Rëndësia e implementimit të standardeve IPSAS në sektorin publik

Nga Ina Sokoli*/Kriza e vazhdueshme e borxhit në disa vende të botës ka treguar sfidat e ruajtjes së stabilitetit financiar për qeveritë e këtyre vendeve. Shumë qeveri kanë miratuar kuadrin e kontabilitetit akrual në mënyrë që të përmirësojnë aftësinë e tyre vendimmarrëse për të parandaluar dhe për t’iu përgjigjur këtyre çështjeve.

Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit të Sektorit Publik (IPSAS) janë standardet e kontabilitetit të miratuara nga Bordi i IPSAS të cilat duhet të përdoren nga njësitë e sektorit publik në të gjithë botën për hartimin e pasqyrave financiare. Këto standarde bazohen në Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS) të aprovuara nga Bordi Ndërkombëtar i Standardeve të Kontabilitetit (IASB). Ekziston një lidhje e ngushtë midis IPSAS dhe Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF) për shkak të faktit se standardet IPSAS janë bazuar kryesisht në parimet e IFRS. Arsyeja pse IPSAS rrjedhin nga IFRS është që të sigurojnë krahasueshmëri ndërmjet raportimit të sektorit privat dhe publik kur të kontabilizohen transaksione të ngjashme.

Objektivi kryesor i implemetimit të IPSAS është përmirësimi i cilësisë së përgjithshme të raportimit financiar të njësive të sektorit publik, të cilat do të sigurojnë informacion mbi vendimet e qeverisë për shpërndarjen e burimeve, duke rritur transparencën dhe llogaridhënien.  Qëllimi i tyre është aplikimi i standardeve të kontabilitetit nga njësitë e qeverisjes qendrore, rajonale, lokale dhe disa njësi që janë të lidhura me qeverinë (si agjencitë, bordet dhe komisionet). Standardet IPSAS duhet përdoren edhe nga organizatat ndërqeveritare.

Shumë vende thonë se kanë filluar të përdorin IPSAS sepse ato konsiderohen si një praktikë e mirë. Megjithatë, shumë pak vende kanë miratuar implementimin e plotë të tyre. Problemi kryesor është kërkesa kyçe, ajo e hartimit të pasqyrave financiare të konsoliduara për të gjitha njësitë. Në fakt konsolidimi i të gjitha pasqyrave financiare është një harxhim kohe dhe që nga shumë qeveri konsiderohet se vlen me pak se sa është kosto reale e saj.

Në kapitullin 32 të kritereve që duhet të plotësohen për tu anëtarësuar të BE, “Kontrolli Financiar” theksohet:

“Kontabiliteti menaxherial duhet të jetë një veçori e administratës publike të shteteve anëtare”

Megjithatë, në praktikë ajo çka ndodh është se ligjet përkatëse janë aprovuar, por nuk janë ndërmarr veprime substaciale. Problemi është se politikanët nuk duan ose nuk e shikojnë të nevojshme delegimin dhe më e keqja është se nëpunësit civilë nuk duan të marrin përgjegjësinë për marrjen e vendimeve dhe të jenë përgjegjës për këto vendime.

Aktualisht në Shqipëri aplikohet kontabiliteti me bazë cash-i dhe kërkohet një modifikim i ligjit për kontablitetin me baza cash-i pasi duhet të përfshihen edhe llogaritë e pagueshme.

Shqipëria si vend kandidatë për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian duhet të ndërmarri disa reforma të rëndësishme që prekin shumë sektorë të saj.

Vendi gjendet përpara një presion për të prezantuar dhe implemetuar një reformë të tillë në kuadër edhe të plotësimit të kapitullit 32 të BE. Presioni i qeverisë është i jashtëm dhe ushtohet nga agjenci shumëpalëshe, përkatësisht nga: Banka Botërore dhe FMN me qëllim të inkurajojë menaxhimit modern financiar publik; disa projekte EC (por zakonisht duke iu përgjigjur presioneve lokale); EUROSTAT (potencialisht); agjencitë dypalëshe (por zakonisht duke iu përgjigjur presioneve lokale);  Profesioni i kontabilitetit; konsulentët. Ndërsa në presionet e brendshme mund të rendisim: politikanët sepse duan të tregojnë një dëshirë për të modernizuar; Ministria e Financave / punonjësit e Thesarit që duan përmirësime teknike.

