Përshkallëzimi i rrezikshëm i Rusisë në Siri
The New York Times/ Editorial
Bombardimet ajrore të Rusisë në Siri shënojnë një vizë të rrezikshme në lindjen e Mesme që e përshkallëzon konfliktin e përgjakshëm dhe rrezikon ta sjellë Rusinë në një përplasje direkte me Shtetet e Bashkuara. Kjo lëvizje e presidentit Vladimir Putin ndërlikon një betejë që ishte që më parë kaotike dhe do ta bëjë arritjen e një marrëveshje politike edhe më të vështirë.
Pretendimi i Z.Putin se motivimi kryesor për bombardimet është që të luftohen dhe shkatërrohen terroristët, përfshi Shtetin Islamik, është i dyshimtë. Ka më tepër gjasa që qëllimi kryesor i udhëheqësit rus të jetë që të shpëtojë presidentin e Sirisë Bashar al-Assad, qëndrimi i të cilit në pushtet është dobësuar duke qenë se Ushtria Siriane ka humbur terren jo vetëm ndaj Shtetit Islamik, që po përpiqet të krijojë një kalifat në Siri dhe Irak, por gjithashtu edhe ndaj koalicionit të grupeve kryengritëse, të cilat janë në luftë edhe me Shtetin Isalmik.
Siria është aleatja e ngushtë e Rusisë në Lindjen e Mesme dhe Z. Putin e ka përkrahur Z. Assad gjatë konfliktit. Z. Putin mund ta kishte shmangur shpërthimin e dhunës më 2011 duke e bindur aleatin e tij që të mos i sulmonte protestuesit paqësore anti-qeveritarë.
Nuk dihet nëse do t’ia dalë dot Rusia që ta ndihmojë Z. Assad që ta rimarrë kontrollin në të gjithë vendin, por disa zyrtarë amerikanë dyshojnë se planet do të shkojnë në bazë të asaj që tha Z. Putin të mërkurën se ato do të “kufizohen” vetëm te bombardimet ajrore. Gjatë javëve të fundit, rusët kanë dërguar tanke, avionë dhe armë të tjera të artilerisë së rëndë në Siri. Është me vend të paramendohet më e keqja, duke parë sjelljen e Z. Putin në Ukrainë, ku fillimisht ai e mohoi që të kishte çuar trupa dhe armë në vend, por më pas aneksoi Krimenë dhe vazhdoi t’i destabilizonte rajonet lindore.
Presidenti Obama duket se është zënë në befasi nga lëvizja e guximshme për të rikthyer influencën ruse në Lindjen e Mesme, gjë të cilën padyshim që Z. Putin e synonte. Pavarësisht bombardimeve ajrore të udhëhequra nga SHBA-të, administrata nuk ka një strategji të vërtetë në Siri. Natyrisht nuk ka asnjë strategji të qartë ruse gjithashtu, me përjashtim të asaj të rimëkëmbjes së Z. Assad, të cilin Z. Putin e konsideron si çelësin e stabilitetit, por që shumica e qytetarëve të vet të llahtarisur e urrejnë.
- Putin mund të ketë nismën tani, por rreziqet për Rusinë, ekonomia e së cilës po vuan nga sanksionet e vendosura për çështjen e Ukrainës dhe me rënien e çmimit të naftës, janë reale. Përpara se të ndërmerrnin veprimet, rusët nuk u përpoqën të punonin mbi një plan së bashku me amerikanët për të garantuar që planet përkatëse të luftës së tyre nuk do të bien ndesh.
Ekspertët ushtarakë thonë se avionët rusë janë të vjetër dhe mund të rrëzohen dhe se armët ruse mund të mos jenë të sakta mjaftueshëm për të shmangur shkaktimin e viktimave civile në shkallë të gjerë. Z. Putin ka shqetësime legjitime për luftëtarët e huaj që kthehen në shtëpi në Rusi nga Siria, por operacioni i tij i ri ushtarak mundet të marrë efekt të kundërt dhe ta kthejë Rusinë në një shënjestër edhe më të madhe të ekstremistëve.
Amerikanët me të drejtë e refuzuan paralajmërimin rus pas nisjes së bombardimeve ajrore që të shmangnin hapësirën ajrore siriane dhe të ndalonin sulmet e tyre ndaj Shtetit Islamik. Z. Obama duhet të punojë me partnerët e Amerikës për një përgjigje të bashkuar ndaj lëvizjeve të Rusisë dhe të gjejë një mënyrë për t’i dhënë fund luftës.
Të mërkurën, Z. Putin tha se shpresonte se pas ndërhyrjes ruse Z. Assad do të ishte i hapur për kompromise. Por me vullnetin e Rusisë për të ndërhyrë direkt në interes të tij, Z. Assad mund të dalë në përfundimin se ai mund të qëndrojë në pushtet përgjithnjë.
Përshtati: Syri.net