Reportazh/ Trekëndëshi i fshatrave “të shenjtë” të Tiranës
Impresion …Një trekëndësh fshatrash, me një fisnikëri të heshtur. Të cilën përveçse në fillesën “e shenjtë” të emrave të tyre, arrin ta gjesh dhe sot tek jetët e njerëzve që ende u japin frymë me përditshmërinë e tyre më tepër se të zakontë. Sikundër, e gjen edhe tek harmonia që ata kanë mundur të sendërtojnë me natyrën. Me një natyrë unike që e gjen vetëm atyre anëve, teksa gjendesh në kërkim të Shëngjergjit, Shënmrisë dhe Shëngjinit. Të këtij trekëndëshi qëndisur në histori verbalisht me emra shenjtorësh të krishtërimit. Por që sot, me minaretë e ngritura në qendër të tyre, të flasin për një realitet të ri religjoz e në të njëjtën kohë, për një akord që ata të cilët jetën e konsumojnë këtyre anëve kanë zgjedhur të kenë me vetë rrjedhën e historisë. Duke reflektuar kësisoj edhe një “akord të heshtur” mes të shkuarës dhe së tashmes…
Një rrugë paqëtore
Ajo i rrok brenda saj të gjitha ngjyrat dhe ndjesitë. Përveçse një normative të shkëlqyer në aspektin infrastrukturor, të respektuar deri në detajin më të fundit, në mënyrë perfekte. E cila, kompletuar edhe me një aureolë autentike të natyrës, e bën rrugëtimin drejt Shëngjergjit, më tepër se një pasazh turistik, që të largon nga Tirana e përzhishme, nga rrëmuja dhe rrëmeti i një kryeqyteti. Teksa makina e zbut uljen e saj pak djathtas sapo shfaqet tabela e fshatit të njohur tiranas, nuk mund të mos gjendesh i befasuar me atë që të pret më pas. Një rrugë paqëtore. Veshur me nuancat e një natyre që duket se nuk i mungon asgjë… Kodrat e veshura me pemë dhe poshtë tyre gjithmonë një lumë gjarpërues. Të veshura me një dritë që regëtin ëmbël edhe në ditët e para të dhjetorit, kur dimri ka nisur të zhveshë gjithçka. Natyrisht, nuk kishte si të ishte kaq perfekte gjithçka, nëse rruga nuk do kishte konturet e saj të bardha në çdo centimetër të saj, apo mbrojtëset në çdo të papritur që fal pak e nga pak ngjitja dhe kthesat e malësisë së Shëngjergjit. Për të kapur një çast qiellin … Dhe më pas, për të zbritur drejt “shenjtërisë” që gjendet në emrat e fshatrave të kësaj zone ….
Ylli i Davidit?!
Sytë nuk kanë sesi mos të të shkojnë atje. Teksa flakët lëpijnë ngrohtësisht drutë e oxhakut. Pllaka më shumë se 100-vjeçare që e konturon atë, mban pikërisht yllin me gjashtë cepa, simbolin e botës hebreje. I cili ka ekzituar çuditërisht edhe në fshatrat e zonës së Shëngjergjit e që shfaqet, si një element i çuditshëm, edhe pse ndoshta pa lidhje konkrete, në të parin stacion ndalimi të saj. Pyes dhe më tregojnë se në fakt, ai nuk ka ndonjë shpjegim konkret, porse ka qenë dikush që e ka patur atë që para 100 vitesh. Një element interesant ky, që nuk ka sesi mos të të grishë, ndërsa ende jemi në përballjen e elementëve të dikurshëm të krishtërimit dhe atyre të tanishëm të myslimanizmit në këtë zonë. Sepse të jemi realistë, teksa dëgjon emrat e këtyre fshatrave, menjëherë mendja të shkon tek ekzistenca medoemos e kishave dhe e të krishterëve brenda tyre. Por kur përballesh me ta, kupton se kjo mund të ketë qenë vetëm pjesë e së shkuarës. Pasi tashmë janë xhamitë, objektet e kultit simbol që ngrihen mes tyre. Dhe myslimanizmi si i tillë, dominues jo vetëm i besimit të tyre, por edhe vetë mënyrës së të jetuarit.
