
Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, sheh te bashkimi i partive të reja politike me përfaqësuesit e protestës një mundësi reale për të fituar Bashkinë e Tiranës. “Kemi bërë propozimin edhe vitin e kaluar për Bashkinë e Tiranës, të nxjerrim një kandidaturë apolitike. Ajo formulë praktikisht nuk funksionoi, sepse nuk u bënë zgjedhjet, por vlen dhe sot”, deklaroi Shehaj.
Sipas tij, situata aktuale ka një element të ri, protestën dhe qytetarët që kërkojnë ndryshimin e klasës politike. Për këtë arsye, ai vlerëson se bashkëpunimi duhet të shtrihet përtej partive politike. Shehaj nënvizoi gjithashtu se është e rëndësishme të pritet krijimi i një përfaqësie nga studentët, për të pasur një palë konkrete me të cilën mund të zhvillohen diskutimet për një marrëveshje të mundshme.
“Nëse isha i bindur se në zgjedhjet e kaluara një kandidat i mbështetur nga gjithë opozita fitonte, sot them se një kandidat i mbështetur vetëm nga partitë e reja dhe protestuesit ka gjasa të fitojë”, deklaroi ai.
Shehaj përsërit gatishmërinë për të bashkëpunuar me forcat e reja politike dhe përfaqësuesit e protestës, duke lënë të hapur mundësinë e një formule të përbashkët për garën në Tiranë. “Ne jemi të hapur për bashkëpunim. Kur të duan, jemi të gatshëm”, përfundoi Shehaj.
