Shërbimet sekrete në trekëndëshin Shqipëri-Serbi-Kosovë
Nga Koço Polena
Ditët e fundit, në shtypin shqiptar po shkruhet, debatohet dhe analizohet gjerësisht lufta dhe formimi i shtetit të Kosovës, sidomos veprimtaria dhe meritat e drejtuesve të organizatave politike të asaj kohe, pjesëmarrës në këtë konflikt. Pavarësia e Kosovës ishte finalizimi i qëndresës heroike të kombit shqiptar ndaj asimilimit disa shekullor sllav në rajon. Asimilim që prej kohësh ishte frenuar në kufijtë kosovarë, preshevarë, shqiptarëve të Maqedonisë, falë edhe meritës se këtyre banorëve dhe më gjerë. Ashtu dhe shqiptarëve në shtetin amë.
Fundi i viteve ‘90, situata e krijuar ishte e favorshme për ne. Interesat tona kombëtare për fat u përputhën plotësisht me interesat strategjike të shteteve më të fuqishme të botës. Ata me zgjuarsi e vendosmëri, luajtën rolin kryesor në fitoren e kësaj lufte të drejtë, pa të cilin nuk realizohej dot kjo ëndërr e vjetër e gjithë shqiptarëve. Ata ja u dinë për nder. Klima e bekuar mesdhetare, përveç ndikimit pozitiv në jetën e shqiptarëve, siç duket ka edhe disa anë negative, që kanë ndikuar në shëndetin, formimin dhe ekzistencën tonë si popull. Kështu justifikoj dhe kam dëshirë të shpjegoj kujtesën e dobët për shumë ngjarje kryesore në vite. Ngjarje që në asnjë mënyrë nuk duhet të harrohen apo nënvlerësohen. Historikisht veprimtaria asimiluese sllavo-serbe ndaj shqiptarëve ka qenë e vazhdueshme e sistematike, e mirëorganizuar në veprimtarinë e gjithë strukturave serbe. Por më interesantja ka qenë veprimtaria e shërbimeve sekrete serbe që kanë qenë arma kryesore në këtë luftë. Kjo sidomos pas viteve ’48-‘49. Për shërbimin sekret shqiptar, veprimtaria e jugosllavëve dhe shërbimit serb, ishin armiku kryesor. Më shumë se 75% e veprimtarisë kundërzbuluese aktive, zinte lufta kundër këtij shërbimi, deri në vitin 1992. Motoja bazë e UDB-së ka qenë: “Pa Kosovë nuk ka Serbi, por ajo rrezikohet vetëm në rastin kur forcohet shteti në Shqipëri”. Pra Kosova do të ishte nën Serbi vetëm me një Shqipëri të dobët apo inekzistente. Është vërtetuar që ata, kështu kanë vepruar deri në vitet 2000. Po aktualisht, nuk mund të themi gjë. Shërbimi shqiptar dhe kosovar janë të paaftë në zbulimin e kësaj veprimtarie të mundshme apo personat në shërbim aktual të serbëve. Shërbimi sekret shqiptar deri në vitin 1992 u mundua dhe luftoi për shkatërrimin që në embrion të çdo dyshimi apo veprimtarie jugosllave në Shqipëri.
