
Sali Berisha zhvilloi këtë të premte një takim me mbështetësit e tij në Kamëz, në kuadër të “Foltores së Ripërtëritjes”, ku komentoi situatën ekonomike dhe politike në vend, duke krahasuar qeverisjen e PD-së me atë të socialistëve. Kreu i PD-së, tha se gjatë periudhës 2007-2014 numri i shqiptarëve në vend rritej çdo vit dhe se rreth 180 mijë persona ishin kthyer nga emigracioni. Sipas tij, kjo ishte rezultat i përmirësimit të ekonomisë dhe rritjes së besimit te vendi.
“Dhe nga viti 2007 deri në vitin 2014, numri i shqiptarëve rritej çdo vit. Dhe erdhën 180 mijë shqiptarë nga emigracioni. Dhe thonë se atje kishte krizë. Po edhe më e mirë. Domethënë se atje kishte krizë, këtu nuk kishte krizë”, tha Berisha. Ai u ndal edhe te korrupsioni gjatë qeverisjes së demokratëve, duke pranuar se ai ekzistonte, por pretendoi se nuk ishte sistemik dhe se luftohej me vendosmëri.
“Po pse nuk kishte krizë? Se ka potenciale vendi. Se kishte korrupsion, po kurrë sistemik, por luftohej me vendosmërinë më të madhe”, tha kreu i PD. Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi qeverinë e Edi Ramës për varfërimin e qytetarëve dhe largimin e shqiptarëve nga vendi. Ai iu referua edhe shifrave të emigracionit, duke pretenduar se në 10 vitet e fundit mbi 1 milion shqiptarë janë larguar drejt vendeve të Bashkimit Evropian.