Përmirësimi i menaxhimit financiar dhe kontrollit kërkon gjithashtu një shërbim të fuqishëm kontabiliteti në njësitë e pushtetit qendror dhe vendor. Shërbimi i kontabilitetit do të përmirësohet më tej nëpërmjet futjes së sistemeve financiare të kompjuterizuara dhe funksioneve të monitorimit. Ministria e Financave duhet të inkurajojë njësitë e qeverisë së përgjithshme të përdorin online (në kohë reale) sistemin financiar aktual të kompjuterizuar të Thesarit dhe për këtë ka nisur një projekt pilot ku 12 njësi të qeverisjes qendrore janë lidhur në këtë sistem dhe e përdorin atë në kohë reale. Qëllimi i gjithë këtij procesi është të sigurohet përgjegjshmëria e plotë menaxheriale e njësive publike dhe monitorimi online ndërmjet njësive të qeverisjes së përgjithshme dhe sistemit të thesarit.

I gjithë procesi nga prezantimi me standardet IPSAS e deri te implementimi i plotë i tyre dhe aksesi i plotë i njësive të qeverisjes në sistemin e thesarit shoqërohet me kosto, por cilat janë përfitimet nga përdorimi i IPSAS? Ndër përfitimet renditen: Përmirësimi i përgjegjshmërisë, pasi do të sigurojë një pamje të plotë dhe të saktë të situatës financiare të qeverisë dhe të performancës së saj; Transparencë më e madhe mbi përdorimin e burimeve të dhëna nga donatorët dhe detyrimet; besueshmëri më të madhe, ndërsa ne do të përdorin të njëjtat standarde të kontabilitetit si shumë qeveri; Përmirësimi i menaxhimit të përgjithshëm dhe planifikimi si rezultat i vlerësimeve më të sakta të të ardhurave  dhe shpenzimeve; Përmirësimi i menaxhimit programit, pasi IPSAS mbështesin rezultatet e arritur nga qasja e menaxhimit; Harmonizimi i raporteve dhe deklaratave të të gjithë sistemit të qeverisë. Implemetimi i standardeve IPSAS do të rrisë aftësinë e qeverisë për të vepruar në unison drejt objektivave kryesore rajonale, BE dhe globale, duke përfshirë edhe Objektivat Zhvillimore të Mijëvjeçarit.

E gjithë kjo reformë do të shoqërohet me shumë ndryshime të cilat do të prekin raportet dhe pasqyrat financiare, si dhe një numër i politikave dhe procedurave financiare duhet të ndryshohet. Kjo nga ana tjetër do të thotë ndryshimin e metodave të punës së një pjese të personelit dhe modifikim të sistemin tonë të informacionit. Menaxherët në të gjitha departamentet do të duhet të ndryshojë mënyrën se si ata planifikojnë dhe regjistrojnë shpenzimet e tyre.

Në fakt vendi ynë hapat e parë për njohjen dhe implementimin e standardeve IPSAS i ka në vitin 2005 por që asgjë konkrete nuk është bërë. Pas fitimit të statusit të vendit kandidat për tu anëtarësuar në BE, Ministria e Financave po hedh hapat e parë duke hartuar një program me një skedul të përcaktuar me afatet kohore nga njohja me IPSAS e deri në 2020 ku do të kalohet plotësisht në hartimin e pasqyrave finanicare sipas standardeve IPSAS dhe në konsolidimin e pasqyrave financiare.

Në fakt afatet e vendosur janë shumë optimiste duke ditur që shumë vendeve perëndimore u është dashur mbi 10 vjet për kalimin në standardet IPSAS. Kur Shqipëria në rastin më të mirë të ecurisë së këtij projekti në vitin 2020 do të fillojë të implementojë plotësisht standardet IPSAS, vendet e Bashkimit Europian do të kenë filluar implementimin e standarteve EPSAS. Dhe në fakt si përherë sfida më e madhe për Shqipërinë është koha.

*Audituese, KLSH

SHKARKO APP