Kjo shpjegon që sa herë rrezikohej Kosova, në Shqipëri ndodhnin ngjarje masive të shoqëruara me destabilitet. Në një studim të kryer nga specialistët e kundërzbulimit shqiptar në Ministrinë e Brendshme të viteve ‘80, vite kur lëvizja në Kosovë mori hov, rezultonte përveç të tjerave se ekonomitë bujqësore apo shtetërore ishin më të dobëtat në Republikë. Niveli i jetesës së kooperativave dhe rretheve kufitare si Dibër, Kukës,Tropojë dhe Malësia e Shkodrës ishte shumë më i ulët se niveli i jetesës dhe ekonomitë brenda vendit. Ato ekonomi ndanin një pagë qesharake dhe jetonin me vështirësi e borxhe nga shteti. Kjo edhe për shkak të shumë ngjarjeve të rënda e të dyshimta, si zjarre ose eksplozione në stalla, në magazina, ndërmarrje, miniera etj. që nuk ndodhnin në brendësi të vendit. Në analizë u arrit në konkluzionin që në to, mund të ishte dhe dora e UDB-së. Pas intensifikimit të punës, u arrit të zbuloheshin dhe vërtetoheshin plotësisht me dëshmi dhe dokumenta ligjore, që UDB-ja me anë të agjentëve të tyre, dobësimin dhe shkatërrimin ekonomik sidomos të zonave në kufi me të, e kishte prioritet. Shërbimi serb nëpërmjet oficerëve dhe agjentëve të tyre kishte objektiv shkatërrimet në këto zona me anë të organizimit aty të krimeve si diversion, sabotim, grabitje, vjedhje etj. Oficerët jugosllavë në këto zona, ishin shumë aktivë, ata kanë vepruar nëpërmjet qendrave të avancuara në kufi dhe brenda territorit shqiptar. Rezultati, dhjetëra stalla dhe objekte ekonomike të djegura deri me gjithë gjënë e gjallë, dhjetëra njësi tregtare të grabitura natën, duke shkaktuar terror dhe pasiguri në fshatrat e zonave, përveç dëmit ekonomik të konsiderueshëm. Pas veprimeve të organizuara kundërzbuluese u arrit të zbulohen ekzekutorët shqiptarë përgjegjës e u dënuan pas ‘85-ës. Dëshmitarë për këto ngjarje janë banorët e këtyre zonave të cilët mirëpritën dhe vlerësuan këto veprime të shtetit. Dokumentat operative, shkencore, filmike e gjyqësore të këtyre proceseve janë në arkivë. Ashpërsia e krimeve të tyre ishte unikale për kohën dhe vendin që u kryen. Ato lloj krimesh i dënon ashpër çdo sistem sot.
Në vitet e shkërmoqjes së Jugosllavisë, veprimtaria e shërbimit serb ndaj Shqipërisë u ashpërsua e intensifikua. Deri aty sa në parlamentin serb u miratua hapur një fond prej 12.000.000 (milionë) dollarësh, për destabilizimin e Shqipërisë. Dhe ndërkohë, shohim fenomenin e piramidave, shkatërrimin e administratës, ekonomisë, ushtrisë, armatimin, deri në tentativat për luftë civile jug-veri në 97-ën, veprime që çuan në prag të shkatërrimit përfundimtar të Shqipërisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Franca u pushtua nga nazistët. Përveç të tjerave ajo u qeveris nga Qeveria e Vishisë me president Marshallin Peten dhe Kryeministër Lavalin nën juridiksionin e Hitlerit. Përveç të tjerave, në netët e 16 dhe 17 korrikut 1942, policia e Vishisë, arrestoi 13.152 hebrenj, burra, gra e fëmijë, të cilët u dërguan për t’u shfarosur në Aushvic. Ky krim u krye kryesisht nga policia franceze. Dihet tashmë bashkëpunimi i qeverisë së Vishisë dhe i të ashtuquajturit Shteti Francez me nazistët, gjatë Luftës së II. Dihen edhe shumë fakte të tjera, nga të cilat veçojmë figurën e Petenit, udhëheqës ushtarak legjendar gjatë Luftës së I Botërore, për mbrojtjen e Verdunit. Figurë me merita, për të cilat u bë Marshall i Francës. Mirëpo, pavarësisht nga justifikimet e qëllimeve të tij, që çuan në bashkëpunim me nazistët, Peteni ishte padyshim një person ultra konservator, për të thënë më të paktën. Por nuk ishte tamam ai problemi. Problemi ishte ai i bashkëpunëtorëve të tij dhe gjermanëve, në qeverisje. Pas lufte, Peteni dënohet me vdekje nga gjykata, dënim i cili për meritat e mëdha të Petenit në Luftën e Parë iu kthye me dënim të përjetshëm. Por De Goli dhe drejtësia franceze nuk kurseu ndëshkimet shembullore për gjithë piramidën e bashkëpunëtorëve të nazistëve në qeverinë e Petenit. Me qindra prej tyre morën dënime shumë të rënda, ku Lavali, Dea, Morati etj, me varje e me pushkatim. Ligji francez më pas, i mbajti larg pushtetit politik si një turp dhe zgjebe që mund t’i bënin vetëm keq Francës Demokratike. Si shqiptar mendoj dhe krahasoj, mbase jam dhe i gabuar. A ngjan regjimi i Milosheviçit me Hitlerin, sidomos në vitet ‘90, sa krime e vrasje masive përfshi dhe gjenocid realizoi në këto vite në qendër të Evropës? Po vrasjet e dëbimet biblike të kosovarëve, mos ngjasin me veprimet e vitit 1942 të nazistëve në Francë? Kështu edhe krimet e tjera atëherë. Po qëndrimi i Rugovës dhe bashkëpunëtorëve të tij, mos ngjason me ato të Petenit ndaj nazistëve? Edhe një herë për vëllezërit kosovarë të ndershëm e patriotë, qofsha i gabuar edhe për prejardhjen e drejtuesve politikë të sotëm në Prishtinë.
