PL kërkon interpelancë me ministrin e Bujqësisë, Blushi: Fermerët prag falimentimi
Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka depozituar një kërkesë zyrtare për interpelancë me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andi Salla, lidhur me masat e marra për zhbllokimin e fondeve IPARD, të cilat për të tretin vit radhazi rrezikojnë t’u mohohen fermerëve shqiptarë. Blushi thekson se fondet IPARD janë instrument financiar i Bashkimit Europian për zhvillimin rural dhe nuk janë fonde diskrecionale të qeverisë, por të kushtëzuara nga rregulla strikte transparence, kontrolli dhe llogaridhënieje. Për të dështimi i mekanizmave të menaxhimit dhe kontrollit nga Ministria e Bujqësisë ka sjellë pasoja të rënda financiare për fermerët, me rreth 112 milionë euro ndihma në vit të bllokuara, si edhe pasoja administrative dhe reputacionale për shtetin shqiptar.
KERKESA
Lënda: Kërkesë për interpelancë me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Z. Andi Salla
Drejtuar: Kryetarit të Kuvendit, Z. Niko Peleshi
I nderuar Zoti Kryetar i Kuvendit, bazuar në nenin 80, pika 1 të Kushtetutës dhe në nenin 96 të Rregullores së Kuvendit, paraqes kërkesën për interpelancë me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Z. Andi Salla lidhur me masat e marra për zhbllokimin e fondeve IPARD, që për të tretin vit radhazi rrezikohet t’u mohohen fermerëve shqiptarë. Fondet IPARD janë një instrument financiar i Bashkimit Europian, i projektuar për të mbështetur zhvillimin rural dhe për të përgatitur vendet kandidate për administrimin korrekt të fondeve strukturore të BE-së. Ato nuk janë fonde diskrecionale të Qeverisë, por fonde me rregulla strikte, me standarde të larta transparence, kontrolli dhe llogaridhënieje.
Kërkesa për interpelancë buron nga një shqetësim serioz lidhur me dështimin e mekanizmave të menaxhimit dhe kontrollit të fondeve IPARD nga ana e Ministrisë së Bujqësisë, dështim i cili ka prodhuar pasoja konkrete financiare për fermerët shqiptarë (112 milion euro ndihmë të bllokuara në vit), si dhe pasoja administrative dhe reputacionale për shtetin shqiptar. Të dhëna publike, raporte auditimi dhe zhvillime të njohura së fundmi flasin për parregullsi serioze në fazën e përzgjedhjes, kontraktimit dhe verifikimit të projekteve IPARD, për projekte fiktive, konflikte interesi, mungesë verifikimi në terren dhe dobësi të theksuara në sistemin e kontrollit të brendshëm administrativ.
Dua ta theksoj qartë se përgjegjësia politike për ndërtimin, funksionimin dhe mbikëqyrjen e sistemit i takon Ministrisë së Bujqësisë. Në çdo standard europian të qeverisjes, dështimi i sistemit është përgjegjësi e drejtuesit politik. Keqmenaxhimi i fondeve IPARD nuk është një çështje proceduriale. Ai ka pasoja të drejtpërdrejta:
-Përjashtimin e fermerëve nga skemat e mbështetjes (112 milion euro ndihma në vit),
-Deformimin e konkurrencës në sektorin bujqësor,
-Rrezikimin e besueshmërisë së Shqipërisë ndaj institucioneve të Bashkimit Europian,
-Dhe rrezikun real të pezullimit ose kufizimit të fondeve edhe për vitin e ardhshëm.
Në këtë kuadër, kërkoj përgjigje të sakta dhe të dokumentuara për çështjet e mëposhtme:
-Cili ka qenë modeli i menaxhimit dhe kontrollit të fondeve IPARD i zbatuar nga Ministria e Bujqësisë dhe kush mban përgjegjësi për devijimet nga manualet dhe udhëzimet e BE-së?
-Sa projekte janë kontrolluar përmes verifikimeve në terren para dhe pas disbursimit të fondeve, dhe cilat kanë qenë gjetjet kryesore?
-Cilat janë shkeljet administrative ose financiare të konstatuara nga auditimet e brendshme apo të jashtme, dhe cilat masa disiplinore janë marrë?
-Cili është impakti financiar i parregullsive të konstatuara dhe a ka pasur kërkesa për kthim fondesh nga ana e Bashkimit Europian dhe në çfarë vlere financiare?
-Çfarë masash strukturore ka ndërmarrë ministria për të garantuar se skemat e ardhshme IPARD do të jenë në përputhje të plotë me acquis të BE-së?
Ministria e Bujqësisë ka detyrimin të sqarojë publikisht:
-se ku ka dështuar sistemi,
-kush ka mbajtur përgjegjësi administrative,
-dhe çfarë reformash konkrete janë ndërmarrë.
Kjo interpelancë është ushtrim i kontrollit parlamentar dhe mbrojtje e interesit publik. Transparenca dhe llogaridhënia nuk janë opsionale, por detyrim kushtetues. Mbetem në pritje të caktimit të datës së zhvillimit të interpelancës, në përputhje me afatet e përcaktuara në Kushtetutë dhe Rregulloren e Kuvendit.
KOHA JONË SONDAZH
A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?
Results
Vota totale: 9231

