kishte emëruar një nga gjyqtarët e çështjes, trupa gjykuese treshe mori një vendim kundër Rusisë. Për më tepër, në bazë të Konventës së Nju Jorkut, e cila është nënshkruar edhe nga Rusia, aksionerët mund të kërkojnë edhe nga qeveritë e tjera që të zbatojnë vendimin e Gjykatës duke konfiskuar asetet shtetërore të Rusisë. Ashtu si në EHCR, Rusia është një anëtare edhe e Këshillit të Europës dhe ka qenë palë humbëse në qindra vendime të EHHR-së, kështu që nuk ka se si ta kundërshtojë juridiksionin e gjykatës në këtë rast.
Autoritetet ruse e kanë apeluar vendimin e Hagës, por mundësitë që vendimi të ndryshojë janë fare të pakta sepse apeli është i kufizuar të çështjet “teknike”. Ndërkohë, pasi ka kaluar më tepër se një vit që nga marrja e vendimeve, Rusia nuk ka shfaqur ndonjë shenjë se ka ndërmend t’i zbatojë, duke ja lënë këtë shteteve të tjera që respektojnë vendimet e Hagës dhe të ECHR-së që të gjejnë mënyrat për t’i zbatuar vendimet.
Në korrik, autoritetet britanike ngrinë llogaritë e RT-së në zbatim të vendimit. Belgjika dhe Franca nisën gjithashtu procedurat për të ndërmarrë veprime të njëjta ndaj aseteve shtetërore ruse. Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë e tjera Perëndimore duhet të ndjekin këtë shembull në mënyrë individuale ose të përbashkët, kryesisht në kuadër të një peticioni në Shtet e Bashkuara për ta bërë një gjë të tillë për ish-krerët e “Yukos”-it. (Khodorkovsky nuk është pjesë e padisë së ngritur.)
RT-ja është përpjekja kyçe e propagandës së Putinit për të diskredituar Perëndimin dhe për të fshehur të vërtetën e veprimeve ruse. Ajo transmetohet anembanë globit me kabllo dhe internet dhe pretendon se ka një audiencë, që duket e fryrë, prej 700 milionë njerëzish në 100 vende. Ajo ka një studio të madhe në Uashington si dhe zyra të tjera në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë. Qeveria ruse e financon RT-në dhe veglat e tjera të ngjashme të propagandës, përfshi “Sputnik news”, me mbi 500 milionë dollarë.
Ngrirja e pronave të Ambasadës Ruse në Uashington dhe gjetkë nuk është e mundur për shkak të paprekshmërisë së misioneve diplomatike. Kjo lë fare pak mundësi të tjera për të konfiskuar prona ruse dhe e bën RT-në një objektiv joshës. Edhe për Rusinë, që ka 350 miliardë dollarë rezerva në para dhe burimet natyrore më të shumta se çdo vend tjetër në botë, 52 miliardë dollarë janë gjithë ato para, sidomos në mesin e një krize ekonomike, uljes së çmimeve të naftës dhe sanksioneve të vazhdueshme kundër regjimit.
Kremlini është nervoz, sikurse dëshmohet nga kërcënimi që i ka bërë firmave kryesore Perëndimore se mund t’iu konfiskojë asetet. Gjatë verës, ajo i paralajmëroi Shtetet e Bashkuara se do t’i ngrinte asetet amerikane në Rusi si kundërpërgjigje për çdo hap të tillë ndërmarrë nga autoritetet e SHBA-së dhe Parlamenti rus ka miratuar një ligj që lejon konfiskimin e pronave të shteteve të huaja si përgjigje ndaj masave perëndimore. Kundërpërgjigja më e mirë ndaj këtij kërcënimi ka qenë përgjigja në kor e vendeve perëndimore dhe Rusia nuk mund të shkojë shumë larg. Çdo lojë hakmarrëse e Kremlinit do të bëjë që investuesit e huaj dhe firmat të largohen me nxitim nga Rusia, një eksod të cilin ekonomia ruse nuk do të mund ta përballonte.
Zbatimi i vendimeve për “Yukos”-in do të ishte një respektim për ligjet dhe pronën private, dhe duke qenë se kemi RT-në pranë nisja e këtyre vendimeve ka se nga ta marrë udhën. Kjo do të kishte edhe avantazhin e shtuar që do t’i shkaktonte një dëm të rëndë makinës së propagandës së Putinit.
Ka ardhur momenti për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj perëndimorë që ta mësojnë regjimin e korruptuar të Putinit se ka pasoja për sjelljet mizore. Ka ardhur momenti që komuniteti i kombeve demokratike të hidhet në sulm.