Shqiptarët po braktisin apartamentet në bregdet, ja pse…

Shqiptarët po i braktisin apartamentet që kanë në bregdet ndërsa po kërkojnë të investojnë në blerjen e vilave. Ndryshimi i tendencës, vitet e fundit ka bërë që shumë apartamente të mbeten stok ndërsa sektori i ndërtimit të qëndrojë në stanjacion.

Nësë dikur një shtëpi në bregdet ishte e preferuar për shumëkënd, sot të gjithë duan ta shesin.

Ata që zotërojnë një apartament në zonën e plazhit të Durrësit sipas revistës ekonomike Monitor e cila ka analizuar ndryshimin e tendencës e kanë të vështirë ta rishesin, për të mos thënë të pamundur.

Megjithëse për një apartament matanë rrugës mund të paguash 300 euro për metër katrorë, ndërsa në vijën e parë të detit e gjen me 700 euro metri kur pak vite më parë shkonte në 900 deri 950 euro.

Situata paraqitet e njëjtë edhe në Shëngjin ku çmimi i apartamenteve sipas agjencive të pasurive të paluajtshme varion nga 350-400 euro për metër katrorë.

Agjencitë imobiliare tregojnë për një kërkesë të dobët në treg ndonëse stoku i apartamenteve të pashitura në zonat bregdetare është i lartë, kryesisht në Durrës e Kavajë.

Sipas censusit të fundit, raporti i numrit të banesave të pazëna ndaj totalit në përqindje në Golem është 88%, më i larti në Republikë, nga 21.6% që është mesatarja e vendit.

Sektori i ndërtimit në Durrës sipas ndërtuesve ka mbetur në stanjacion ndërsa ekspertët nuk japin ndonjë variant se si mund të zgjidhet situata.

Më ndryshe paraqitet tregu në jug të vendit. Ai po mbahet nga kërkesat e të huajve.

Më të interesuar duket se janë blerësit nga vendet nordike të cilët me 30-40 mijë euro kanë blerë apartamente kryesisht në Himarë dhe Sarandë.

Megjithëkëtë, kohët e fundit agjencitë e pasurive të paluajtshme tregojnë së njerëzit janë bërë më kërkues. Nuk dëshirojnë më thjesht një shtëpi të dytë pranë detit, por kushte më të mira.

Ata thanë për Monitor se në përgjithësi, kërkesat për shtëpi në bregdet janë të përqëndruara në komplekset turistike, kryesisht fshatrat turistikë. Çmimet variojnë nga 800 euro për apartamentet, deri në 1200 euro për vilat në bregdetin e Adriatikut. Kurse në Jug, çmimi për metër katror shkon deri në 1850 euro katror për vilat e kategorisë “luxury”.

Në përgjithësi, blerësit janë vendas e shqiptarë nga trevat me të ardhura mestare e sipër. Sa u përket të huajve, interes tregojnë italianët.

Megjithatë investitorët e kanë parë më të arsyeshme të orientohen në ndërtimin e objekteve me target klientët VIP.
Një pikë strategjike për zhvillimin e resorteve turistike është edhe zona bregdetare e Gjirit të Lalëzit.

Për shkak se gjendet 26 kilometra nga Porti i Durrësit dhe 38 kilometra afër Aeroportit të Rinasit e lehtësive që e lidhin atë me pjesët e tjera të rajonit si Mali i Zi, Shkupi dhe Prishtina./ABCNews/

SHKARKO APP