Shefi i FMN-së, Reinke: Rritja e taksave nuk shtoi të ardhurat

 

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se rritja e taksave në dy vitet e fundit nuk ka sjellë të ardhurat që priteshin në buxhet, duke detyruar qeverinë të ndërmerrte fushatën anti-informalitet.

Në një intervistë për “Ora News”, përfaqësues i përhershëm i FMN-së në Shqipëri, Jens Reinke, deklaron se nuk ka hapësira për ulje taksash me përjashtim të sektorëve të caktuar si turizmi.

Reinke deklaron se FMN synon të evitojë rritjen e taksave dhe këshillon qeverinë të rrisë të ardhurat.

Intervista e plotë e Jens Reinke

Qeveria ka nisur nga 1 shtatori operacionin kundër informalitetit. Në fokus ka qenë biznesi i vogël. Por edhe bizneset e mëdha janë ankuar për gjoba, madje një pjesë e tyre i kanë konsideruar represive. Ju si e keni parë këtë nismë?

Jens Reinke: Nisma është e nxitur nga niveli i lartë i informalitetit, nga mungesa e të ardhurave dhe nga mozbatimi i ligjeve tatimore në masë të plotë.

Në aspektin e përmbushjes së ligjeve tatimore, ne e mbështesim atë. Nuk kam pasur ndonjëherë përshtypjen se kjo është e fokusuar te biznesi i vogël në veçanti.

Ajo që qeveria synon të arrijë është që luftojë informalitetin kudo që shtrihet, në të gjitha transaksionet ekonomike.

Ne sigurisht e nxisim qeverinë që të zbatojë praktikat më të mira ndërkombëtare dhe të zbatojë një fushatë që është e drejtë, ku të trajtohen të gjithë agjentët ekonomikë dhe taksapaguesit në mënyrë të drejtë dhe sigurisht për t’i detyruar ata të paguajnë taksat që janë detyrim ligjor për t’u paguar dhe të zvogëlojnë sa më shumë rastet e mospagesës së taksave.

Nëqoftëse fushata do të zbatohet mirë, atëherë do të ketë një përmirësim të klimës së biznesit, do të rritet drejtësia për të gjithë bizneset që do të paguajnë atë që realisht duhet të paguajnë sipas ligjeve. Por nëse ka raste, ku bizneset janë të targetuara në mënyrat jo të duhura, atëherë këto duhen marrë seriozisht.

Në komisionet parlamentare po shqyrtohen ndryshimet në kodit penal, që në thelb parashikojnë ashpërsim të gjobave. Si i shihni ju këto ndryshime?

Jens Reinke: Çdo fushatë që synon të rrisë mbledhjen e të ardhurave dhe të ulë informalitetit, që të jetë e suksesshme duhet të ketë dy aspekte: aspektin ndërgjegjësues, që të rrisë edukimin dhe të krijojë një klimë, ku është e lehtë për të paguar taksat sipas ligjeve në fuqi dhe patjetër, duhet të ekzistojë dhe ana tjetër, që të ketë ndërshkim ose ndryshe gjoba që të sigurojnë se zbatimi i ligjit të bëhet.

Por unë nuk jam ekspert ligjor për të thënë, se cili duhet të ishte niveli i duhur i gjobave që duhen aplikuar për të siguruar këtë aspekt. Eshtë diçka që u mbetet autoriteteve shqiptare për ta vendosur.

Qeveria shqiptare nuk i ka realizuar të ardhurat për 8 mujorin e parë të këtij viti. Cilat janë arsyet në këndvështrimin tuaj, pasi kemi dëgjuar nga Ministria e Financave, por edhe Kryeministri që ia kanë faturuar një pjesë të mosrealizimit ecurisë së konjukturave ndërkombëtare. Dhe pyetja tjetër e lidhur me të parën, nëse këta faktorë do të bëhen të qëndrueshëm, ku do të bazohet rritja e të ardhurave në muajt në vijim?

