“Radiografia” e parë e një virusi; ja të mirat që i sjell shkencës
Një lazer me rreze X, mund t’iu bëjë viruseve radiografi, duke iu mundësuar shkencëtarëve që të njohin strukturën e tij pa e dëmtuar. Lajmi është publikuar në revistën “Nature Methods” ,ku thuhet se kjo shpikje do të bëjë të mundur studimin e një strukture biologjike me një saktësi që nuk është arritur më parë, në më pak kohë dhe me shumë më pak materiale.
Kjo metodë është konceptuar nga një grup kërkuesish shkencorë ndërkombëtarë, i koordinuar nga qendra kërkimore gjermane “DESY” në bashkëpunim me qendrën kërkimore britanike “Diamond”.
Ekzaminimi i strukturës tridimesionale të molekulës biologjike është shumë i rëndësishëm për të kuptuar funksionimin e tyre (molekulave) dhe të proceseve biologjike thelbësore që ndodhin në organizëm. Në këtë fushë, rrezet X kanë qenë gjithmonë një instrument i vyer për të zbuluar strukturat e mijëra molekulave: proteinat zhvillohen në kristale të vogla, ndriçohen me rreze X dhe në varësi të formave të tyre reflektohen në mënyra të ndryshme.
Por, teknika e përdorur deri tani ka edhe të meta : kërkon shumë kohë dhe mostra, sepse çdo kristal i goditur me lazer jep një imazh të vetëm dhe pastaj shkatërrohet.
Kërkuesit kanë konceptuar një metodë më efikase duke përdorur një çip që përmban mijëra pore të vogla që vendosen në kristalet proteinike dhe skanohen nga lazeri rresht për rresht. Kjo teknikë u testua në Akseleratorin linear pranë Universiteti të Standfordit duke përdorur dy mostra të ndryshme virusesh ; i pari në temperaturë ambienti, i dyti në temperaturën – 180 °C.
Në të dyja rastet, kërkuesit grumbulluan të dhëna të mjatueshme për të kuptuar strukturën e virusit në pak minuta.“Qasja jonë jo vetëm redukton kohën dhe sasinë e mostrave të nevojshëm, por edhe krijon mundësinë e studimit të virusit në tërësinë e tij, falë përdorimit të lazerit me rreze”, saktësoi drejtuesi i grupit Alke Meents.