
Kryeministri Edi Rama ka dalë në mbrojtje të Policisë së Shtetit, duke vlerësuar sjelljen e efektivëve gjatë protestave dhe duke kundërshtuar mënyrën se si veprimet e policisë janë pasqyruar në ekranet televizive.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama pretendon se Policia e Shtetit, pavarësisht dhunës së ushtruar ndaj saj, nuk ka dalë nga misioni i saj dhe ka vijuar të përmbushë detyrën. Ai kritikon mediat për atë që e cilëson si një pasqyrim të njëanshëm të ngjarjeve, duke akuzuar një pjesë të tyre se kanë vënë në shënjestër uniformat blu.
Kryeministri e konsideron të padrejtë portretizimin e policisë si përgjegjëse për dhunën gjatë protestave, ndërsa vë në pikëpyetje pretendimet për karakterin studentor të protestës.
Postimi i plotë
Ja PASQYRA E TURPIT të ekraneve televizive, ku “studentët” u bënë viktimat e një dhune shtazarake dhe Policia e Shtetit u bë monstra mizore që masakronte orë e minutë të reja e të rinj të pafajshëm. Shikojeni raportin mes policëve të plagosur dhe protestuesve të lënduar në vendet e tjera demokratike, ku flama e terrorit të ANTIFA-s po djeg e shkatërron në qytetet e Europës.
Kudo ka shumë më tepër protestues të lënduar se sa policë të plagosur, siç është krejt normale të ketë. Ndërsa në Tiranë bilanci është i përmbysur. Sepse në realitet, Policia e Shtetit ka qenë në lartësinë e detyrës, duke mos e lënë asnjëherë dhunën e pësuar që ta nxjerrë atë nga binarët e misionit të saj demokratik. Por realiteti i Tiranës është zëvendësuar me një realitet tjetër në ekranet e kësaj flame dhune e terrori psikologjik antishtet.
Që nga lajmet e mëngjesit deri te emisionet e VIP-ave të mbrëmjes, duke kaluar përmes direkteve të mbushura me patetizmat e një revolucioni studentor imagjinar, u heroizua një turmë e larmishme prej 1500 vetësh në kulmin e vet, e cila s’kishte asnjë fije gjë të përbashkët me hallet, problemet, nevojat, dhimbjet e shpresat e studentëve apo familjeve shqiptare, ndërkohë që u shënjestrua me një paturpësi kriminale Policia e Shtetit.
Këta të ekraneve, ku pjesa më e madhe jeton me korrupsion, me paga marramendëse, renta javore, reklama instagrami e deri edhe podkaste të ushqyera me para nën dorë, një armatë grabitësish të pensionistëve që deklarojnë pak e fitojnë qamet duke përzier ditë e natë një çorbë të shpifur urrejtjeje, vulgariteti e banaliteti, ndërkohë që gazetarë e kameramanë terreni trajtohen si skllevër për bukën e gojës, janë edhe më fajtorë për ditët e terrorit mbi popullin e Shqipërisë, se sa ata që hedhin qorrazi gurët e dhunës.
*** I vura studentët në thonjëza në krye të fjalëve, sepse shumë shpejt do t’i shikoni me fytyrë e me fakte, plot prej heronjve të maskuar që terrorizuan popullin shqiptar me fantazmën e vitit ‘97 dhe që s’kanë asnjë lidhje me Universitetin e me jetën studentore.
STUDENTËT E VËRTETË JANË ATA QË DUAN TA SFIDOJNË POLITIKËN DHE QEVERINË PA NGRITUR DORËN KUNDËR KUNDËR PRONËS PUBLIKE E PRIVATE, PO DUKE TREGUAR ME GISHT PLAGËT QË KËRKOJNË SHËRIM ME DIALOG DHE ANGAZHIM TË PËRBASHKËT.