Jens Reinke: Një grup i ekspertëve të FMN analizoi arsyet e mosrealizimit të të ardhurave në qershor dhe aryet ishin nga faktorë të brendshëm dhe nga mjedisi ndërkombëtar. Arsyet që vijnë nga faktorë të jashtëm lidhen me çmimin e ulët të naftës, mjedisin me një nivel të ulët inflacioni, normat e ulëta të interesit. Këta mund të konsiderohen si faktorë të qëndrueshëm, permanent që nuk presim të ndryshojnë në të ardhmen e afërt. Përsa u përket faktorëve të brendshëm, këtu mund të flasim për nivelin e ulët të zbatimit të ligjeve të taksave që janë në fuqi, gjithashtu edhe masat fiskale të marra nuk kanë dhënë të ardhurat që priteshin.

Ajo që ka ndodhur është se me rritjen e normës së taksave është rritur edhe niveli i mospërputhjes së pagimit të taksave në bazë të ligjeve në fuqi. Për këtë arsye, për të rritur pagesën e taksave, qeveria ndërmori fushatën kundër informalitetit, pikërisht për të adresuar këto probleme dhe për të rritur pagesën e taksave. Natyrisht, jo këtë vit, por vitin e ardhshëm duhen konsideruar edhe burime të tjera të ardhurash, për të ruajtur nivelin e të ardhurave, por edhe për konsolidimin fiskal. Mund të shihet te përjashtimet e taksave, si redutimi i përjashtimeve të taksave, ose anullimi i përjashtimeve ekzistuese.

Gjithashtu nuk ka hapësirë tashmë për incentiva fiskalë të sektorëve të caktuar, si turizmi apo sektorë të tjerë. Dhe meqë nuk është as opsioni ynë i preferuar, së fundmi në afatin e mesëm  të shikojmë disa masa që rrisin të ardhurat.

Kur thoni masa që rrisin të ardhurat, cfarë nënkuptoni? Do të kemi rirtje taksash, është kjo ajo që ju rekomandoni?

Jens Reinke: Eshtë shumë herë për të spekuluar në këtë drejtim. Ne nuk e kemi diskutuar ende me qeverinë në detaje dhe rritja e taksave është gjëja që edhe me qeverinë do të donim ta evitonim.

Ajo që ne do të dëshironim ishte zgjidhja që do ta zgjeronim bazën e tatueshme. Pra, të sjellim më shumë njerëz, më shumë kompani në sistemin e pagesës së taksave që janë tashmë në fuqi.

FMN pritet të vijë në Tiranë në fund të muajit për të diskutuar me qeverinë projektbuxhtein 2016 dhe pjesë e diskutimeve do të jetë edhe paketa fiskale që e shoqëron atë. Biznesi ka kërkuar ulje të taksave, por ju e përjashtuat, të paktën nga ajo që unë kuptova nga deklaratat tuaja. Do të rriten taksat në 2016, pasi ju thatë që duhen zgjidhje për të rritet baza e tatueshme, ndërkohë që aksioni tahsmë ka nisur dhe po përfundon afati për paketën fiskale, që në tetor nëntor duhet të diskutohet publikisht. Është 2016 një mundësi për rritje të reja taksash?

Jens Reinke: Ju po bëni disa pyetje në një. Përsa i përket çështjes së kohës, ne jemi duke diskutuar në parim për gjërat kryesore të buxhetit të vitit të ardhshëm. Ashtu siç edhe ju e dini, Ministri i Financave ka qenë në mbledhjet e bordit të drejtorëve të FMN dhe Bankës Botërore në Peru dhe i ka diskutuar këto gjëra.

Por ndryshimet e sakta dhe politikat duhet të diskutohen kur misioni të jetë këtu dhe shpresojmë që të arrijmë një marrëveshje sa më shpejt, në mënyrë që buxheti dhe paketa fiskale të miratohen  sipas kalendarit ligjor.

Përsa i përket faktit që bizneset kërkojnë ulje taksash, kjo është normale, po aq sa është normal dielli në verë. Ne i mbështesim kërkesat e tyre për ulje taksash në ato raste kur kjo është e mundur. Në fund fare, qeveria duhet të gjejë një rrugë midis qëndrueshmërisë fiskale dhe nevojës për rritje ekonomike.  Në një situatë ku ka një mosrealizim të ardhurash në këtë nivel që është, është shumë e vështirë që ta kombinosh këtë me ulje taksash.