Drejtuesit politikë e popullorë në Kosovë dhe Shqipëri për 25 vjetët e fundit mund t’i vlerësojmë duke i ndarë në dy kategori. Në Kosovë mund të fillojmë edhe më herët rreth viteve ‘80, kur filloi të organizohej rezistenca e vërtetë ndaj pushtimit serb, rezistencë që kishte në bazë qëndresën disa shekullore të shqiptarëve ndaj sllavëve e sidomos serbëve. Do të mbeten emblematike figura të asaj kohe si ato të Kadri Zekës, Jusuf Gërvallës, Adem Demaçit dhe shumë të rinjve kosovarë që dhanë jetën dhe vuajtën burgjet fashiste për ideal. Në ato vite, veprimet dhe fotografitë e tyre mbaheshin si të shenjta në shumë zyra të administratës shqiptare të asaj kohe. Ashtu si më vonë legjendari Adem Jashari, i cili falë heroizmit personal dhe fisit të tij, e ka vendos veten ne emrat e parë, shkruar në altarin qindra vjeçar të heroizmit të popullit shqiptar. Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Xhavit Haliti, Ali Ahmeti e shumë të tjerë, me patriotizëm dhe devotshmëri u vunë në krye të shqiptarëve të Kosovës, e që pa luftën e tyre, aleatët do ta kishin vështirë për të shporrur Milosheviçin nga trojet tona. Aktualisht disa prej tyre janë transformuar në politikanë shqiptarë të shkathët e që vuajnë pak nga dobësimi i memories. Për sa i përket Ibrahim Rugovës, Bujar Bukoshit, Isa Mustafës dhe bashkëpunëtorëve te tyre, në Shqipëri nuk dinë për kontributet dhe veprime të tyre në favor të luftës çlirimtare në Kosovë. Edhe politikanët shqiptarë, që kanë drejtuar shtetin amë, këto vite që kandidojnë me lëvizjen për pavarësi në Kosovë, pa frikë mund t’i ndajmë në dy kategori. Kategoria e parë ose të vetëquajturit të djathtë dhe e dyta ose socialistët. Përfaqësuesit dhe emrat kryesorë e më aktivë që kanë ndikuar e kushtëzuar në lëvizjen kosovare nga të djathtët janë Sali Berisha, Aleksandër Meksi, Tritan Shehu, Safet Zhulali, Bashkim Kopliku, Bashkim Gazidede, Genc Pollo etj. Këta persona dhe strukturat që ata drejtonin në atë kohë, jo vetëm nuk kanë ndihmuar dhe mbështetur lëvizjen për pavarësinë e Kosovës, por përkundrazi me djallëzi, aktivisht e kanë sabotuar atë duke ju kundërvënë konkretisht e hapur. Mjafton të kujtojmë furnizimin me naftë të ushtrisë serbe. Në krye të kësaj pune Berisha, Meksi e Shehu, që nga ana tjetër sollën një bllekaut ndaj organizimit të luftëtarëve në territorin shqiptar, sa që lëvizja për çlirim vlerësohej si terroriste. Kjo deri aty sa që drejtuesit e saj arrestoheshin me të vënë këmbë në territorin e Republikës. Takimet e vërtetuara me Milosheviçin dhe Arkanin. Deri te arrestimet, vrasjet dhe zhdukja e disa drejtuesve, në territorin shqiptar, gjithmonë në koordinim me Rugovën dhe Bukoshin, e shprehur edhe në qëndrimin antikombëtar ndaj Rambujesë. Miqtë e mi, me humorin e hollë, në Korçë, kur dëgjonin përgjërimet e Berishës për Kosovën pas 97-ës, i drejtoheshin atij me thënien e korçarëve për Osman Gazepin në vitet ’30: “Korçën kërkove, Korçën të dhamë, mos e dh… Korçën si dh… Beratnë”. Prova më flagrante e hapur janë ngjarjet e shtatorit të vitit 1998. Tentimi për grusht shteti.
