Qeveria insiston: Rihapje dosjeve të korrupsionit!

 Cilësuar asokohe, si një nga sulmet e para, por në të njëjtën kohë edhe simbol të qeverisjes së tashme, kundrejt asaj të shkuar, lidhur me të ashtuquajturat “dosjet e korrupsionit”. Të cilat në fakt pretendoheshin, ose më mirë përfliteshin të ishin më shumë sesa ato që i janë paraqitur realisht organit të akuzës, ndaj ish-ministrave të kabinetit të djathtë. Por që gjithsesi, insistimi për rihapjen e njërës prej tyre, siç është rasti i ish-ministrit Imami, flet për një vazhdimësi të insistimit qeveritar për çuarjen e gjykimit të tyre deri në fund. Konkretisht, ministrja aktuale e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, i ka kërkuar zyrtarisht gjykatës që të vërë në lëvizje prokurorinë për të rihetuar çështjen për të cilën është kallëzuar ish-ministri i Mbrojtjes Arben Imami, pasi organi i akuzës vendosi të pushojë hetimet rreth saj. Konkretisht në kërkesën e saj drejtuar gjykatës së Tiranës, argumentohet fakti se shkeljet ligjore te ish-ministrit Imami i sollën shtetit një dëm ekonomik kolosal dhe se ai së bashku me zyrtarët e tij duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore për shkeljet e kryera. Duke shtuar më tej se prokuroria ka marrë një vendim të gabuar dhe ka argumentuar jo ligjërisht faktet e paraqitura në dosje. Prandaj ministrja i kërkon asaj që të mbledhë prova dhe dëshmi të reja të cilat do të shërbejnë sipas saj, për zbulimin e të vërtetës rreth abuzimeve të pretenduara nga ministria, përsa i përket shkeljeve të ish-ministrit Arben Imami. Dhe teksa e shohim “të kopsitur” në këtë mënyrë kërkesën e Kodhelit, të bie qartë në sy, se ajo jo vetëm që nuk pati një tërheqje nga kërkesa e saj fillestare për hetim të paraardhësit të saj në dikasterin e Mbrojtjes, porse kërkon vazhdimësi të saj. Çka të shtyn të mendosh, se është në tërësi deviza e kësaj qeverie të vazhdohet në rrugën e hetimit të dosjeve që implikojnë në afera apo shkelje ligjore dhe financiare të rënda ish-anëtarët e kabinetit qeveritar “Berisha”. Devizë kjo në të cilën duket se ka ecur edhe ministri aktual i Financave, Shkëlqim Cani, teksa i paraqutir gjithashtu para pak kohësh organit të akuzës një padi e cila implikonte ish-ministrin e Financave, Ridvan Bode. Hetimi i së cilës, ende nuk ka dalë me përfundime zyrtare, por që gjithsesi flet për një impenjim qeveritar ndaj ndëshkimit të ish-ministrave që kanë shpërdoruar postet dhe paratë e shtetit. Edhe pse ky ndoshta në një nivel që ende lë për të dëshiruar, teksa ka ende ish-ministra të cilëve nuk u ka hyrë ende gjemb në këmbë, lidhur me shkeljet e së kaluarës, paçka shigjetimeve të shpeshta që janë bërë ndaj tyre prej qeveritarëve aktualë. Gjithsesi, kërkesa e djeshme e Kodhelit, mund të shihet si një sinjal ndërveprimi të qeverisë në këtë rrugë, për t’i goditur kësisoj në mënyrë të tërthortë të gjitha ata. E për t’u lënë të kuptohet, se beteja e sulmit të saj ndaj të ashtuquajturave “dosje të korrupsionit”, edhe pse jo e fortë, është ende aty, në pritje për t’u rishfaqur sërish. Për të goditur ndonjë që deri më tani akoma s’e ka pësuar prej saj.

 

QËNDRIMI

“Duke qenë se ato dosje janë hartuar si pasojë dhe rezultat i gjetjeve të inspektimit të brendshëm dhe auditimit në Ministrinë e Mbrojtjes, mendoj që në të gjitha rastet duhet të mjaftonin për të nisur një procedim penal, ndaj kujtdo që ishte përgjegjës”. Kështu është shprehur ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, së fundmi gjatë një interviste, lidhur me qëndrimin e saj ndaj prokurorisë, e cila ka mbyllur dosjen me akuza ndaj paraardhësittë saj.

 

DYSHIMI

Pavarësisht se kanë kaluar muaj nga akuzat e forta të mazhorancës së sotme, mbi përgjimin e saj gjatë kohës kur ishte në opozitë, kësaj pyetjeje prokurorët e Tiranës e kanë të pamundur t’i japin përgjigjje, duke qenë se ekspertët e policisë shkencore, nëpërmjet një shkrese të depozituar javën e fundit, i thonëe organit të akuzës se nuk posedojnë pajisje, që të gjurmojnë aparaturën ushtarake, duke qenë se ajo ka një sistem të padepërtueshëm.  

“Në këto kushte, – thanë burime pranë Prokurorisë së Tiranës, – grupi i hetimit ka kërkuar ndihmën e një ambasade të njohur në Tiranë, në mënyrë që të asistojë me ekspertizë të fjalës së fundit”. Po kështu, hetuesit kanë kërkuar edhe ndihmën e kompanisë, që ka prodhuar pajisjen e blerë nga SHIU shqiptar, e cila ndodhet me seli në Izrael. Nga ana tjetër, prokurorët kanë pyetur për herë të fundit ish-shefin e Shërbimit Informativ të Ushtrisë, Ylli Zyla, i cili ka këmbëngulur se pajisja nuk është përdorur fare brenda territorit shqiptar, pasi sipas Zylës ajo ishte blerë për misione sekrete jashtë vendit. Në kallëzimin e disa muajve më parë thuhet se kjo pajisje e SHIU-t, e blerë me vlerën e gati 1 milionë e 500 mijë eurove, është përdorur për të përgjuar politikanë, veçanërisht të majtë, si dhe diplomatë në Tiranë.  Paralelisht me dyshimet, se aparatura është përdorur në shpërdorim të detyrës, Prokuroria e Tiranës po heton për shkelje të ligjit mbi procedurat e blerjes së pajisjes.

 

 

SHKARKO APP