Ristrukturohen inspektoratet – Hajdari: Inspektimet ndaj biznesit, jo ndëshkuese, por këshilluese
Inspektorati Qendror ka gati draftin me ndryshimet ligjore në fushën e inspektimeve, sipas të cilave parashikohet ristrukturimi i numrit të inspektorateve shtetërore. Sipas inspektorit të përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari, rishikimet synojnë gjithashtu futjen dhe fuqizimin e sistemit të karrierës në trupën e inspektorëve si dhe ndryshimin e mentalitetit të inspektimit nga një proces ndëshkues për biznesin, në një proces ndihmës dhe këshillues.
“Këtë reformë e shohim si një reformë që me të vërtetë do t’i shërbejë informalizimit të ekonomisë shqiptare. Dy gjëra jemi munduar t’i qartësojmë mirë. I gjithë inspektimi do të bazohet në parimet themelore të shtetit të së drejtës për të qenë një proces i rregullt administrativ.
Që nga momenti i autorizimit për inspektim dhe deri tek momenti i finalizimit të parë të tij me aktin administrativ pranë biznesit dhe në prani të biznesit, duke u filmuar gjithçka që konstatohet tek biznesi, pastaj duke u pasqyruar ajo çka shihet në kamera, duke dhënë opinionet përpara nënshkrimit edhe biznesi edhe trupat e inspektimit. E gjithë kjo procedurë do të jetë online”, u shpreh Hajdari.
Përmes një takimi konsultativ, përfaqësues të biznesit shprehën qëndrimet e tyre mbi parashikimet e reja ligjore, ndërsa theksuan se reforma duhet t’i organizojë inspektoratet në bazën e fushës së inspektimit dhe jo mbi bazën e ministrive.
“Një inspektoriat për ministri, jo dy tre katër. Pra, ose zero ministri që s’ka funksion inspektimi, ose një”, u shpreh Artan Hoxha, konsulent në hartimin e ligjit.
“Të përcaktohet me ligj detyrimi i inspektoriateve që të bëjnë vlerësimin e riskut për fushën e vet të veprimtarisë dhe më tej ta publikojnë atë. Nuk mundet të ketë inspektoriat që nuk bën analizë risku dhe mbi bazën e tij të vazhdojë më tej. Një masë e tillë për hartimin, miratimin, publikimin e vlerësimit të riskut, do të impononte që inspektoriatet të njohin më mirë e shumë mirë problematikat e fushës përkatëse, e për rrjedhojë do jenë të detyruara që t’i orientojnë kapacitetet pikërisht në ato drejtime”, tha Alban Zusi, përfaqësues i prodhuesve.
“Një inspektim nuk mund të fillojë me gjobë. Një inspektim absolutisht duhet të jetë së pari këshillim. Koncentrimi dhe kthimi në një piramidë i Inspektoratit, që të ketë Inspektoratin Qendror në krye, të bazuar jo në ministri, por në fusha veprimtarie ministrive, do të ishte variant më i pëlqyer për ne, sepse kjo na jep garancinë që të kemi një strukturë ku ne të dialogojmë dhe të konsultohemi”, shtoi Arben Shkodra i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë.
Në përfundim të takimit u ra dakord për zhvillimin e një tjetër tryeze, e cila do të fokusohet te propozimet konkrete dhe reflektimi i tyre në ligj./SCAN