Qiej të mbushur me mjerim
Qiej të mbushur me mjerim. Ajër i lagësht e një malësie të brishtë, rëndesa e të cilit bëhet edhe më e madhe nga pesha e jetës që njerëzve që e thithin atë. Thuajse të harruar. Edhe pse jo shumë kilometra larg Tiranës. E me një histori, për të cilën, ky vend mund t’u ketë ende disa borxhe këtyre njerëzve. Mjafton të kujtojmë vetëm aspektin e tyre arsimor, i cili i rendit me të drejtë ndër zonat më të kultivuara të kryeqytetit. Kështu, Shëngjergji, këtë vit festoi 100-vjetorin e hapjes së shkollës së parë shqipe në rrethin e Tiranës. Teksa vetë shëngjergjasit renditen në një nivel optimal të patriotizmit të tyre në rang vendi, me mbiemra të tillë të njohur si Shtëpanët, që i kanë dhënë atij jo vetëm kontribut, por në të njëjtën kohë edhe vlerë të shtuar historie. Në këtë këndvështrim, korniza e sotme e këtij fshati më shumë se e venitur, duket se është në një antagonizëm të thellë me atë të së kaluarës. Duke folur kështu për thellimin gjithmonë e më shumë të qasjes së braktisjes së zonave që kanë meritë në formësimin e kombit dhe të të bërit histori. Jo vetëm nga banorët e tyre, por edhe nga ata që e qeverisin atë. E trishtë kjo qasje ….
Do të kuptosh
Dhe ndërsa këpucët e tua i ke prekur me baltën e fshatrave të kësaj zone, do të kuptosh. Sesi rruga e asfaltuar, në pritje për t’u hedhur sërish në krahët e kryeqytetit, është më tepër se e bukur. Ajo është e mrekullueshme. Pasi arrin të lidhë të djeshmen fisnike, me të sotmen që teksa rend, tenton pa dashje t’ia zbehë disi vlerat kësaj fisnikërie. Dhe që kjo të mos ndodhë, duhet që ta prekësh me këmbët e tua baltën që e krijoi atë dhe e ktheu në një enë ku piu ujë gjithë historia e kësaj treve. E gjithë këtyre njerëzve, që nuk duhen harruar në mjerimin dhe vagëllimin e dritës së zbehtë të perëndimeve të tyre, porse përmes rrugës së re të gjenden. Sepse ata më mirë se kushdo, dinë të të flasin për të shkuarën e tyre. Dhe dinë ta adhurojnë vërtet rrugën e re që i lidh me botën. Përtej çdo politike që pret shirita dhe i harron jetët e tyre …
P.S. Ishte gjithçka më e bukur sesa ma pati rrëfyer një mik i vjetër i imi me origjinë nga Shëngjergji. I cili prej kohësh, më thoshte se duhej të vija ta shihja njëherë atë zonë. Edhe pse e vizitova atë nën tisin e trishtimit që fal varfëria, braktisja, por edhe e ftohta e parë e këtij dhjetori. Aty me siguri, që mund të ketë diçka “të shenjtë” …
RETROSPEKTIVË
Pak histori…
Shëngjergji më parë ka mbajtur emrin “Krahina e Tomadhesë”. Emër ky i trajtuar nga gjuhëtarë e studiues shqiptarë dhe të huaj, të cilin gjuhëtari i shquar Eqerem Çabej, e përmend si fjalë “zë e kahershme” shqipe, kurse prof. Dhimitër Shuteriqi e përmend si vendbanim që do të thotë “Dheu i Tomës”. Konkretisht, ai e lidh këtë emër me një stërgjysh të Vladan Aranitit që quhej Toma, por mund të jetë edhe toka e Deas ose Tama. “Faqja e dheut të saj ka një bukuri mahnitëse të tre shenjtëve: Shëngjergj, Shënmri e Shëngjin, tre fshatrat e kësaj krahine”. Kurse Dhimitër Pilika dhe historia italian Biemi, thotë se me fjalën Tamadhe duhet të kuptojmë “Të mëdhenjtë” dhe emri i vërtetë duhet të jetë “Krahina e të mëdhenjve”. Këtu e ka fjalën për Aranitët. Autorë të tjera japin mendimin si vendbanime të lashta ilire në shek III-IV (prof. Kristo Frashëri). Më vonë mori emrin Krahina e Shëngjergjit.
