
Deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Vengu ka reaguar ndaj akteve të dhunës në rrugët e kryeqytetit, duke akuzuar organizatorët e tyre se pas protestave nuk qëndrojnë qytetarë të angazhuar për kauza publike, por persona të nxitur nga interesa politike.
Në reagimin e tij, Vengu kritikon gjithashtu atë që e cilëson si hipokrizi të një pjese të elitës dixhitale, e cila, sipas tij, përpiqet të kriminalizojë reagimet kundër dhunës, ndërsa hesht për sulmet ndaj institucioneve dhe godinave historike.
Ai përmend Teatrin e Kukullave, Hotel Dajtin, Kuvendin dhe godinat historike të ministrive, duke vënë në dukje kontrastin mes reagimeve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe heshtjes për dëmtimin e këtyre objekteve gjatë përplasjeve. “Edhe shteti është trashëgimi!”, shkruan Vengu, duke u bërë thirrje atyre që mbështesin mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të dënojnë qartë dhunën ndaj institucioneve, monumenteve dhe godinave historike.
Postimi i plotë
Sot u pa qartë se pas dhunës në rrugët e kryeqytetit nuk qëndrojnë qytetarë me kauzë, por njerëz të furnizuar në selitë e partive dhe gjetkë, që besojnë se pushteti merret duke djegur shtetin.
Ndërkohë, nën shkëlqimin e rremë të rrjeteve sociale, elita dixhitale pa mandat përpiqet të kriminalizojë reagimin publik kundër dhunës. Hipokrizi ulëritëse!
Ata që mbronin Teatrin me shtuf në emër të trashëgimisë, sot nxisin dhe u bëjnë «like» sulmeve ndaj Teatrit të Kukullave, Hotel Dajtit, Kuvendit dhe godinave historike të ministrive. Pikëllohen për kalldrëmet kur i heq shteti. Kur i shkul turma për të goditur policët, heshtin.
Trashëgimia ka vlerë vetëm kur shërben për të akuzuar qeverinë? Apo kur e dhunon turma, pushon së qeni trashëgimi?
Edhe shteti është trashëgimi! Kush e ka pasur për kauzë mbrojtjen e trashëgimisë, le ta thotë qartë: ndal dhunimit të institucioneve, monumenteve dhe godinave historike!
Nuk do të presim fundin e heshtjes suaj për të mbrojtur rendin publik.