Duket si kontradiktë, por i takon qeverisë që të gjejë ekuilibrin midis kërkesave të biznesit dhe nevojës për qëndrueshmëri fiskale. Sigurisht zgjidhja më e mirë do të ishte zgjerimi i bazës së tatimpaguesve, sjellja e sa më shumë bizneseve dhe kompanive në sektorin fiskal dhe kjo të rriste të ardhurat dhe qëndrueshmërinë fiskale.

Gjithashtu, nga ana tjetër mund të jetë e nevojshme që të ndryshohen rregulloret e taksave, pragjet, por sesa do të jenë me saktësi këto elemente do të diskutohen me detaje më vonë.

Misioni i FMN u largua në maj pa lëvruar këstin e rradhës për qeverinë shqiptare. Në atë periudhë u fol për pakënaqësi mes palëve. Si janë marrëdhëniet e FMN me qeverinë Rama dhe si e vlerësoni ju punën e kësaj qeveria, tani pas 2 vjet e gjysmë në pushtet?

Jens Reinke: Marrëdhëniet me qeverinë janë të shkëlqyera. Nuk është se patëm mosmarrëveshje. Ajo që ndodhi në maj ishte se kjo mungesë në realizimin e të ardhurave e identifikuar, qeveria donte ta adresonte duke u marrë me problemin e evazionit fiskal dhe kjo u transformua në këtë fushatë kundër informalitetit.

Në atë moment ne gjykuam që kjo ishte rruga e duhur, por ishte e pamundur që ne të gjykonim se cili do të ishte impakti sasior i fushatës dhe ndaj menduam që qeveria të kishte pak kohë që të realizonte këtë fushatë dhe për të parë cilat do të ishin efektet. Për këtë arsye ne vendosëm që të vinim disa muaj më vonë dhe do të vijmë tani, në fund të tetorit.

Ajo që do të ndodhë në fund të tetorit është që ne do të diskutojmë këto gjëra, do të bëjmë edhe rishikimin e 5 të programit që nuk e bëmë në fund të majit,por gjithashtu do të bëhet edhe rishikimi i 6. Pra do të bëhen dy rishikime në të njëjtën kohë. Kështu që Shqipëria nuk ka humbur ndonjë gjë, thjesht një rishikim u shty për disa muaj.

Ju më pyetët gjithashtu edhe për 2 vjet qeverisje. Ne vërtet jemi të impresuar nga disa reforma dhe ecuria e tyre, si ajo në energjetikë, reforma e pensioneve. Kjo është vërtet një qeveri  që do të reformojë dhe e bën këtë me shumë energji.

Sigurisht ne i inkurajojmë ata që të vazhdojnë, pasi ka ende shumë rrugë për të bërë, për të siguruar një progres të vendit dhe rritje ekonomike. Janë disa gjëra të tjera që janë të nevojshme, që ndoshta nuk bien në mandatin tonë, por gjerësisht si reforma në fushën e zbatimit të shtetit ligjor janë të nevojshme për të ecur përpara, si reforma e gjyqësorit, reforma për përmirësimin e klimës së biznesit, që pakësojnë korrupsionin, respektojnë zbatimin e kontratave.

Pra, janë reforma që kanë të bëjnë me zbatimin e shtetit ligjor dhe që do t’i jepnin një hov cilësor zhvillimit të vendit dhe ekonomisë dhe ne e inkurajojmë qeverinë që të vazhdojë me to.

Do të lëvrojë FMN dy këste bashkë për Shqipërinë?

Jens Reinke: Misioni që do të vijë do të diskutojë me qeverinë për dy rishikime të programit, siç ju thashë dhe nëse bihet dakord, misioni do t’i propozojë bordit të drejtorëve të FMN-së miratimin e këtyre dy rishikimeve dhe lëvrimin e dy kësteve bashkë. Por data e mbledhjes së bordit është janari i vitit të ardhshëm, kështu që lëvrimi do të jetë në fillim të vitit tjetër fiskal./Ora News/

SHKARKO APP