E ndërsa Peteni me shokë në Francë u zhdukën, këta të shqiptarëve jo vetëm s’u hyri gjemb në këmbë, por u janë bërë ferrë e ngjitur si shushunja trupit të dobësuar shqiptar. Kategoria e dytë e politikanëve që lidhen me këtë kohë e Kosovën janë socialistët. Përfaqësuesit dhe përgjegjësit kryesorë si Fatos Nano, Rexhep Meidani, Ilir Meta, Pandeli Majko, Paskal Milo, Fatos Klosi etj. Këta drejtues politikë, padyshim u bënë mbështetje morale dhe logjistike për lëvizjen dhe çlirimin e Kosovës. Por ata kishin mundësi shumë më të mëdha për të ndihmuar. Shumë herë u shfaqen të mefshtë dhe burokratë. Detyra kryesore për të mbështetur Kosovën duhet të ishte ndihmesa direkte në terren e krijimit të grupeve të UÇK-së, furnizimi me armë e veshmbathje nuk ishte ndonjë sakrificë e madhe, atë mund ta kryente edhe një strukture transporti e ushtrisë shqiptare. Ajo nuk është detyrë kryesore e shërbimit. Nuk e ndihmuan në vend strukturat e UÇK-së për t’i mbrojtur nga veprimet serbe e organizuar punën zbuluese e kundërzbuluese, marrjen në pyetje të robërve, depërtimin në zonat e armikut etj., ashtu siç ishte parashikuar vite më parë në planet që kishin nëpër kasaforta. Nuk u aktivizuan e drejtuan celulat e fjetura në Kosovë, celula të përgatitura me kohë në bazë vetëm patriotike, për çlirim të Kosovës. Këto dhe veprime të tjera ishin të mirëideuara nga persona që e njihnin realisht lëvizjen çlirimtare e që ishin te pasqyruara saktë për situata të tilla në Kosovë. Megjithatë, shumë oficerë shqiptarë ushtrie me iniciativën e tyre e patriotizëm shkuan vetë duke ndihmuar UÇK-në. Përveç shumë ushtarakëve patriotë e modestë edhe Sokoli, Pirua, Beni, ish-oficerë të shërbimit shqiptar shkuan me iniciativë, për të ndihmuar në fushën e tyre. Drejtuesit e asaj kohe u justifikuan me parimin e neveritshëm të mosndërhyrjes në punët e brendshme të fqinjëve. Ndërkohë shqiptarët po masakroheshin. Në një kohë kur zona ishte bërë arenë lufte për ushtritë dhe shërbimet inteligjente kryesore në botë. Kujtojmë veprimet ekselente në këtë fushë të Hollbrukut dhe Hillit, të shërbimeve angleze etj. Njësoj si në koalicionin antifashist, por pa Bashkimin Sovjetik.
