QKB: Biznesi, edhe nesër afat për dorëzimin e bilanceve

Data 31 Korrik është afati i fundit për dorëzimin online të bilanceve dhe pasqyrave financiare në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Pas kësaj penaliteti që çdo biznes duhet të paguajë në rast mosdorëzimi është 15,000 lekë.

Mësohet se fluksi i aplikimeve ka qenë i lartë këto ditë, ky vetëm gjatë të premtes ishin në pritje mbi 1,000 aplikime, duke sjellë edhe mbingarkesa të sistemit. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjitshme të Tatimeve janë 21,837 subjekte që kanë detyrim të depozitojnë pasqyrat financiare dhe bilancet.

Ky është viti i dytë që bizneset duhet të bëjnë dorëzim elektronik. Nga ky detyrim përjashtohen vetëm bizneset e huaja, duke qenë se këta shtetas nuk janë të regjistruar në Regjistrin e Gjendjes Civile, ndaj verifikimi për ta bëhet nga punonjësi pranë sporteleve.

Bazuar në dispozitat e ligjit Nr.9723, datë 3.5.2007 “Për regjistrimin e biznesit”, i ndryshuar, subjektet, që kanë detyrimin e hartimit të pasqyrave financiare vjetore, raportit të ecurisë së veprimtarisë dhe raportit të auditimit, të mbajtur sipas kërkesave ligjore, në rastet kur mbajtja e këtyre dokumenteve është e detyrueshme, dhe që nuk i kanë depozituar më parë brenda 30 ditëve kalendarike nga data e hartimit të aktit të detyrueshëm për t’u regjistruar, detyrohen në çdo rast t’i depozitojnë këto dokumente, jo më vonë se 7 muaj nga data e mbylljes së çdo viti financiar.

Për herë të parë në vitin 2015 u bë e mundur që të gjitha pasqyrat financiare dhe bilancet të mund të dorëzoheshin tërësisht në rrugë elektronike.

Sipas të dhënave zyrtare, u depozituan online 12,185 bilance dhe 75,000 pasqyra financiare, shifra që ishin 47.5% më të larta se 2014-a.

Mënyra e depozitimit:

1. Depozitimi i dokumentave të sipërcituara mundësohet vetëm nëpërmjet aplikimit online në portalin qeveritar e-albania , duke ndjekur të gjitha hallkat e procedurës për kryerjen e aplikimit.
2. Formati elektronik i ruajtjes së pasqyrave financiare, duhet të jetë në PDF.
3. Individi, i cili do të kryejë aplikimin, duhet të jetë i pajisur me kartë identiteti ose pasaportë biometrike.
4. Shërbimi ofrohet pa pagesë.

SHKARKO APP