Përse të mos e kemi dhe ne shqiptarët një libër të tillë?

Nga Ndriçim Kulla

Dilema që ke si autor kur nis të shkruash një libër ku rreh t’i përgjigjesh pyetjes “Kush jemi ne shqiptarët nga një këndvështrim kritik përveç atij glorifikues (ky i fundit për aq sa është i merituar), është se mos libri keqkuptohet, për shkak se kritikat shihen si sharje ndaj kombit tënd. Ndoshta kjo dilemë mund t’i krijohet edhe lexuesit faqe pas faqeje, duke e lexuar librin. Për ta kapërcyer këtë dilemë së bashku me lexuesin, do të tregoj një ngjarje nga jeta ime si emigrant. Në mes të viteve nëntëdhjetë, kur tanimë isha emigrant në Greqi, në Athinë që prej disa vjetësh, në biseda të ndryshme me miqtë e mi grekë ndodhte që më duhej t’i përgjigjesha pyetjes “Cilët jemi ne në kuptimin historik, kulturor, sociologjik dhe psikologjik?”. Për një njeri si unë, që kishte lexuar librat e rilindësve dhe studiuesve tanë të mëvonshëm me këtë temë, si dhe librat për historinë e shqiptarëve, dukej se përgjigjja e kësaj pyetjeje do të ishte e lehtë. Por nuk ishte aq e lehtë sa dukej. Në kohën kur unë bëja një bisedë të tillë në Athinë, rreth një shekull e gjysmë pas nisjes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, duhej që studiuesit tanë të kishin dhënë një përgjigje sadokudo të kënaqshme për pyetjen në kuptimin kritik të saj, pra me një përgjigje që të përmbante të mirat e të këqijat e identitetit tonë, të karakterit tonë kombëtar. Dhe për këtë, akademikët, historianët, antropologët, sociologët, psikologët, filozofët etj., duhet të kishin shkruar libra për këtë çështje. Përse ne shqiptarët, me gjithë këtë trashëgimi historike, si komb shumë i vjetër që jemi, megjithatë jemi në këtë gjendje që jemi, domethënë për gjendjen në të cilën ndodhemi? Pra, përse jemi në këtë gjendje, me gjithë këto probleme? Përgjigjja e kësaj pyetjeje kërkon një reflektim të thellë kritik nga këndvështrimi i njeriut shqiptar, domethënë i vetvetes. Në njëfarë kuptimi, unë u ndodha në të njëjtën gjendje në të cilën qenë ndodhur shumë intelektualë shqiptarë që nga koha e Rilindjes Kombëtare dhe më vonë, kur në bisedat me të huajt u është bërë kjo pyetje.

Një nga bashkëbiseduesit, një bukinist plak dhe shumë i ditur, që ishte klient i përditshëm në restorantin ku unë punoja si kamerier, të nesërmen më solli një libër me titull: “Grekët: dilema midis së shkuarës dhe së tashmes. Një portret i sjelljeve, moralit, zakoneve, cilësive e defekteve të grekëve të sotëm.”, i autorit grek Stephanos Zotos.

Që në rreshtat e parë të këtij libri gjeta një çelës për të kuptuar atë fenomen të mendimit shqiptar, që shkrimet më të mira kritike për bashkëkombësit e tyre shqiptarë i kishin bërë mendimtarët tanë të shquar që jetonin jashtë vendit, ose që kishin jetuar për një periudhë të gjatë jashtë vendit, që nga Faik Konica, Fan Noli, Sejfi Vllamasi, Eqrem bej Vlora, Krist Maloki, Anton Harapi,Vangjel Koca etj.

Sa më tepër që lexoja librin e grekut Zotos, aq më shumë më krijohej përshtypja se ky grek e kishte lexuar Faik Konicën tonë, dhe pastaj i kishte përzgjedhur disa shkrime të Konicës dhe fragmente nga shkrimet e tij, që i kishte renditur dhe pastaj strukturën që kishte dalë e kishte përdorur si model për strukturën e librit të tij. Në fakt, nga vepra e Konicës mund të ndërtohej një libër i ngjashëm me atë të grekut Zotos, duke bashkuar, pa respektuar kriterin e zhanrit, fragmente nga “Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit” me fragmente nga “Një ambasadë e zulluve në Paris”, me të tjera fragmente nga artikuj publicistikë, apo edhe letra të Konicës. Ajo që kishte bërë ky grek ishte se kishte përmbledhur në një libër për bashkëkombësit e tij të gjitha ato gjëra që Konica i kishte shpërndarë në galaksinë e veprës së vet, në paragrafë të prozës së tij, apo të artikujve publicistikë, si fjali në letërkëmbimin e tij, apo si strofa në poezitë satirike të tij.