Specialistët mendojnë se teza absurde për hapjen e depove të ushtrisë shqiptare dhe konflikti i 1997-ës është organizuar nga shërbimet aleate, për përfitime në shpenzimet e luftës së Kosovës. Kjo nuk qëndron edhe vetëm për një fakt të thjeshtë. Kostoja e një fluturimi të avionit bombardues C17 është qindra e mijëra dollarë ose vetëm një raketë e drejtuar Tomahouk që me dhjetëra u hodhën mbi Beograd e Serbi, nga njësitë e NATO-s, në Adriatik kushton 500.000 dollarë, sa gjithë hekurat që ndodheshin në depot shqiptare. Ato veprime janë vetëm antishqiptare e kundërshtare, të cilat mbulohen në këtë mënyrë. Përgjegjësia kryesore ndaj vendit dhe detyrës, e të majtëve që ishin në atë kohë në pushtet, ilustrohet më së miri nga analiza e ngjarjeve të shtatorit 1998, veprimet e tyre para dhe pas datës 14. Qindra idhtarë të Berishës, Bukoshit erdhën nga Kosova para 10 ditësh e në vazhdim, duke u vendosur në hotelet e bregut të detit dhe Tiranës aq sa policia rrallë njihte në turmë ndonjë person. Asnjë sinjalizim nga Agjencia e shërbimit inteligjent. Organizimi i këtyre banditëve, takimet dhe bisedat me ithtarët e Berishës, asnjë njoftim. Ecejaket në Prishtinë të biondit apo kuqos opozitar, asnjë njoftim. Sulmi u krye vetëm ndaj Kryeministrisë, Ministrisë së Brendshme dhe Televizionit, pa ngacmuar asnjë zyrë apo ambient kryesor tjetër administrativ i cili ishte shumë më i lehtë për t’u marrë. Drejtuesit kryesorë të tyre u zhdukën sikur nuk ishin në Tiranë. Mosdhënia skandaloze e ndihmës për pajisje që u kërkuan nga policia më 14 shtator, ministrit të Mbrojtjes, janë të pashpjegueshme. Rezistenca atë ditë deri me armë, u bë vetëm nga një pjesë prej jo më shumë se 40 oficerë e nënoficerë të Policisë, grupi i ndërhyrjes së shpejtë të Shkodrës, dhe efektivat e antidrogës në godinën e Ministrisë si edhe një pjesë e policisë së Tiranës, Gardës dhe forcave speciale në terren, disa prej të cilëve u plagosën. Këtyre efektivëve që për mbrojtjen e institucioneve e shtetit nuk kishin llogaritur edhe jetën, ju bënë krah oficerët aleatë dhe kryesisht italianë që ishin me detyrë në Tiranë. Ata ndihmuan direkt në organizimin dhe zbatimin teknik të veprimeve të panjohura për oficerët shqiptarë atë ditë si edhe me mjete të reja transporti e logjistike. Ata si specialistë të mirëfilltë, pasi analizuan situatën dhe ngjarjen, insistonin duke iu thënë shqiptarëve se ky është grusht shteti dhe shteti shqiptar duhet urgjentisht t’i arrestojë përgjegjësit që dihen. Fatos Nano me papërgjegjësinë e tij është një nga kryeministrat më të dobët të Shqipërisë, ndër vite. Kjo ishte arsyeja kryesore që organizatorët e grushtit të shtetit kishin besim se do të fitonin. Ai kështu veproi dhe e abandonoi atë ditë drejtimin e qeverisë dhe shtetit me turp.
Puçistët dështuan falë qëndresës së ashpër, devotshmërisë dhe përgjegjësisë në detyrë të disa përfaqësuesve të shtetit e sidomos disa drejtuesve dhe pjesëtarëve të trupës policore në Ministrinë e Brendshme dhe Tiranë. Pas qetësimit të situatës dhe vendosjen e rendit, Kryeministri i ri Pandeli Majko jo vetëm nuk punoi për dokumentimin e thjeshtë të kësaj veprimtarie kundër shtetit, por u mjaftua me procedimin e disa fukarenjve e fukareshave që nuk dinin asgjë. Ministri i Brendshëm Petro Koçi, jo vetëm nuk arrestoi apo procedoi shkaktarët që edhe tashti dihen, por shkoi më tutje duke larguar nga puna apo spostoi disa oficerë kryesorë që pamundësuan grushtin e shtetit, ose largoi duke i çuar si roje nënoficerët e dalluar të antidrogës, të cilët vunë jetën në rrezik, përballë tankeve që drejtoheshin nga njerëzit e Bukoshit. Këta njerëz dhe të tjerë me veprime të dyshimta në atë kohë e vazhdim, padrejtësisht vlerësohen nga politika shqiptare dhe akoma kanë në dorë të bëjnë keq për vendin. Për veprimet e Majkos dhe të tjerëve si ai, të kenë kujdes kur trajtojnë çështjen kosovare dhe politikanët. Për të, nuk mund të thuhet se mosveprimet i burojnë nga ligësia, por aq e kishte nivelin. Ama një gjë duhet të dijë, të jetë më modest kur vjen puna për ndihmën ndaj popullit dhe çështjes kosovare. Ajo ndihmë dhe luftë patriotike është vetëm meritë e popullit patriot shqiptar kudo që jeton dhe jo e politikanëve te degraduar që janë me shumicë këtej dhe andej kufirit.
*Specialist i sigurisë kombëtare.
Gazeta Dita