***
Nga fundi i shekullit XIX disa djem të fshatit u shkolluan nëpër vende të perandorisë Osmane për dituri të përgjithshme dhe teologji. Të tillë ishin Mustafa Shtëpani, Rakip Disha, Hafiz Beqir Shaba, Hoxhë Jonuz Toqi, Ferik Altafa, etj, të cilët ndonëse me petkun e fesë, kanë përkrahur lëvizjet atdhetare dhe kanë propoganduar për shkollën shqipe në Shëngjergj.Më vonë shtysë i dhanë edhe patriotë të tjerë si Ali Shtëpani, Osman Distafa, Islam Keta, Muharrem Lorja, Ismail Rrëceku, Abdi Ceni, Gani Hala, Shaban Balla, Begtash Cani e shumë të tjerë. Përpjekjet për arsimin në Shëngjergj kanë ekzistuar edhe para vitit 1911. Të frymëzuar nga idealet e Lidhjes së Prizrenit, dega e Elbasanit, me anë e përfaqësuesve të tyre u lidhën me krahinën e Shëngjergjit për përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe. Ku sipas një letre të Kristoforidhit më 1871 Shëngjergji e priti me shumë dashuri Abetaren e tij.
***
Mësimi i gjuhës shqipe në Shëngjergj të Tiranës, ka filluar para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Këtë fakt e përforcojnë shumë dëshmi të cilat hedhin dritë mbi kohën ku filloi mësimi në gjuhën shqipe. Historia nis me normalistin e Elbasanit i cili në vitin 1910 largohet nga ky qytet për shkak të një incidenti. Me anë të ndërmjetësve ai shkon dhe strehohet në shtëpinë e Xhafer Shtëpanit në Shëngjergj, ku fillon t’u mësojë të rinjve dhe të moshuarve A, B, C. Ata që mësuan me këtë normalist, lanë kujtimet e tyre për këtë periudhë e cila mund të quhet si fillesa e mësimit në gjuhën shqipe në qarkun e Tiranës. Ndërsa shkolla e parë shqipe (ilegale) ka filluar në fund të vitit 1911 me ardhjen në Shëngjergj të mësuesit Ramiz Hatibi. Kurse në kohën e okupacionit fashist është fakt se në shkollën e Shëngjergjit nuk u vendosën asnjëherë portretet e Viktor Emanuelit apo Musolinit, nuk u lejua asnjëherë që nxënësit e shkollës të nderoni në mënyrë alla-fashiste apo të regjistroheshin “balilë” e të dërgoheshin ndoshta edhe në Iltali. Shkolla do të bëhej propaganduesja e LANÇ-it. Ndërsa në vitin 1942 paria e Shëngjergjit e përbërë nga 20 veta vendosën që të ndërtohen edhe 3 shkolla të reja me paratë e fshatit, konkretisht për çdo shkollë 600-700 napolona. Menjëherë pas çlirimit të vendit, shkolla do të bënte përpjekje të mëdha për zhdukjen e analfabetizmit në fshat duke ngritur kurse, ku prioritet iu dha të rinjve dhe të rejave.
***
Të jesh nga Shëngjergji ke privilegjin që në momentin e parë të prezantimit. “Ju jeni të zgjuar”- të thonë ku mësojnë se je nga Shëngjergji i Tiranës”. Ndërsa shëngjergjasit me krenari vazhdimisht deklarojnë se ky konstatim është i lidhur me shkollën e parë shqipe (ku është mësuar shqip edhe me shkrim edhe me gojë) në Qarkun e Tiranës e cila është hapur pikërisht në Shëngjergj të Tiranës