Prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari për katërshen e UÇK-së: Dhjetë milionë shqiptarë presin drejtësi për çlirimtarët

Prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari thotë se ish-krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në Hagë, duke thënë se ndaj tyre nuk ka prova bindëse për akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale, raporton Ekonomia Online. Në një takim të mbajtur në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hajdari tha se gjykimi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së nuk ka elemente të drejtësisë evropiane.

”Ne kemi katër burra, drejtues të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në burg, gjashtë vjet. Tashmë është e qartësuar për të gjithë opinionin publik shqiptar, por edhe ndërkombëtar, qoftë ky evropian, qoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kudo në botë, njerëz që duan të marrin vesh të vërtetën, që presidenti Hashim Thaçi dhe tre shokët e tij janë pjesë e një kombinacioni të ndyrë që s’ka asnjë element të drejtësisë evropiane, që s’ka prova bindëse për të vërtetuar asnjë nga akuzat e rënda që ka ngritur Prokuroria Speciale”, tha ai.

Hajdari tha se qëndrimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë ka dëshmuar mungesën e provave ndaj tyre. “Ne treguam, ato katër burra treguan, që ne jemi shqiptarë që i ngremë duart tona në një mekanizëm ligjor për t’u hetuar. Dhe na kanë krijuar mundësinë, na kanë bërë krenarë, që falë qëndresës tyre stoike i kanë treguar gjithë botës që për ato akuza që ata akuzohen nuk ka asnjë provë. I gjithë aktiviteti i organizatës së veteranëve, i shoqatave patriotike dhe kulturore këtu në Kosovë, në Shqipëri, Maqedoni, në Preshevë, Malësi, nuk ka pushuar me mitingjet që janë bërë nëpër të gjithë qytetet tona kryesore. Ne shpresojmë te drejtësia e tyre. E pret një komb i tërë. Nuk e pret vetëm Kosova, po e pret Shqipëria, Maqedonia, shqiptarët që janë në Evropë, shqiptarët që janë në Amerikë. Dhjetë milionë shqiptarë presin drejtësi për çlirimtarët. Kurrë nuk mund të ndodhë të barazohet viktima me agresorin”, tha ai.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ai shtoi se dëshmitarët e paraqitur nga mbrojtja kanë qenë figura me kredibilitet të lartë ndërkombëtar. ”Dëshmitarët që paraqitën katër udhëheqësit e luftës çlirimtare të Kosovës ishin dëshmitarë potencialë, duke filluar me ish-zyrtarët më të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zyrtarët e agjencive ligj-zbatuese dhe politikanë me integritet të padiskutueshëm, të cilët iu treguan gjyqtarëve dhe prokurorëve që këta katër burra mbahen padrejtësisht në burg. Kështu që, duke shpresuar në pafajësinë e tyre, duke e pranuar këtë dekoratë që marr nga kjo shoqatë me përulje, jam krejtësisht i sigurt në pafajësinë e tyre dhe shpresoj që shumë shpejt të çlirohemi nga ky makth i madh dhe njerëzit që janë atje, presidenti Thaçi dhe tre zyrtarët e tjerë të lartë të UÇK-së, të fitojnë lirinë në mënyrë dinjitoze dhe të kthehen pranë familjeve të tyre, pranë vendit të tyre për të dhënë kontributet e tyre në zhvillimin e Kosovës, me integrimin e Kosovës, me integrimin e kombit shqiptar pjesë e familjes së madhe euro-atlantike”, tha ai.

Swiss Digital Mobile Reklama

Hajdari u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të kenë më shumë përkujdesje për veteranët e luftës. “Përfitoj nga rasti të bëj një thirrje njerëzore për të gjithë politikën në Kosovë që të kthejë vëmendjen tek veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata janë krenaria jonë. Një pjesë e madhe e tyre kanë humbur fëmijët, kanë humbur vëllezërit në luftë. Një pjesë e madhe e tyre janë të sëmurë, kanë nevojë për mjekim, kanë nevojë për kurim. Është obligim i çdo qeverie që heronjtë e vet, dëshmorët e vet, që kanë siguruar këtë liri që kemi sot, t’i mbështesin në të gjitha mënyrat”, tha ai.

Dekorata e marrë nga prefekti Shkëlqim Hajdari nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush është problemi; Edi Rama apo Sali Berisha?