Rama në fabriken e kromit në Kalimash: Ne vetëm letra kemi

Një fabrikë e re i është shtuar industrisë sonë minerare. Fabrika e pasurimit të kromit në Kalimash ka nisur prodhimin, duke mbyllur fazën e parë të investimit prej 3.5 milionë euro. Kryeministri Edi Rama ishte në këtë fabrikë, ku pa një investim të rëndësishëm që rrit kapacitetet e industrisë përpunuese dhe të eksportit. Instalimi i teknologjisë së fundit në fushën e përpunimit të mineraleve e rendit ndër fabrikat e avancuara në rajon. Faza e dytë e investimit me vlerë 1.1 milionë euro parashikon përmirësimin e mëtejshëm të teknologjisë së përpunimit dhe kalimin në proces të plotë, prodhimin e ferrokromit.
“Është një fabrikë e re, një teknologji e kohës. Investimi total kap një vlerën rreth 3.5 milionë euro, faza e parë. Faza e dytë do të jetë 1.1 milionë euro. Është një metodë e re që nuk është përdorur deri më sot, metoda e pasurimit elektromagnetik. Tashmë, gjithë këto minerale në gjendje të fjetur do të aktivizohen,” – shpjegon investimin një nga investitorët e saj, Bukurosh Koçi.
Fabrika është investim i Eurochrome, një shoqëri e përbashkët shqiptaro-austriako-suedeze. Investitori suedez nënvizoi se një ndër avantazhet e rëndësishme të teknologjisë në përdorim është ruajtja e mjedisit. “Po ndërtojmë një impiant shumë modern, në avangardë, që është shumë efikas përsa i përket energjisë, si edhe përsa i përket ruajtjes së të gjitha energjive, që respekton mjedisin. I gjithë uji ynë do të shkojë në qark të shkurtër, nuk përdorim asnjë lloj kimikati dhe nuk kemi rrjedhje.”
“Për herë të parë futet në Shqipëri, një teknologji e avancuar, – shpjegoi më tej inxhinier Genc Demi, – e cila kursen energji dhe e pasuron kromin pa kaluar në proceset e shtrenjta të bluarjes.”
Kapaciteti përpunues i fabrikës është 40 mijë ton në vit mineral i parapasuruar dhe koncentrat kromi, i destinuar kryesisht për eksport. Projeksioni është për pasurimin e 150-200 mijë ton mineral kromi i varfër. “Gjëja e veçantë që ka fabrika, – theksoi investitori shqiptar, Bukurosh Koçi, – është se ulet kosto e përpunimit dhe del një produkt, i cili mund të shkojë direkt për eksport Ky mineral ka hyrë në procesin e pasurimit me 8% oksid kromi, tani është 39%. Është gati për eksport ose për furrë, për shkrirje. Kemi ndërmend të kalojmë dhe në proces të plotë, që të prodhojmë ferrokrom.”
Investitorët falënderuan për mbështetjen e qeverisë, e cila, u shprehën ata, në një kohë rekord i pajisi me lejen e ndërtimit, që bëri të mundur ndërtimin pa vonesa të fabrikës. Ata gjetën mbështetjen e Kryeministrit edhe në ambicien e tyre për të zgjeruar investimin në fushën e shfrytëzimit të mineraleve.  “Me fat që kemi këto mundësi e ka njerëz që bëjnë këto investime. Ne vetëm letra kemi e letrat duhet t’i bëjmë me shpejtësinë më të madhe. Nuk më besuat, kur ju thashë do ta bëjmë menjëherë lejen dhe më patë me dyshim,” – iu drejtua Kryeministri investitorit Koçi. “E thashë, është e vërtetë, por ju e bëtë,” – tha Koçi, duke pranuar se ky reagim i shpejtë i ka ndihmuar në mbarëvajtjen e investimit.
Zëvendësministri i Energjisë dhe Industrisë, Ilir Bejtja informoi se të hënën nis gara për lejen minerare.  “Jemi duke revokuar një leje nga këto që thjesht kanë marrë dhe i bllokojnë dhe do fillojë nga e hëna, procedura për lejen e garës përsëri. Është marrë me qeverinë që shkoi dhe që nga 2013 është zona e bllokuar dhe nuk është bërë asnjë investim.”
Me zgjerimin e investimit, investitorët planifikojnë të punësojnë deri në 150 punonjës. “Nëse na jepet mundësia të shfrytëzojmë minierat, – tha Koçi, – minimumi 100-150 veta do punësohen në këtë zonë. Pagat i kemi të mira, por të diferencuara, në bazë të punës. Nga 2.2 milion të vjetra e deri në 400 mijë të vjetra.”​​

SHKARKO APP