Rama publikon Rafting në Vjosë, këtë model i ri i turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri
Turizmi i aventurës në Shqipëri ka marrë një zhvillim të ndjeshëm vitet e fundit, ku në qendër të tij po spikat gjithnjë e më shumë sporti i rafting, si një ndër aktivitetet më të preferuara nga vendasit dhe të huajt.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto të disa të rinjve që kanë shijuar adrenalinën e raftingut në lumin e Vjosës, duke ndjekur rrjedhën e një prej lumenjve të fundit të egër dhe të paprekur në Evropë.
Gjatë muajve të fundit, operatorët turistikë kanë raportuar një rritje të ndjeshme të kërkesës për rafting, sidomos nga turistë të huaj që kërkojnë eksperienca autentike në natyrë.
Pranvera dhe fillimi i verës konsiderohen periudhat më të favorshme, pasi niveli i ujit është më i lartë dhe krijon kushte ideale për aventura të sigurta, por njëkohësisht sfiduese.
Rafting zhvillohet kryesisht në segmente të ndryshme të lumit, ku niveli i vështirësisë varion nga i lehtë për fillestarët deri në më sfidues për aventurierët me eksperiencë.
Rafting në Vjosë nuk është thjesht një aktivitet sportiv, por një model i ri i turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri, ku aventura, ekonomia lokale dhe mbrojtja e mjedisit ecin paralelisht.
Në mars të këtij viti gjatë një takimi të ministrit të Mjedisit, Sofjan Jaupaj me përfaqësues të bashkisë Përmet, Parkut Kombëtar të Vjosës, Federatës Shqiptare të Rafting-ut dhe operatorëve turistikë përmetarë u ra dakord që sezoni i ri i lundrimit me mjete të lehta jomotorike në lumin Vjosa të jetë në afatin kohor 1 prill deri më 30 nëntor 2026.
Lumi Vjosa, i njohur si “lumi i fundit i egër në Evropë”, po kthehet në një destinacion gjithnjë e më të preferuar për adhuruesit e natyrës dhe sporteve ekstreme. Të apasionuar pas sporteve ekstreme, turistë të shumtë rendin në rrjedhën e Vjosës për të përjetuar eksperiencën unike të rafting.
Turistët e aventurës përshkojnë lumin nga Përmeti deri në Këlcyrë me një gjatësi gati 20 km, zonë në të cilën rafting është më i frekuentuari falë kombinimit të rrjedhës së përshtatshme të ujit dhe peizazheve mbresëlënëse me kanione, ura historike dhe natyrë të egër.
KOHA JONË SONDAZH

