Po shesim pjesë të sovranitetit ekonomik kombëtar
Nga Pano Soko
Samiti i Triestes dhe ato ç’ka dolën prej andej, vështirë se mund të superojnë në garën për vëmendjen popullore Këndin Virtual të Fletërrufeve. Tashmë u mësuam që shashkat mediatike të prevalojnë mbi çështjet e rëndësishme, nuk ndodh për herë të parë. Dhe kjo nuk është një gjë e mirë.
Samiti i Triestes është shumë i rëndësishëm. Më besoni, është ekstremisht shumë i rëndësishëm!!
Dhe unë prandaj dua të ndaj opinionin tim mbi atë që ndodhi aty dhe ato që priten të ndodhin për shkak të tij.
Pikë së pari në lidhje me prezantimin me duar nē xhepa që qeveria bëri. Është dëshpëruese të shikosh që një rast kaq i mirë për të përfituar nga fonde të posaçme të vëna në dispozicion, shpërdorohet thjesht dhe vetëm për shkak të paaftësisë se instancave qeverisëse për të hartuar dy projekte të thjeshta.
Ne kemi 1001 halle që mund të mbyllnim, por nuk e bëmë. Natyrisht, sepse mesa duket, është më e thjeshtë të ngresh taksat, sesa të bësh dy projekte për të përfituar nga lekët qyl të donatorëve.
Fati ynë i trishtë…
E dyta dhe më e rëndësishmja, ka të bëjë me krijimin e Zonave të Lira Ekonomike të përbashkëta. Duket qartë që kjo është një lëvizje ekonomike që më vonë do të shtrihet dhe në plan ekstra-ekonomik (ndoshta dhe politik, siç përmendet gjerësisht këto ditë në media), por unë do t’i qëndroj besnik aktualitetit, një këndvështrim thjesht ekonomik.
Unë jam skeptik.
E para sepse jam i paqartë. Është një projekt i paqartë, peng i një tog-fjalëshi shabllon, por aspak transparent. Shumë flu, me shumë ujra, shumë turbull..
-Kush është qëllimi i këtij operacioni?
-Sa i thellë do të jetë fuzioni? A flitet për një union doganor, apo shkon edhe më thellë?
-A ekziston një person në Shqipëri që e ka të qartë projektin nga A-ja te ZH-ja, që e ka studiuar dhe vlerësuar dhe që eshtë në gjendje ta mbrojë përpara publikut?
-Madje më konkretisht, a ka një projekt të qartë nga A-ja te ZH-ja, a ekziston një i tillë, që analizon rrethanat, kushtet dhe efektet që do ta ndjekin implementimin e tij?
Në thelb po shesim pjesë të sovranitetit ekonomik kombëtar, por a po përfitojmë gjë nga kjo? A ka dikush që e di?
E dyta. A e kanë të qartë ata që e mbështesin këtë projekt se qendra e gravitetit ekonomik të rajonit është Serbia? Ka numrat, ka tregun, ka kapacitetet me të mëdha. Dhe marrveshje të tilla FTA, natyrshëm që favorizojnë më të madhin në kurriz të më të dobtëve. Sillni në mend Gjermaninë në Europë.
Në këtë lojë, size does matter (madhësia ka rëndësi).
Logjikisht, nëse një bulldogu dhe një chihuahua, nuk i ushqen më në tasa veç e veç, por racionin e të dyve ua hedh në një tas të përbashkët, është bulldogu ai që do të hajë dhe nga racioni i chihuahua-s. E kundërta s’ka shance të ndodhë.
E dyta. Ku po shkojmë? A e dimë se ku po shkojmë? Personalisht më duket sikur po i hyjmë një rruge qorre, që një dreq e di se ku na nxjerr. Përpara disa muajsh dëgjova ish-kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa, që me një natyrshmëri të pastër, kur shprehte kundërshtinë ndaj propozimit të Vuçiç, shtroi të njëjtën pyetje – Ku po shkojmë?
Varësia ekonomike, sjell ndërvarësi politike, thotë një postulat. A e dimë që me marrveshje të tilla do të devijojmë udhën dhe do të krijojmë varësi ekonomike ndaj vendeve që nuk i kemi aktualisht dhe që më pas do të rrisin influencën e tyre politike? Isa Mustafa e di mirë këtë, sepse Kosova e tij aktualisht është peng i një ndërvarësie të ngjashme me atë që do të krijojmë dhe ne. Pse duhet të krijojmë ndërvarësi të tilla artificialisht?
Projekti ynë i qartë është fuqizimi i ekonomisë tonë dhe përfitimi maksimal nga avantazhet krahasuese, në dobi të mirëqënies së njerzve. Jo detyrimisht hyrja në BE, por arritja e standarteve të vendeve të BE-së. BE-ja pastaj le të na bëjë pjesë, kur ta vendosim bashkarisht, të rëndësishme janë standartet. E rëndësishme është mirëqenia e shqiptarëve. Këtë a e bëjmë dot? Ky është misioni.
Hajde mos ngatërrohemi kot me projekte të mëdha me ekuacione të komplikuara matematikore që s’kemi veshka t’i mbajmë.
Se duhet të jemi të qartë që Vuçiçi kur e prezantoi si propozim, është e sigurtë që nuk e bëri se mendonte më të mirën për shqiptaret.
Kështu që Rama duhet të mendohet mirë kur jep mbështetje pa kushte, sepse do të ishte krimi më i madh që fatet e një kombi të trajtoheshin si bakshish për një qokë politike.