Shkrirja e 15 bashkive, PS kërkon Komision të Posaçëm për fazën e dytë të Territoriales

Pas votimit në Kuvend me 85 vota të draftit që çon numrin e bahskive nga 61 në 46, Partia Socialiste kërkon të çojë përpara Reformën Administrativo-Territoriale, duke kaluar nga riorganizimi i hartës së bashkive te mënyra se si ato funksionojnë, financohen dhe ofrojnë shërbime për qytetarët. Për këtë qëllim, grupi parlamentar i PS-së i është drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi me kërkesën për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar, i cili do të merret me fazën e dytë të reformës.

Në qendër të punës së komisionit do të jetë rishikimi i kuadrit ligjor për vetëqeverisjen vendore, forcimi i kompetencave të bashkive dhe përcaktimi i standardeve minimale për shërbimet publike. Një tjetër objektiv është përmirësimi i financave vendore përmes decentralizimit fiskal dhe hartimit të një formule të re për shpërndarjen e transfertës së pakushtëzuar, duke marrë në konsideratë të dhënat e Censit të vitit 2023.

Zhvillimi rajonal dhe përgatitja për fondet e BE-së përbëjnë një tjetër shtyllë të reformës. Sipas propozimit, synohet krijimi i një niveli rajonal funksional, në përputhje me politikat e kohezionit të Bashkimit Europian dhe kërkesat për përfitimin nga fondet europiane.

Swiss Digital Desktop Reklama

Komisioni i propozuar do të përbëhet nga 16 anëtarë, të ndarë sipas përfaqësimit të grupeve parlamentare, dhe do të ketë një mandat nëntëmujor, me mundësi zgjatjeje me vendim të Kuvendit. Detyra e tij do të jetë shqyrtimi i ndryshimeve në legjislacionin për pushtetin vendor, financat vendore dhe zhvillimin rajonal, si dhe ndjekja e masave kalimtare për funksionimin e bashkive të reja.

Swiss Digital Mobile Reklama

Afati është një nga elementet kryesore të nismës. Ndryshimet ligjore synohet të përgatiten në kohë, në mënyrë që modeli i ri i qeverisjes vendore të jetë gati për t’u zbatuar pas zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Procesi parashikon gjithashtu konsultime me bashkitë, shoqatat e tyre, institucionet shtetërore, organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë. Në mbështetje të komisionit do të ngrihen një grup ekspertësh vendas e të huaj dhe një sekretariat teknik.

Nisma synon që reforma të jetë në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe Kartën Europiane të Autonomisë Vendore, duke synuar një model qeverisjeje më efikas, me kompetenca më të qarta dhe burime financiare më të qëndrueshme. Një prej objektivave të deklaruara është edhe arritja e konsensusit politik për ndryshimet që do të prekin organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

PS a duhet të kandidojë në Bashkinë e Tiranës nga politika apo shoqeria civile?