“Rroftë Zapata” dhe “Zhaku i Pamposhtur” nuk po na ndahen

Revolucioni, në fjalorin e politikanëve shqiptarë është bërë fjalë e ditës, si nga të majtët edhe nga të djathtët, a thua se kjo nevojë për revolucion vjen si pasojë e ndonjë modeli revolucionar ndërkombëtar i cili ka një fuqi përçuese internacionale e po ka nevojë që të përfshihen edhe revolucionarët shqiptarë, si gjithmonë me vonesë në rrjedhat e historisë. Me qëllimin e mirë që kam pasur për të bërë një shkrim të cilin e kam botuar në të përditshmen (Panorama viti 2002), për çështjen e ish-kryeministrit Mehmet Shehu, në të cilin mendova se atë e kishin zhdukur nga media dhe nga shumë aktivitete të rëndësishme politike qysh në vitin 1980 deri në vitin 1981, më bëri përshtypje më shumë në gjurmimet e mia, se një nga filmat më të ndjekur e të shfaqur në kinema edhe në televizion atë kohë, ishin filmat me përmbajtje nga revolucioni meksikan të tillë si: “Rroftë Zapata” dhe “Plumbi i artë”, po ashtu dhe filmat anglezë “Dhe yjet rrinë e vështrojnë”, filmi francez “Zhaku i Pamposhtur”. Në emër të kujtesës së brezave që e kanë pasur fatin që t’i kenë parë këto filma, por edhe për mënyrën simbolike se me çfarë metodash regjimi diktatorial komunikonte mesazhet me publikun e aq më tepër me njerzit e tij politik, më ka bërë përshtypje ëmendja e veçantë që i kanë kushtuar filmit “Rroftë Zapata”, i cili transmetohej pothuajse çdo tre javë në televizion në vitin 1980. Fabula e këtij filmi amerikan të Hollivudit kishte në qendër heroin e revolucionit meksikan Zapata e nëpërmjet këtij revolucionari jep edhe filozofinë e revolucionit si ëndërr dhe zhgënjimin e tij në realitet. Po të kujtojmë pasazhin, kur aktori i madh Marlon Brando, që do të hynte në zemrat e shqiptarëve ato kohë me rolin e revolucionarit Emiliano Zapata, dialogon me vëllain e tij Çirço për t’i kujtuar se: “Ne nuk luftuam për vete, por për Meksikën dhe fshatarët e saj të shtypur nga të pasurit”.

Antonio Kuins, aktori i jashtëzakonshëm, shumë i njohur për publikun shqiptar në shumë filma, në rolin e Çirços ishte i dhënë pas jetës së qejfit e e harroi misionin e revolucionit e dramatikisht e vranë në pabesi. Fabula i fliste politikës së ditës, dikush në piramidën e Partisë Shtet kishte harruar misionin e revolucionit dhe kishte zbutur luftën e klasave e po fuste në shtrat një pjesëtare nga familjet e armikut, të cilin kurrë nuk duhet ta harronin. Klima politike tensionohej edhe në bazë e për pasojë shumë familje kërkonin në lidhje martesore tapinë e biografisë. Po t’i japim një frymarrje revokimit të ngjarjeve të kohës, do t’i largoheshim thelbit të shkrimit i cili ka tjetër ide, jo për të dekujaruar revolucionarët e tribunave të sotme mediatike, por për të parë në distancë kohore edhe në analogji me filmat dhe propagandën e kohës ku dhe si është ligjërimi politik e si pse ka nevojë shoqëria për një rikujtesë simbolike me forcën e memories vizuale për të cilën dikush mburret me krenari. Ta riformatosh shoqërinë me sllogane revolucionare duket absurd, se do kishim plot shembuj në këto 25 vjet tranzicion politico-shoqëror, që nuk ka ngelur fjalë nga fjalori politik që të mos jetë përdorur. Por a kanë qenë revolucione apo grushte shteti, ose rebelim, a vjedhje vote veprimet politike, se ka të tjerë që thonë se Katovica po vazhdon të zbatohet e çfarë emri t’u vemë, këtë s’ka kush të na e thotë? Ja ta zemë se do ti revokonim publikut filmin ”Zhaku i Pamposhtur”, i cili nga një jetim të cilit i varën babain, u bë një kryengritës i paepur në mbrojtje të të varfërve. Por ai, ndryshe nga pëlqimet regjimit diktatorial të Tiranës, ngelet në kujtesën e teleshikuesit me thënien”: –“Të varësh aristokracinë në litar, atë nuk e dëmton dhe me dhunë nuk do t’i përgjigjemi dhunës, por t’i heqësh asaj pasurinë, atëherë do ta kuptojë gjithkush se sa e tmerrshme është teksa të shohësh veten aq poshtë përkrah atyre që ke shtypur me shekuj”. Mision gati i pamundur për këdo nga ideologët e revolucionit demokratik të cilët na premtuan se: -“Do i fusim në burg ata që laheshin në vaska floriri”, gjë të cilën na e premtoi edhe lideri i së majtës, po meqë ky i fundit ka ende kohë për të sqaruar nocionin dikkotomik të fjalës “legalizim”. Legalizim informaliteti në ndërtim me luftën kundër informalitetit, në ekonomi e për aq sa ka qenë duket se do jetë vite larg Zhakut të Pamposhtur.

Po flisni njëherë me këmbë në tokë e pa ndonjë epsh revolucionar të cilin nuk keni faj që e ushqeni se u rritët në atë kohë ku revolucioni marshonte e s’kishte forcë në botë që t’ju ndalonte. Ka ende njerëz mjeranë si grevistët qymyrxhi të filmit “Dhe yjet rrinë e vështrojnë”, viktima që e besojnë rrëmujën revolucionare nga e cila përfitojnë hajdutët dhe alldupët të cilët janë pas çdo tubimi për të mos thënë se edhe rekrutët të sponsorëve anonim dhe lumpenëve politikë si në filmin “Plumbi i Artë”, ku kaubojsi(gringo) iu ngjit revolucionit për të fituar ca para e u nda me mikun e tij revolucionar. Ngado që ta sjellësh apo ta kapsallitësh nëpër buzë fjalën revolucion, nga kjo fjalë, ose kanë mbirë diktatura të organizuara, ose kanë mbjellur anarki të organizuara. Shqiptarët mbas natës shumëshekullore osmane, nuk mbahen mend për ndonjë lëvizje revolucionare, për tu bindur shikoni fotot e të huajve për Shqipërinë e viteve 1913. Po ka ndonjë mendje revolucionare që me forcën e memories vizuale i ka mbetur sahati mbrapa tek viti 1913, le t’i shkojë ndonjë mik e t’i flaës të gjorit si Sanço Panço kur torrolliste bëmat e Donkishotit të Mançes në vesh të gomarit e ta zgjojë, apo t’i ndijë në vesh që t’i kthehet realitetit i gjori me sebepin e ndonjë lajmi të mirë, se paska ujë edhe në mars. Ka plot revolucionarë të rinj që kanë blerë vezë të freskëta e po u prishen duke i mbajtur në dorë, se presin urdhërin e kapedanit si tek filmi “Kapedani”, ku i paharrueshmi Albert Verria, shkulte mustaqet për të dhënë urdhra lufte.

Përgatiti: Kastriot KOTONI

SHKARKO APP