Marxhinat (pjesët e bardha) të faqeve të librit të Zotos i kam mbushur me shënime krahasuese mbi analogjitë shqiptare të atyre që thotë Zotos për të metat e grekëve. Emri i Konicës dilte shpesh në këto shënime. Por jo vetëm emri i Konicës, por vende-vende edhe i Fan Nolit, Mit’hat Frashërit, Krist Malokit, At Fishtës, Eqrem bej Vlorës etj.

Arsyet e kësaj ngjashmërie mes të metave të dy kombeve kanë të bëjnë me identitetin e përbashkët ballkanik të dy kombeve që ka lënë gjurmët e tij në karakterin e tyre, ashtu si dhe të kombeve të tjera ballkanase. Sa për arsyet e ngjashmërisë mes këndvështrimit dhe mënyrës së të shkruarit të Konicës dhe Zotos, kjo vjen nga fakti se të dy këta ishin ballkanas me mendje të hapura, si dhe me zgjuarsinë dhe mprehtësinë për të kapur të metat e bashkëkombësve të tyre dhe për t’i përshkruar ato. Kur përfundova leximin e librit të Zotos, vura re se tanimë kisha bërthamën e një libri për shqiptarët, të shkruar në anët e faqeve të librit të tij. Apo ndoshta bërthamën e një libri të munguar të Konicës, me disa detaje shtesë nga autorët tanë të përmendur më lart. Unë, në njëfarë mënyre, kisha qenë ndërlidhësi për një bashkëbisedim Konica-Zotos. Jam i sigurt se ata të dy do të ishin kënaqur duke biseduar. Në fakt, çdo autor ballkanik që do të ulej të shkruante për vendin e tij si Zotos, do të përdorte të njëjtën strukturë si ai. Nëse Konica ynë i madh do të kishte qenë më pak dembel intelektualisht, ne do ta kishim pasur një libër të tillë prej tij që në vitet njëzet. Dhe një libër i tillë do të kishte qenë një pasuri e madhe për Mendimin Shqiptar.

Libri i grekut Zotos nuk ishte gjë tjetër veçse versioni grek dhe ndoshta modeli më i mirë i një libri, që pak a shumë është shkruar pothuajse në çdo vend të Ballkanit, por që nuk është shkruar akoma në Shqipëri, gjë që përbën një mangësi të Mendimit Shqiptar. Ky lloj libri mund të quhet një libër katarsik ballkanik, pra që synon të bëjë katarsisin (pastrimin) intelektual te njeriu ballkanik i kombit përkatës. Jo për t’ia lënë gjithë fajin e të këqijave kombëtare identitetit ballkanik. Sepse, në fund të fundit, atë realitet ballkanik që shihet si i ndryshëm nga ai europian, në kuptimin e keq të fjalës, e kanë krijuar bashkërisht të gjitha kombet e Ballkanit. Prandaj në librin e grekut Zotos “Ballkani” pothuajse nuk përmendet fare si shkak i të këqijave dhe mangësive të njeriut grek. “Ballkani” në kuptimin e keq të fjalës është produkti ynë i përbashkët, i shqiptarëve, grekëve, serbëve, malazezëve, maqedonasve, bullgarëve, boshnjakëve, turqve etj. Por nuk mund të mohohet se njerëzit e Ballkanit, pavarësisht identitetit kombëtar, kanë disa cilësi të përbashkëta që devijojnë nga qytetërimi europian, ndonëse edhe ballkanasit janë padyshim europianë. Për t’u vetëdijesuar ballkanasit për këto tipare të këqija të natyrës së tyre, dhe të çlirohen prej tyre, është e nevojshme që të shkruhen në të gjithë vendet e Ballkanit, duke përfshirë Shqipërinë, sa më shumë libra si ai i grekut Zotos.

