Shqipëria të vret
Nga Agim Basha
Krime ndodhin kudo dhe njerëzit vidhen e vriten pa mëshirë, por në Atdheun tonë gjithkush mund të vritet si qeni në rrush, gjithkush. Nuk është problemi te argatët, të paguarit apo ata që vetangazhohen të kryejnë krime pasi njerëz të tillë gjenden me shumicë. Në përbërjen e çdo populli gjenden hajdut, vrasës, psikopat, jotolerant, gjaknxehtë, hakmarrës, etj. dhe çdo njeri është nga pak i tillë. Problemi është padrejtësia që shqipëtarët i ndjek këmba këmbës. Shqiptarët i ka lodhur aq shumë padrejtësia sa mendojnë se janë të varfër e të pa shpresë për pa aftësinë e vet dhe e vetmja mënyrë apo sfidë për tê dalë nga “ky mallkim” është të vjedhin e zhbëjnë njëri-tjetrin. Në këtë atmosferë vetshkatërruese vërtitemi të gjithë çdo ditë e natë si autor e viktima padrejtësish të panumërta. Në veçanti zyrtarët janë mëkatarët më të mëdhenj. Të jesh zyrtarë e kupton sa shumë padrejtësi ju bëhen njerëzve nga ata si ti. Kupton sa të pa ndjeshëm e të pa shpirt janë ata si ti. Kupton se ti mund të bëhesh shumë shpejt si ata, se je vetëm një hap larg. Kupton se mund të bësh në çdo moment padrejtësi, kupton se ndoshta ke bërë. Në veçanti nëpunësit e sistemit të drejtësisë dhe policisë janë përgjegjësit kryesor të padrejtësive. Duke mos vepruar e shpesh duke vepruar keq ju shkaktojnë njerëzve shqetësime, dëme, dhimbje e tragjedi. Nuk po merrem me padrejtësitë në “emër të ligjit” të prokurorëve, gjyqtarëve, oficerëve të policisë apo zyrtarëve të tjerë, do ta trajtoj më thjeshtë vetë për policinë. Kam bindjen time se oficerët e policisë i “vrasin” kolegët e tyre. Askush të mos mendoj që marrin armën dhe qëllojnë mbi kolegun, jo! Këtë nuk e bëjnë. I vrasin në shumë mënyra të tjera.
Hapi i parë për të vrarë një oficer policie është kur e pranon si kandidat në shkollën e policisë pa standardin e kërkuar të inteligjencës, psikologjisë, dijes dhe fizikut. Kjo është vrasje me autor që gjenden lehtë. Hapi i dytë për të vrarë oficer policie është të mos e përgatitësh aftësosh, trajnosh për të bërë detyrën dhe mbijetuar në rrugë. Kjo është vrasje me autor që gjenden lehtë
Hapi i tret për të vrarë një oficer policie është caktimi në detyrë të cilën nuk do ta bëj ose duke e vendosur në kushte pune e jetese sfilitëse. Kjo është vrasje me autor që gjenden lehtë.
Hapi i katërt për të vrarë një oficer policie është lejimi i abuzimit me detyrën duke shkelur normat e ligjet në dëm të qytetarëve, por në “favor” të rezultateve false dhe ambicjeve të eprorëve. Kjo është vrasje me autor që gjenden lehtë.
Hapi i pestë për të vrarë një oficer policie është të heshtësh apo ta mbrosh me solidaritetin e kolegut kur ai abuzon, përdoret, përfiton duke shfrytëzuar pozicionin e punës. Ky është krim me autor që gjenden lehtësisht.
Hapi i gjashtë për të vrarë një oficer policie është t’i shfrytëzosh ndershmërinë, pasionin, aftësinë, karakterin dhe temperamentin jo për qëllime të mira, por për interesa, ambicje apo vese të eprorëve. Ky është krim me autor që gjenden lehtë.
Hapi i shtatë për të vrarë një oficer policie është t’i mohosh aftësitë, rezultatet dhe dobinë e tij për policinë duke e neglizhuar, mohuar e ketrajtuar në vijimësi. Ky krim ka autor që gjenden lehtë
Hapi i tetë për të vrarë një oficer policie është t’i ngarkosh detyra dhe përgjegjësi të pa përballueshme për kapacitetet dhe aftësitë e tij. Ky është krim me autor që gjenden lehtë.
Hapi i nëntë për të vrarë një oficer policie është etiketimi politik, krahinor, fetar me qëllime keqdashëse të nxitura nga xhelozia profesionale, smira apo interesa të ngushta e perverse të kolegëve dhe eprorëve. Ky është krim me autor që gjenden lehtë
Hapi i dhjetë për të vrarë një oficer policie është ta sulmosh me çdo mjet, të përdorësh çdo intrigë për ta luftuar, rrëzuar në karrierë apo larguar nga policia, kur ai bëhet pengesë që dikush apo disa të përfitojnë para apo favore. Ky është rasti më i rëndë dhe alarmant. Ky krim ka autor që gjenden lehtë por përgjithësisht janë në nivele të larta dhe shfrytëzojnë kompetencat e postit dhe aleancën me krimin.