
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta akuzon institucionet për heshtje ndaj konfliktit mes GJKKO-së dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Ai e cilëson situatën si një konflikt me prapavijë politike dhe kritikon Kuvendin dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor për mungesën e reagimit.
Meta ka reaguar përmes një deklarate mbi konfliktin mes Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë (GJKKO) dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë, duke paralajmëruar për pasoja të rënda në zhvillimin e proceseve gjyqësore dhe në garantimin e mbrojtjes efektive të qytetarëve.
Sipas Metës, përplasja mes dy institucioneve po shkakton zvarritje të proceseve gjyqësore, duke cenuar interesat e shtetit, funksionimin e rregullt të drejtësisë dhe të drejtat e qytetarëve të përfshirë në këto procese.
Postimi i plotë
Vazhdimi i konfliktit të qëllimshëm GJKKO e Shkallës së Parë me Dhomën Kombëtare të Avokatisë vazhdon të sjellë pasoja shumë të rënda me zvarritjen e proceseve gjyqësore, të cilat cënojnë, jo vetëm interesat e shtetit, por edhe vetë proceset e rregullta ligjore, si edhe cenojnë rëndë mbrojtjen efektive të qytetarëve të përfshirë në këto procese.
Akoma më e rëndë bëhet kjo situatë kur Kuvendi jo vetëm që ka dy muaj që hesht dhe bën sikur nuk shikon, por edhe të vetmen nismë ligjore të ndërmarrë nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Z. Tedi Blushi, në datë 14 tetor 2026, e refuzoi më datë 22 tetor 2026 ta përfshijë në kalendarin e punimeve.
Po kështu, heshtja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, prej dy muajsh, cënon rëndë besimin te institucionet, që kanë detyrë kushtetuese për administrimin e proceseve gjyqësore.
Heshtja dhe mosreagimi i çdo aktori institucional që ka përgjegjësitë e tij kushtetuese dhe ligjore, dëshmon qartë se kemi të bëjmë me një konflikt me regji politike në interes vetëm të Edi Ramës dhe organizatës që ai drejton.
Natyrisht, ky konflikt me regji, është vijim i telenovelës “Drejtësi me Regji”, e cila ka asgjësuar prej kohësh shtetin e së drejtës me qëllim instalimin e Narkodiktaturës të vetme në Europë
