Përplasja për TikTok, Rama del kundër Kushtetueses: Falë mbylljes sot prindërit janë më të qetë
Kryeministri Edi Rama kritikon ashpër shpalljen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Platformës TikTok që u mbyll me vendim qeverie, që Gjykata e cilësoi të gabuar sepse u bë pa ligj dhe cënoi lirinë e shprehjes.
Në platformën X, Rama shkruan se 90% e prindërve dhe mësuesve shqiptarë kishin kërkuar mbylljen e TikTok-ut, ndërsa vendimi i Gjykatës Kushtetuese lë të kuptohet sikur ata kishin gabuar. Ai theksoi se bllokimi i përkohshëm i platformës bëri që kompania të ndërmarrë masa shtesë për sigurinë e përdoruesve, veçanërisht për fëmijët.
Sipas tij, rikthimi i TikTok-ut në Shqipëri u bë vetëm pasi kompania tregoi mirëkuptim dhe pranoi masa shtesë sigurie, gjë që sipas Ramës nuk do të kishte ndodhur nëse platforma nuk do të ishte mbyllur fillimisht.
Ai shtoi se sot prindërit dhe mësuesit mund të ndihen më të qetë, ndërsa vendimi i gjykatës mund të inkurajojë shpifjet në rrjetet sociale. Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se vendimi për bllokimin e TikTok-ut cenoi lirinë e shprehjes, duke rrëzuar masën e ndërmarrë nga qeveria.
Reagimi i plotë nga Rama
Gjykata Kushtetuese mendoka që 90% e prindërve dhe mësuesve shqiptarë ishin gabim kur kërkuan mbylljen e TIKTOK-ut! Fatmirësisht ne e rihapëm TIKTOK-un falë mirëkuptimit që gjetëm tek kompania për masat extra që u morën prej saj, pikërisht falë mbylljes, se të ishte për Gjykatën Kushtetuese, s’do ishte mbyllur fare dhe as masat pozitive s’do kishin ardhur dot! Falë asaj mbylljes sot prindërit dhe mësuesit mund të jenë pakëz më të lehtësuar, ndërsa falë këtij vendimi që s’dua t’ia ve emrin që ka, shpifësit mund të ndjehen të inkurajuar!
Gjykata Kushtetuese shpall vendimin për mbylljen e TikTok-un: Cenoi lirinë e shprehjes, u bë pa ligj
KOHA JONË SONDAZH

