Pesha e votës për Flamurin Kombëtar
Nga Halil RAMA*
Risi e zgjedhjeve parlamentare të 25 Qershorit 2017, ishte mbizotërimi i Flamurit Kombëtar në fushatën elektorale të partive garuese. Më e dukshme kjo në fushatën e Partisë Socialiste që fitoi zgjedhjet dhe të PDIU-së që garoi me sloganin “Veç një Atdhe”.
Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ (OBVL), që në themel të programit të saj ka atdheun dhe kombin, vlerëson orientimin e politikës shqiptare tek atdhetarizmi dhe edukimi atdhetar i brezave. Parë nga ky këndvështrim, pavarësisht nga grafiku i rezultateve, për ne është e dukshme pesha e votës për Flamurin tonë kombëtar.
Atdhetarizmi është i pandarë nga mbrojtja e historisë së popullit tonë e veçanërisht nga historia e LANÇ. Si gjendje e brendshme shpirtërore, ai është i gjerë si deti… Ai varet nga psikologjia e ndërgjegjes së sejcilit, nga ndjeshmëria se sa është e rrënjosur dhe kultivuar në mendje dhe në zemrën e sejcilit. Si i tillë, atdhetarizmi, bëhet bashkudhëtar i sejcilit dhe kështu ai i shtrin përmasat e tij tek i gjithë populli. Është shumë domethënëse shprehja popullore: “Kush është atdhetar, është edhe qytetar”. Pikërisht, edhe ky lajtmotiv që mbizotëroi fushatën elektorale të lidershipit socialist ndikoi në fitoren e PS-së. Premisat e këtij ndikimi u dukën që në drekën që Rama shtroi më 5 Maj për veteranët e invalidët e LANÇ dhe për Familjet e Dëshmorëve të Atdheut, të cilët i konfirmuan mbështetjen në këtë garë elektorale. Dhe një llogaritje e thjeshtë aritmetike të çon në konkluzionin se votat e tyre kanë mjaftuar për të paktën pesë deputetë plus për mazhorancën. Është vota e atyre që e kanë më përzemër se askush tjetër Flamurin tonë Kombëtar. Duke shprehur nderimin për ata që bënë Luftën, kryeministri Rama tha se qeveria e tij ka detyrimin dhe nderin të përfaqësojë edhe ata që nuk jetojnë më, që nga ata që dhanë jetën për Shqipërinë që ne duam, edhe për veteranët që ndahen ditë pas dite nga ne. Krejt ndryshe nga kundërshtarët në këtë garë që nuk ua përmendën asnjëherë kontributin në luftën për lirinë dhe çlirimin e atdheut nga pushtuesit, kryeministri Rama, në këtë mënyrë, arriti t’a “përvetësojë” edhe kësaj radhe këtë kontigjent të rreshtuar, si edhe në zgjedhjet e mëparshme përkrah socialistëve.
Një tjetër risi qe fitorja e deputetes më të re, Reme Lala, në qarkun e Dibrës. Në fillimin e garës pati skeptikë që e shihnin me dyshim garimin e saj si përfaqësuese e PDIU me pretendimin se “nuk ka çamë në Dibër”.
Madje drejtues të opozitës e nënvleftësuan forcën e kësaj partie, me këtë pretendim absurd. Me tendencën për t’i mohuar PDIU vizionin kombëtar dhe platformën e bashkimit kombëtar, të ideuar dhe përfaqësuar denjësisht nga lidershipi i saj, opozitarët e sotëm u përpoqën t’ia zbehnin fiktivisht rolin, duke harruar se vetëm para një viti në zgjedhjet e pjesshme për kryetar të bashkisë Dibër, PDIU pati rol përcaktues në fituesin e tyre. Brenda një harku kohor, relativisht të shkurtër, ky subjekt arriti të dominojë skenën politike të Dibër. Nëse para dy vitesh u rendit si forcë e konsiderueshme e mazhorancës, me tre këshilltarë në këshillin Bashkiak të Dibrës, duke marrë rreth 5 mijë vota, në këto zgjedhje Reme Lala e renditi PDIU si forcë të parë në bashkinë e Dibrës.
Dibranët e votuan bijën e tyre të denjtë për t’i përfaqësuar në legjislativin e ri shqiptar, veç të tjerash për faktin se ajo arriti të bindë mbështesit e saj të shumtë se do të përfaqësojë vlerat e dibranëve, që sipas saj, deri më tani nuk e ka bërë askush. Dhe vërtetë, Nëntë Malet e Dibrës kreshnike, që nga Reç e Dardha, Çidhna, Muhurri, Katër Grykët, Luznia, Gryka e Vogël e Gryka e Madhe, të njohura në histori për patriotizmin e tyre ndër shekuj dhe që përbëjnë më shumë se gjysmën e Dibrës, janë nëpërkëmbur, duke mos u përfaqësuar nga asnjë parti gjatë këtyre dy dekadave të fundit. Si përfaqësuese e logos “Veç një atdhe”, Reme Lala, siç ka premtuar, do t’ua kthejë shpresën Dibrës dhe dibranëve, duke shkruar me gërma të arta historinë e tyre. Kësisoj, edhe në Dibër u evidentua dukshëm pesha e votës për flamurin tonë kombëtar, forca e rëndesës të së cilës padyshim anoi dhe anon nga Partia Socialiste.
Kryetari i PS-së, Edi Rama pothuajse gjatë gjithë turit të tij elektoral ka përsëritur se nëse shqiptarët votojnë në 25 qershor nën flamurin kombëtar dhe jo nën flamujt e partive, Shqipëria do të jetë shumë më mirë se sot. Kjo ide ishte mbizotëruese edhe ditën e hapjes të sheshit Skënderbej, ku një nga momentet më emocionuese të ceremonisë ishte ai i ngritjes së flamurit kombëtar. Nën tingujt e orkestrës së Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, trupa e nderit e Gardës së Republikës shoqëroi flamurin kombëtar nga godina e Bashkisë për tek vendi i posaçëm përkrah monumentit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Pas ngritjes së flamurit, u bë dhe ekzekutimi i Himnit Kombëtar.
Edhe për kantautorin dhe prezantuesin e njohur Ardit Gjebrea, ky ka qenë një nga momentet më emocionues. “Momenti më i bukur – ngritja e flamurit në Sheshin Skënderbej”, shkruan Arditi në postimin e tij në Instagram. Tashmë flamuri kuq e zi do të ketë mundësi që të valëvitet krenar përkrah shtatores së Heroit tonë Kombëtar në sheshin e konceptuar si simbol i unitetit të të gjithë shqiptarëve kudo ku ata ndodhen.
Kryeministri Rama bëri fushatë me flamurin kombëtar, duke i lënë pas ngjyrat e partisë. Dhe ia doli ta rendisë PS-në fituese të mazhorancës, pa patur nevojë për koalicion me ndonjë parti tjetër. Brenda kësaj fitoreje, padyshim ka vendin e vetë qëndrimi kombëtar i kreut të mazhorancës edhe në takimet me homologun serb, ashtu si edhe mbrojtja prej tij me forcë e çeshtjes Çame në të gjitha kancelaritë perëndimore.
Një vizion i tillë i kryeministrit Rama për çeshtjen tonë kombëtare, padyshim që duhet përshëndetur nga çdo shqiptar i ndershëm dhe patriot.
*Sekretar i Përgjithshëm i OBVL