Punuan gjatë pensionit, falen detyrimet për një pjesë ish-ushtarakësh dhe minatorësh
Një pjesë e pensionistëve, invalidëve, apo ish ushtarakëve të cilët kanë punuar në kohën kur merrnin pension, do t’ju falen detyrimet. Është ky vendimi i qeverisë, i cili parashikon që 1 mijë persona t’ju zerohet masa e debisë, e cila është llogaritur nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
Qeveria thotë se falen detyrimet për një pjesë të invalidëve dhe personat që kanë punuar në nëntokë, ndërkohë që për ata që kanë marrë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe pension suplementar, nuk ju falen detyrimet.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka informatizuar sistemin e pensioneve dhe njëkohësisht nga tatimet transmetohen në formë digjitale të dhënat për kontributet e sigurimeve shoqërore të personave të punësuar dhe të vetëpunësuar.
Nga një verifikim që i është bërë regjistrit elektronik të përfitimeve dhe bazës së kontributeve të transmetuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është konstatuar se një numër i caktuar personash, krahas përfitimit të pensionit sipas ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, apo pensionit të invaliditetit sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, të ndryshuar, qoftë të plotë apo të pjesshëm, për periudha të ndryshme, kanë qenë të punësuar, madje disa prej tyre edhe sot vijojnë të jenë të punësuar. Gjithashtu, nga përplasja e këtyre të dhënave, kanë rezultuar të punësuar edhe ushtarakë në pension të parakohshëm, të cilët në deklaratat e tyre vjetore pretendonin të ishin të papunë, punonjës të universiteteve dhe shkollave të larta, të cilët kanë titutj shkencorë apo persona që kanë kryer funksione kushtetuese dhe punonjës të shtetit. Këtyre personave i është pezulluar përfitimi dhe iu është vlerësuar masa e debisë.
Nga të gjitha shtresat e konstatuara më lart, nisur nga problematika komplekse e ardhur edhe për shkak të moskoordinimit mes institucioneve, mes tyre dhe punëdhënësve, ku personat e deklaruar invalidë të plotë nuk lejohet të punojnë dhe ato me rekomandime nga mjeku për punë në kushte të caktuara duhet të punojnë në këto kushte, si dhe për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike të këtyre kategorive, janë përzgjedhur për të përfituar nga kjo falje rreth 1 000 persona në pension invaliditeti dhe pension pleqërie të parakohshëm. Ndërkohë që nuk mund të përjashtohen nga detyrimet, pra nuk mund të jenë subjekte të kësaj fajljeje personat në pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi apo pension suplementar, të cilët kanë deklaruar se janë të papunë dhe vijojnë të jenë të punësuar, si ushtarakët apo punonjësit e universiteteve dhe shkollave të larta, të cilët kanë titutj shkencorë si dhe personat që kanë kryer funksione kushtetuese apo punonjësit e shtetit/Shqiptarja.com