Rama: INSTAT na dha të drejtë, punësimi u rrit

“Anketa më e fundit e Forcave të Punës e publikuar pardje nga Instituti i Statistikave, faktikisht provon atë që ne kemi argumentuar disa ditë më parë, lidhur me numrin e rritur ndjeshëm të të punësuarve që figurojnë në librin e llogarive të Sigurimeve Shoqërore”. Me një deklaratë të tillë, kryeministri Edi Rama rikonfirmoi faktin se gjatë qeverisjes së tij më shumë se 1-vjeçare, punësimi si i tillë në rang vendi, ka njohur vetëm rritje. E gjithmonë duke iu referuar shifrave të INSTAT-it, ai tha se krahasuar me tremujorin e III-të të vitit 2013 shkalla e punësimit është rritur me +3.7 pikë përqindje. Që do të thotë sipas tij se ajo çka është thënë disa ditë më parë, përsëri verifikohet, dhe se ka një rritje të ndjeshme të besimit se mundësia për punë është më e madhe se ç’ishte. “Çka i bën njerëzit në kërkim të një pune të regjistrohen si punëkërkues. Rritjen e regjistrimeve të punëkërkuesve ne nuk e shikojmë si rritje të papunësisë, por e shohim si rritje të forcave të gatshme për punë, në kushtet e rritjes së besimit. Ky është një vlerësim që nuk është subjektiv i yni, por është një vlerësim që kështu bëhet në të gjithë botën normale”, theksoi gjithashtu kreu i qeverisë. Për të shtuar më tej se krahasuar me tremujorin e II-të të këtij viti, kemi një rritje të shkallës së punësimit me +1.8 pikë përqindje, por edhe një rritje të shkallës së pjesëmarrjes në forcat e punës me +2.1 pikë përqindje. “Gjatë tremujorit të III-të të vitit 2014, totali i të punësuarve është rritur me +8.18% krahasuar me Tremujorin e III-të të një viti më parë”, rikonfirmoi më tej Rama. Për të theksuar në të njëjtën kohë se Anketa e Forcave të Punës është një lajm shumë i mirë dhe shumë inkurajues për “Aleancën për Shqipërinë Europiane” dhe për shumicën e përfaqësuar sot në Kuvend, që sipas tij, të çojë më tej programin e saj të punësimit duke vazhduar  të insistojë tek industria përpunuese, tek prodhimi vendas në bujqësi, blegtori dhe në tërësi në fshat etj. Sepse sipas kryeministrit Edi Rama, nei kemi të gjitha mundësitë që në këto drejtime të krijojmë me shpejtësi vende të reja pune dhe që sot një vit të kemi një rritje ende më të madhe të forcave të punës të përfshira në punë dhe të forcave të punës që aktivisht kërkojnë punë. Duke përfunduar se nuk duhet lënë mënjanë, por përkundrazi, duhet parë me shumë vëmendje tanimë, edhe një sektor ku jemi ende mbrapa, turizmi. “Jemi ende mbrapa, sepse në këtë sektor kemi një hapësirë të madhe të pashfrytëzuar të punësimit. Pikërisht për të stimuluar këtë sektor ne do të sjellim shumë shpejt në Parlament projektin e ri ligjor, bashkë me projektin e ri të stimulimit të investimeve të huaja”, premtoi ai.

 

+3.7%

Në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar 2013, rezulton sipas Institutit të Statistikave rritja e nivelit të punësimit në rang vendi tremujorin e tretë të këtij viti

 

+1.8%

Në krahasim me tremujorin e dytë të këtij viti, rezulton sipas Institutit të Statistikave rritja e nivelit të punësimit në rang vendi tremujorin e tretë të këtij viti

SHKARKO APP