Shqipëria ende pa stabilitet politik

 

Nga Sadedin Çeliku

Vendi ynë prej çerek shekulli ka prodhuar veç kriza për shkak të mungesës së stabilitetit politik, stabilitet që ka çuar sigurisht në destabilitet ekonomik, financiar, social, moral, etj. Por për shkak të mungesës së këtij stabiliteti lindin mjaft probleme disa prej të cilave janë bërë gati të pa kapërcyeshme. Me kalimin e pushtetit nga e majta shumëkush besoi se gjendja do të ndryshojë, se korrupsionit do ti vinte fundi, se do hapeshin vende pune, se nuk do të mbilleshin më bimë narkotike dhe as do kishte trafikime të qenieve njerëzore, se kabineti qeveritar do kishte në përbërje njerëzit më të zot, se nuk do të kishte më konflikt interesi, se investimet do gjeneronin vende pune dhe do i ndryshonin fytyrën vendit, se s’do kishin më halle njerëzit, se do përcaktohesh minimum jetik, se do rritesh ndihma ekonomike, se të gjithë studentët do të trajtoheshin si të barabartë dhe biznesi gjithashtu.

Edhe pse ngjarjet pasojnë njëra-tjetrën, edhe pse populli jeton në varfëri të plotë, qeveria as nuk skuqet dhe as zverdhet. Kryeministri i Shqipërisë ka mbledhur në kabinet dhe jashtë saj grupin më të keq, që shkojnë në punë pas orës 10:00, dalin nëpër ekrane të na mbushin mendjen se po punojnë për të mirën tonë, se konçensionet janë në të mirë të ekonomisë paçka se kush i merr, dhe ju punon mëndja vetëm tek tenderat dhe tek favoret që vijnë prej tyre. Meqë Kryeministri i ka pak si qejf sondazhet le ta bëjë provë se sa e duan dhe e pëlqen populli qeverinë, performancën e saj dhe efektivitetin e qeverisjes. Të jetë e sigurtë se nuk do të dëgjojë as edhe një llafe të mirë, se popullit i ka vajtur aty ku s’mban më. Është e qartë se detyrën tonë si gazetarë, opinionistë, e analistë, e kemi bërë që kur erdhi në pushtet zoti Rama sepse natyrshëm qeveria e re do inkurajuar, mbështetur dhe njëherësh do nxitur për të realizuar politikat qeverisëse kur ato janë me dobi publike. Por, kur qeveria punon keq dhe nuk ofron kurrfarë gjëje popullit vet, atëherë detyra jonë është të hulumtojmë, investigojmë, të analizojmë dhe të bëjmë kritika përsëri për ta ndihmuar qeverinë të korrigjohet. Meqënëse ka kaluar më shumë se gjysma mandatit, kemi të drejtë të ndalemi seriozisht, të sensibilizojmë opinionin publik për atë që po bën keq kjo qeveri. U bë gati një vit jo vetëm unë, por dhjetëra të tjerë, pa përfshirë opozitën, që kërkojmë ndryshime në qeveri. Sugjerimet lidhen me vetë rezultatet e tyre të dobëta, por ato kanë rënë në vesh të shurdhër. Sa herë që kërkohen ndryshime qeverie, aq herë Kryeministri ka deklaruar se nuk do bëjë ndryshime. Pra shkurt ka një kokëfortësi të pa justifikuar, fenomen të cilën kemi patur rast ta vërejmë dhe në Bashki, në partinë e tij e kudo, ose Ai, Kryeministri është ortak në të gjitha kuptimet me ta dhe ka frikë ti shkarkojë. Zoti Kryeministër qeveria nuk drejtohet kështu. Kurrë mos e mendo se është e njëjta gjë me drejtimin e një Bashkie. Qeveria krahas dinamizmit, vullnetit, kërkon mbi të gjitha aftësi, dije, angazhim, vullnet, njohuri nga të gjitha fushat dhe seriozitet në zbatimin jo vetëm të programit politik por dhe atij qeverisës dhe premtimeve elektorale që burojnë nga spektri politik që përfaqëson.

Aktualisht duket se politika ka arritur pikën e vlimit dhe Kryeministri është i detyruar të bëjë me sforco ndryshime. Mbetet për tu parë në do ti bëjë vërtet, emrat që do largohen nga kabineti dhe ata që do ofrohen në kabinet sepse ndryshimet nuk lidhen thjesht me emrat por ato duhet të jenë substanciale që do të thotë që emrat e rinj duhet të sjellin ndryshimin e shumëpritur. Lëvizjen e parë e bëri Ministri i Drejtësisë Naço i cili dha dorëheqjen për ti dhënë një leksion Ramës, që ministrat ikin edhe kur punojnë mirë. Në se është kështu, po ministrat socialistë të cilët kanë rezultate të dobta të cilët përfliten në popull e kudo për korrupsion, janë në konflikt të hapur me interesat e tyre ç’duhet të bëjnë? Sidoqoftë ajo që dua të them është se janë akumuluar shumë probleme që kërkojnë zgjidhje të shpejta, shumë pakënaqësi që burojnë nga keqmenazhimi i qeverisë. Të gjitha këto e kanë bërë Shqipërinë një vënd pa stabilitet, të pa sigurtë pse jo dhe të frikshëm. Kjo është dhe arsyeja kryesore e emigrimit në Gjermani sepse njerëzit nuk gjejnë derman në vendin e tyre. Miratimi i ligjit antigazetar për “shpifje” na kujton kohën e diktaturës, por kjo nuk do ta ndryshojë situatën ekonomike dhe as vetë situatën e Ramës. Ligji nuk do të na e mbylli gojën sepse të gjithë ata që kanë tentuar të mbyllin gojën e gazetarëve kanë dështuar në sipërmarrjet e tyre. Është koha për të reflektuar, ndryshe askush të mos çuditet se mund të ketë dhe ngjarje të pakëndshme që askush nuk do ti dëshironte.

SHKARKO APP