Paralelizmit Konica-Zotos do t’i rikthehem herë pas here gjatë librit tim për të vërtetuar se të metat tona, të shqiptarëve, janë shumë më tepër sesa mund të imagjinohet produkt i identitetit tonë ballkanik, pra nuk kanë të bëjnë me racën tonë shqiptare, siç duan të thonë disa. Ato të meta të cilat Konica, Mit’hat Frashëri dhe shumë mendimtarë të tjerë dhe udhëtarë të huaj nëpër viset shqiptare i shohin te shqiptarët e gjysmës së parë të shekullit XX, Zotos i sheh pak a shumë te grekët e gjysmës së dytë të shekullit XX. Libri i grekut Zotos, aq sa ç’është një libër për karakterin e njeriut grek është një libër për karakterin e njeriut ballkanik, ku përfshihet edhe njeriu shqiptar. Nuk dua që ta teproj aspak me këtë përmasë ballkanike të karakterit të njeriut shqiptar, të ngjashme me ballkanasit e tjerë, si shpjegim për të metat e natyrës sonë. Këtë nuk dua ta them as si shfajësim për të metat e bashkëkombësve të mi, por se kështu është në të vërtetë. Për të shmangur çdo keqkuptim nga kjo gjithëpërfshirje përjashtoj krimet e luftës, mizoritë, dhunën shtetërore, agresionit, të cilat nuk kanë të bëjnë me vetitë e njeriut ballkanik apo të kombit përkatës, por me natyrën e liderëve politikë. Pra këtu nuk mund të ketë asnjë keqkuptim. Është fjala për të metat e njeriut ballkanik, në këtë rast të shqiptarëve dhe grekëve, por të njëjtat veti i kanë edhe serbët, bullgarët, malazezët, maqedonët etj. Këtë gjë e kanë vërejtur shumë autorë dhe udhëtarë të huaj.

Zotos u thotë bashkëkombësve të tij se ai nuk ka ndjerë kënaqësi kur e ka shkruar këtë libër, dhe ua ka bërë të ditur se ai nuk është një cinik. Unë kam bindjen se të njëjtën gjë si ai kanë ndjerë edhe Faik Konica, Fan Noli, Mit’hat Frashëri, At Gjergj Fishta, Eqrem bej Vlora, kur shkruanin për shqiptarët si ai për grekët. As ata nuk ishin cinikë. As unë nuk jam cinik dhe nuk mund të them se ndjej kënaqësi duke e shkruar këtë libër, por më duket e domosdoshme që ai të shkruhet se është një mangësi për mendimin shqiptar që akoma nuk e kemi një libër të tillë si ky i grekut Zotos. Sigurisht që kur nis të shkruash një libër ku kërkon t’i përgjigjesh pyetjes “Cilët jemi ne shqiptarët?” dhe je një autor i përciptë, pena të ecën lehtë dhe shpejt, si kur përshkruan gjërat e bukura, lavdinë, vetitë e mira të bashkëkombësve, të përshkruara edhe nga të huajt, ashtu edhe kur përshkruan të metat, vetitë e këqija, gabimet. Por çështja është që të shpjegosh shkakun se përse gjërat kanë shkuar kështu, pra të shpjegosh jo vetëm se kush jemi ne shqiptarët, por përse jemi të tillë.

Para se të lexoja librin e grekut Zotos, nuk e besoja se dikush mund të merrte guximin për të shkruar një libër të tillë për bashkëkombësit e tij, se ky më dukej si një cinizëm i tepruar. Vetë fakti që as Konica ynë që nuk mërzitej kur e quanin cinik, nuk kishte arritur deri këtu sa të shkruante një libër të tillë, më dukej më tepër si shenjë e vetëfrenimit se e dembelizmit të tij të njohur intelektual, të cilin nuk nguronte që ta pohonte edhe vetë. Libri i grekut Zotos më bëri që të mendoj se përse të mos e kemi dhe ne shqiptarët një libër të tillë. Siç mësova më vonë, Zotos, i cili ishte një njeri që kishte jetuar shumë kohë në Perëndim, kishte lexuar të tillë libra atje të shkruar nga autorë të vendeve të mëdha perëndimore për bashkëkombësit e tyre, dhe ishte frymëzuar prej tyre. Kjo ndodhte në kohën kur Shqipëria vuante izolimin komunist dhe ne shqiptarët nuk mund të kishim kontakte kulturore me Perëndimin si fqinjët tanë, grekët. Zotos, i cili kishte lindur më 1922, kishte qenë 27 vjeç kur komunistët humbën Luftën Civile në Greqi dhe ky vend i shpëtoi izolimit që provoi Shqipëria për gjysmë shekulli. Ne shqiptarët, i kishim pasur “Zotot” tanë, që para grekëve, siç kam treguar më lart, por duhej të kalonte më tepër se gjysmë shekulli i izolimit komunist që “Zotot” shqiptarë të mund të bënin lidhjen me rrënjët e mendimit shqiptar të para Luftës së Dytë Botërore, në mënyrë që pastaj të mund të shpresohej që edhe mendimi shqiptar të jepte produkte si libri i grekut Zotos.

SHKARKO APP